Uji Dea

Imamët shqiptarë: Bajrami, megjithatë të enjten

/ 3 minuta lexim

Myslimanët shqiptarë në diasporë për dallim prej atyre në Kosovë do ta festojnë Kurban Bajramin më 25 tetor

Festën e Kurban Bajramit nuk do ta festojnë bashkë për një ditë të gjithë myslimanët shqiptarë në diasporë.

Dita e Kurban Bajramit do të jetë të premten, më 26 tetor në Kosovë. Kështu ka vendosur Bashkësia Islame e Kosovës. Këtë vendim e ka bërë të ditur për mediat e Kosovës, kryemami i Kosovës, Sabri Bajgora.

Sipas Bajgorës, kjo ka ndodhur për shkak të ditës së Arafatit, e cila është të enjten dhe kjo sipas tij, e përcakton se dita e parë e Kurban Bajramit është të premten.

Mirëpo deri sot është thënë se dita e parë e Kurban Bajramit do të jetë të enjten më 25 tetor pas kordinimit të tri Bashkësive Islame: Shqipëri, Kosovë Maqedoni, dhe kjo ka hutuar në masë të madhe besimtarët myslimanë në diasporë.

Në një komunikatë të Unionit të Imamëve Shqiptarë të Zvicrës thuhet se se pas konsultimeve me përfaqësues të Bashkësisë Islame të Shqipërisë dhe Maqedonisë, del që BIK-u ka ndryshuar qëndrimin për këtë çështje pas deklaratës së përbashkët pas së cilës ka qëndruar edhe ajo, me arsyetimin se BIK-u asnjëherë nuk e ka bërë zakon që të festojë Kurban Bajramin ndryshe nga Arabia Saudite dhe se deklaratën e përbashkët të 18 tetorit e ka dhënë me kusht që të mund të rishikohet.

Fidanishtja

Qendrat Islame Shqiptare në Zvicër janë të zhgënjyera nga kjo situatë

“Ne si qendra islame shqiptare këtu në Zvicër jemi të zhgënjyer shumë nga kjo situatë e hidhur, pasi edhe njërën prej krejt dy festave islame sa i kemi në vit, nuk kemi mundësi ta festojmë bashkë si botë shqiptare-islame”, thuhet në komunikatë të USHIZ-së.

“Duke marrë parasysh se dy Bashkësitë Islame: ajo e Shqipërisë dhe e Maqedonisë nuk ndryshojnë qëndrimin, duke marrë parasysh se të dhënat e Institutit Astronomik në Bernë (www.aiub.unibe.ch) tregojnë se dita e parë e këtij muaji hënor ka qenë 16 tetori, për çka nuk duhet dyshuar në to pasi mbështeten në llogaritje të sakta shkencore, duke marrë parasysh se shumë xhami tonat kanë rezervuar sallat për ta falur namazin e Bajramit për me 25 tetor, për çka e kanë shumë të vështirë ose edhe të pamundur ta ndryshojnë këtë termin, duke marrë parasysh se shumë punëtorë, studentë dhe nxënës myslimanë e kanë marrë të lirë të enjten, ne si Union kemi vendosur që këtë festë ta kremtojmë të enjten, më 25 tetor 2012, ashtu siç e kemi lajmëruar edhe më herët”, thuhet mes tjerash nga UISHZ.

Por sipas Unionit xhamitë apo qendrat islame shqiptare që kanë bindje tjetër janë të lira të vendosin sipas bindjeve të tyre, por duhet të kenë parasysh ruajtjen e unitetit brenda xhematit.

“Ne shpresojmë se bajramet e ardhshme do të mund t’i festojmë në mënyrë të denjë ashtu siç na ka hije dhe se së shpejti këto divergjenca do të tejkalohen”, përfundon komunikata e UISHZ-së e nënshkruar nga kryetari Rejhan Neziri.(albinfo.ch)