Idetë në diasporë, financat dhe biznesi në Kosovë

„Ne nuk kemi për qëllim t‘i prekim financat e diasporës që i kanë fituar me djersë për 20-30 vjet, por vetëm na duhet dituria e të rinjve që kanë në plan të kthehen në Kosovë“
Një biznismen i njohur nga diaspora për më shumë se 20 vjet, Vëllaznim Xhiha, është kthyer sërish nga Kosova në Zvicër, por kësaj here për të kërkuar ide dhe inovacione nga bashkatdhetarët e tij afaristë, për të cilat thotë se do t’i mbështesë financiarisht me firmën e tij „EYE“, të cilën e ka themeluar më 2012 në Prishtinë.
Në fakt, firma “EYE” (Encouraging Young Entrepreneurs)e Vëllaznim Xhihës që ka lansuar në Prishtinë këtë iniciativë krejtësisht private dhe vullnetare “EYE-VENTURE’13”, ka për qëllim promovimin e afarizmit te të rinjtë dhe të rejat në Kosovë dhe diasporë, me përqendrim të posaçëm në nxitjen e inovacionit, cilësisë dhe etikës në punë.
Të shtunën për të promovuar këte ide, Vëllaznim Xhiha kishte mbledhur në “Hotel Mariott” të Cyrihut biznismenë, studentë, mjekë shqiptarë, të cilët veprojnë në Zvicër, për të bërë publike idenë që sipas tij nuk ka për qëllim të kërkojë investimet e tyre, por vetëm idetë e mira të binznesit që do të ishin bërë ndërmarrje e suksesshme në Kosovë.
Para se të fillonte me promovimin e idesë “EYE-VENTURE’13”, Xhiha ka folur për rrugëtimin e tij profesional nga Fakulteti Teknik i Prishtinës (1976-1982) si asistent dhe ligjërues, deri në themelimin në vitin 2012 të „EYE“ në Prishtinë. Ai ka ngritur shumë firma të suksesshme në Zvicër në rolin e bashkëthemeluesit, inxhinierit dhe drejtorit të shitjes dhe marketingut.
Ai këtë eksperiencë dëshiron ta sjellë në Kosovë nëpërmjet “EYE-VENTURE’13”.
„Ne nuk kemi për qëllim t‘i prekim financat e diasporës që i kanë fituar me djersë për 20-30 vjet, por vetëm na duhet dituria e të rinjve që kanë në plan të kthehen në Kosovë“, ka thënë në hapje të seminarit “Kosovës i duhet dija e diasporës” Vëllaznim Xhiha.
Diaspora shqiptare është numerikisht e madhe në Zvicër dhe gjasat janë të mëdha për të gjetur kandidatët potencialë për të marrë pjesë në këtë garë.
„Unë jam i sigurt se për çdo vit mund të krijojmë nga një firmë të suksesshme nga diaspora“, tha inxhineri Xhiha, i cili ka diplomuar dhe ka magjistruar në ETH të Zürichit në fushën e elektronikës dhe automatikës.
Përveç financave, „EYE“ do të sigurojë për idetë e mira të biznesit edhe ekspertizën e 10 mentorëve nga menaxherët e firmave më të rëndësishme të vendit dhe të Evropës.
Xhiha ka thënë të mos ketë nevojë për investitorë për bizneset e reja, ngase investimet i ka të siguruar nga EYE.
Qëllimi, sipas biznismenit kosovar, është krejtësisht social, ngase nuk synohet për të krijuar shumë firma, por firma të qëndrueshme që krijojnë vende të reja të punës.
Idenë e ka përshëndetur edhe Barbara Buri nga Diaspora për zhvillimim DfD.
„Kapital i diasporës nuk janë vetëm financat, por edhe idetë dhe inovacionet që i kanër përfituar në Zvicër dhe Gjermani“, tha Buri. Ajo tha se diaspora kosovare ka lujatur gjithmonë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e vendit dhe ky është edhe vizioni i përbashkët Diaspora për
Zhvillimim dhe “EYE-VENTURE’13“. Diaspora gjithmonë ka hapur dyert, ngase e ka njohur realitetin në vend“, ka thënë Buri.
