RCCOLA

Iftarët e bashkimit politik!

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Isuf B. Bajrami- Këshilli i Mexhlisit të Bashkësisë Islame në Bujanocit,shtroi një iftar në Hotelin luksoz “Rozafa”, kulla qind për qind shqiptare.

Organizatori i iftarit në emër të “bashkimit”, rreth sofrës me një meny të pasur, mblodhi “drejtuesit” e pushtetit lokalë, këshillit “nacional” jolegal, “liderë” partiakë, “përfaqësues” të Këshillit të Bashkësisë Islame, xhematlinj, drejtorë, studentë e gazetarë.

Në këtë iftar nuk ishin ftuar ata që duhej të ishin më kryesorët, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame për Preshevë Bujanoc dhe Medvegjë, të cilët para Ramazanit u dakorduan për unifikimin e Bashkësive Islame të Luginës me përkrahjen e Naim Tërnavës.

Pastaj në këtë iftar munguan “deputeti” jo-legjitim Riza Halimi dhe stafi i PVD-në me në krye Kamberin dhe LPD-në, të cilët po i bëjnë obstruksion pushtetit lokal në Bujanoc .

Vlen të theksohet se në këtë muaj të “shenjtë” politika e përçarjeve në Luginë, prapë po fiton, sepse nëpërmes organizimeve të Iftareve në Bujanoc dhe Preshevë e Kosovë kanë dalë shumë organizatorë, që pretendojnë të dalin në skenë, ashtu si nga sektori jo qeveritar, bashkësitë islame, selefët dhe vehabistët, duke garuar shtëpi për shtëpi me qëllim përmes iftareve të përfitojnë aleatë dhe bashkëpunëtorë.

Por, sihariqi më i madh që i bie Luginës për këtë Ramazan, ftesa që iu bë nga përfaqësuesit e bibliotekës së xhamisë “ Ilmuddin” në fshatin Lluçan të Bujanocit, si dhe përfaqësuesit e Shoqatës “Dituria” nga Presheva, në mungesë të Imamit Ragmi Destani , ligjëruesve me orientime selefiste dhe vehabiste për të marre pjesë në Tribunën Fetare, Irfan Salihu nga Prizreni dhe Ahmed Kalaja nga Tirana, ku ky skenar u realizua pasi që Naim Ternava u deklaru haptas nëpër media se: “VEHABITË” NE KOSOVE DHE LUGINE TE PRESHEVES PJELLE E PROPAGANDES SERBE‏’.

Fundamenti

Fillimisht, nikoqiri i këtij iftari politik, elaboroi për rolin dhe rëndësinë e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Muaji i Ramazanit është muaj i sabrit, muaji i pendimit, muaji i durimit, muaji i unitetit dhe bashkimit – dakord, por jo vetëm rreth sofrës së mbushur për plot gjëra ushqimore dhe pije pa fund, por edhe në qeverisjen lokale, në projekte të ndryshme kapitale, në veprimtari të ndryshme me interes qytetar e kombëtar, pa përjashtuar as shuarjen e zjarreve, të cilat po na i gudulisin hundët me tymin dhe shkrumbin e pyjeve të djegura e fshatrave të ngelura në errësirë pa drita elektrike.

Në këtë muaj, gjithashtu, tha organizatori, kanë ndodhur ngjarje me rëndësi për myslimanët siç është Beteja e Bedrit, çlirimi i Mekës, pastaj është Nata e Kadrit në të cilën Zoti e zbriti Kuranin, ngjarje këto që e kthyen historinë e ndritshme islame, për pak sa nuk u përmendën edhe Referendumi dhe Marrëveshja e Konçulit.
Por, iftarët e bashkimit politik, ndodhin rrallë, një herë në motmot. Ky është një shembull i mirë sikur të ndodh për ditë: në punë, në aksione si dhe në institucione të ndryshme kulturore, arsimore, fetare, shëndetësore, sportive, etj.

Nuk bëhet uniteti me një darkë, qoftë ai edhe iftar, si i Bujanocit, i cili sa për sy e faqe i bëri “bashkë” njerëzit, disa prej të cilëve jo vetëm që nuk agjëronin, por edhe punojnë për ta prishur bashkimin e shqiptarëve edhe në atë botë.

Pa i nënvlerësuar rendësit e iftareve, të cilat, vërtet, kanë një mesazh të fort bujarie, solidarësie, dashurie njerëzore, ato, thjesht nga disa institucione dhe individë të caktuar, keqpërdoren për qëllime politike dhe komerciale.

Ne duhet t’i shohim shqiptarët e Bujanocit bashkë jo vetëm në iftare, në varrime, në të pame, në dasma e gazmende, në syneti e festa të tjera shoqërore, nacionale e fetare, por edhe në veprime të përditshme jetike për njerëzit e këtij nënqielli, të cilët zgjohen e bien me ëndrrat se do të bëhet mirë një ditë edhe për banorët e këtyre zonave të krahut lindor të Kosovës.