IKD: Presidentja ta shfuqizoj Dekretin e faljes, rasti të hetohet

Edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka shprehur shqetësimin rreth Dekretit për Falje të presidentes së Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, të cilin e ka nxjerr me rastin e gjashtë vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ky shqetësim vije për shkak të dyshimeve të ngritura në media se nga falja presidenciale ka përfituar një i dënuar recidivist, në kundërshtim me kriteret e Ligjit për Faljen.
Në raportin e publikuar në janar 2012, IKD ka theksuar se instituti i faljes në Kosovë ka pësuar zhvlerësim të vazhdueshëm pikërisht për shkak të mos respektimit të kritereve dhe ligjit. Rrjedhimisht, zbatimi i mbrapsht ndër vite ka bërë që të dënuarit më parë ta shohin institutin e faljes si një produkt që blihet sesa si një akt mëshire dhe një shans për ri-socializim më të shpejtë.
“Ky është një dëm shumë i madh për drejtësinë penale në Republikën e Kosovës dhe humbjen e besimit tek të dënuarve se me sjellje të mirë mund të përfitojnë nga ky akt mëshire. Vlerësojmë reagimin e menjëhershëm të Presidentes Jahjaga për të verifikuar informatat e raportuara në media dhe inkurajimin e mediave që të jenë kujdestarë të institucioneve të vendit”, thuhet në komunikatë.
Krahas angazhimit të Komisionit Ad Hoc për Falje të Presidentes për të verifikuar informatat, Ministria e Drejtësisë duhet të angazhohet maksimalisht që të identifikoj dështimet e Shërbimit Korrektues dhe ekipeve multi-profesionale. Në dy analizat e publikuara, IKD ka gjetur se raportet e ekipeve multi-profesionale të Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë qenë kundërthënëse, të pasakta, shabllon dhe jokonkrete, duke bërë tejet të vështirë zbatimin e drejtë dhe meritor të faljes në Kosovë.
Në rast se të gjeturat e Komisionit Ad Hoc për Falje të Presidentes dhe Ministrisë së Drejtësisë vërtetojnë raportimet e mediave dhe shkeljen e kritereve ligjore, atëherë duhet të ndërmerren hapat sikurse kërkohet me ligj.
“Presidentja duhet të shfuqizoj dekretin, Prokurori i Shtetit duhet të grumbulloj informata dhe hetoj rastin ashtu që të nxjerrë në pah në qoftë se shkeljet e dispozitave të Ligjit për Faljen janë mundësuar për shkak të veprimeve të personave me qëllime të caktuara, si dhe Ministria e Drejtësisë duhet të intervenoj në përmirësimin e punës së Shërbimit Korrektues ashtu që të gjitha dosjet e të të dënuarve të rishikohen dhe të përmirësohen që të pasqyrojnë gjendjen reale”, thekson IKD. /Telegrafi/