Eko Higjiena

Ikni nga Daci

/ 5 minuta lexim

LDK u ka bërë thirrje anëtarëve të LDD’së që të largohen nga udhëheqësi i tyre, Nexhat Daci. Nënkryetari i partisë më të madhe opozitare, Haki Rugova ka thënë se ky subjekt po fundoset. Por, në partinë e ish – Kryeparlamentarit vazhdojnë të jenë këmbëngulës. Thonë se në zgjedhjet e ardhshme do të garojnë duke lidhur koalicione.

Pavarësisht se Partia e Nexhat Dacit për çdo ditë po zvogëlohet, ka zyrtarë që paralajmërojnë se do të marrin pjesë jo vetëm në zgjedhjet e ardhshme lokale, por edhe në ato nacionale.

Nënkryetarja e LDD’së, Besa Gaxherri ka deklaruar se shumë shpejt do të bëjnë koalicion me ndonjërën prej partive kryesore në Kosovë. Ajo ka përmendur si mundësi bashkëpunimin me LDK’në, PDK’në, AAK’në, por edhe Lëvizjen Vetëvendosje.

“Shumë shpejt do të vendosim se me cilën parti do të lidhim koalicion. Kemi ofertë edhe prej LDK’së, edhe prej PDK’së, edhe prej AAK’së, edhe prej Vetëvendosjes. Përgjigjen nuk e kemi me datë sepse kemi hapësirë të mjaftueshme për të vendosur”, ka thënë Gaxherri për Express të shtunën.

“Shumë shpejt, brenda ditëve, nuk po dua të them muaj”, ka shtuar ajo, kur është pyetur rreth afatit se kur mund të ndodhë koalicioni.

LDD’ja, e themeluar pas Kuvendit VI të LDK’së më 2006, ka vazhduar të tkurret që nga koha kur mbeti jashtë Parlamentit.

Shumë prej anëtarëve janë rikthyer në LDK, ndërsa një pjesë kanë shkuar në partinë e Ramush Haradinaj, i cili ka hapur dyert për të gjithë të pakënaqurit e partive tjera.

Prej asaj kohe, Daci asnjëherë nuk ka pranuar ta shkrijë LDD’në në LDK, AAK ose PDK.

Madje në LDD po planifikojnë të përgatiten edhe për zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

“Ne do të marrim gjithsesi pjesë në zgjedhjet lokale, nacionale dhe mendojmë se do të duhej të mbaheshin sa më shpejt të dy palë zgjedhjet. LDD do të shkojë në zgjedhje me subjektivitetin e vet. Nuk do të shkrihemi në asnjë subjekt, por do të bëjmë koalicion. Kemi oferta, shumë sinqerisht, prej të gjitha partive. Në konsultime me strukturat e partisë shumë shpejt do të dalim më një qëndrim”, ka thënë Nënkryetarja e LDD’së.

Por, në LDK nuk janë optimistë se do të bëjnë koalicion me LDD’në për shkak të Nexhat Dacit.

Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lëvizje prej tetorit të vitit të kaluar, kur Isa Mustafa dhe Nexhat Daci kishin drekuar bashkë në periferi të Prishtinës.

Ai ka thënë se problemi i afrimit të LDD’së me LDK’në është egoja e Akademikut.

Uji Dea

“Unë kam qenë në takim kur është mbajtur mes Isa Mustafës dhe Nexhat Dacit. Aty kam parë se Daci ka probleme me vetveten, më madhështinë e tij. Duket se e ka kompleks madhështinë e tij prej akademiku”, ka thënë Rugova, për Express.

Ai ka dhënë edhe një porosit për anëtarët e mbetur të LDD’së.

“Duhet ta kuptojnë edhe anëtarët e LDD se nuk duhet ta ndjekin dikë që është duke u fundosur”, ka porositur Rugova.

Edhe Zëdhënësi i AAK’së, Ernest Luma ka deklaruar se ende nuk ka diçka konkrete për ndonjë koalicion me LDD’në e Nexhat Dacit.

Por, partia e Ramush Haradinajt mbetet e hapur për Dardanët.

“AAK është a hapur për anëtarët e LDD’së. Ne kemi pasur biseda më herët, por nuk ka asgjë konkrete sa i përket ndonjë koalicioni”, ka thënë Luma.

Ndërkohë, Nënkryetari i LDK’së, Haki Rugova thotë se LDK po ashtu i ka hapur dyert për anëtarët e LDD’së.

Sipas tij, LDD është parti jofunksionale në gjithë Kosovën.

“Anëtarët e mbetur të LDD’së duhet të kthehen në LDK dhe të ndjekin edhe shembujt e disa komunave që ka pasur rikthim në shtëpinë e vjetër”, ka shtuar ai.

Me këtë nuk pajtohet Nënkryetarja e LDD’së, Besa Gaxherri.

Ajo thotë se partitë tjera po ia marrin elektoratin Nexhat Dacit duke iu bërë shantazhe zyrtarëve të saj.

“Të gjitha degët e LDD’së janë aktive, por normal që nuk janë të gjitha funksionale njësoj, ka më mirë, ka më keq. Është e vërtetë se kemi shumë probleme, në radhë të parë që financa nuk ka e pastaj anëtarët e saj zhantazhohen çdo ditë”, ka shtuar ajo.

Gaxherri ka insistuar se pavarësisht largimit të zyrtarëve të LDD’së ka edhe aderime të reja.