Por, EYE synon të krijojë kompani të suksesshme dhe të qëndrueshme e që kanë potencial për rritje të vazhdueshme nëpërmjet garës “EYE-VENTURE’13”.
Në këtë garë do të përzgjedhen idetë më bindëse për biznesin në Kosovë dhe diasporë.
Për garën “EYE-VENTURE’13” ka folur Drin Xhiha.
Xhiha tha se pjesëmarrësit e garës duhet të fokusohen në nevojat e tregut dhe nevojat e konsumtaorit kur të zhvillojnë dhe të paraqesin idetë e biznesit.
Në fazat e mëtutjeshme të garës pjesëmarresit ndërtojnë dhe paraqesin biznesplanin e tyre.
Krijuesit e biznesplaneve më të mira do të ftohen të prezantojnë para panelit të jurisë. Në këtë fazë bëhet përcaktimi i fituesve të garës, të cilët do të përfitojnë mundësinë e investimeve nga EYE dhe partnerët e saj, për të udhëhequr idenë e tyre drejt një kompanie të suksesshme.
Në fazën e tretë, kur përcaktohen fituesit, bëhet themelimi i kompanisë së re, përcaktohen aksionarët, menaxhmenti, financimi dhe strategjia e kompanisë.
EYE do t’i mbështesë firmat në krijim në 3-5 vjetët e ardhshëm. Atëherë kur ndërmarrja do të jetë në rritje, parashihet dhe strategjia e daljes nga EYE, ku ndërmarrja do të mbetet 100% e themeluesve.
Deri më 8 qershor është afati kur mund të dorëzohen bizneskonceptet, ndërsa konkursi është i hapur më 7 shkurt 2013 në Prishtinë. Paraprakisht do të mbahen edhe seminare dhe workshope me ndërmarrës në Kosovë.
Pasi Vëllaznim Xhiha ka treguar se çfarë është një ide e mirë që mund të gjejë mbështetjen e EYE për mundësitë dhe rreziqet gjatë themelimit të firmës në Kosovë, ka folur në seminarin e Cyrihut Driton Hapçiu nga firma “Cacttus” në Prishtinë.
„Ne jemi në rrugëtimin për në Evropë. Kosova po aplikon ligjet dhe rregullativat në formatin evropian. GDP po rritet në Kosovë. Ka efektivitet në vjeljen e taksave. Kosova është anëtare e mekanizmave ekonomike ndërkombëtare“, ka përmendur disa nga përparësitë Hapçiu.
Ai tha se toka bujqësore nuk po shfrytëzohet, edhe pse ka vlerën më të lirë të blerjes. “Konsolidimi i tokës bujqësore është i domosdoshëm në Kosovë dhe paraqet një potencial të rëndësishëm edhe për diasporën“, tha Hapçiu.
„Fuqia punëtore është e lirë në Kosovë. Kthimi nga migrimi është një përjashtim që e bëjnë kosovarët.
“Nuk është keq. Njerëzit po ktehen…edhe ata që kanë kryer masterë nëpër botë po punojnë në Prishtine. Ky kthim duhet të shfrytëzohet, dhe për këtë është ide e mirë EYE-VENTURE’13”, tha Driton Hapçiu.
Po nuk ka mundur pa i përmendur edhe rreziqet që përballen bizneset në Kosovë.
„Shteti nuk ka të definuar strategjinë sektoriale dhe për këtë arsye ne merremi me veten“, tha Hapçiu, duke theksuar se ka mekanizma të shtetit që nuk funksionojnë ende si duhet.
Po ashtu u pohua se ende ka ekonomi informale dhe kur ka informalitet, nuk ka para për shtetin, theksoi njëri nga themeluesit e ndërmarrjes CACTTUS.
Pos kësaj mungojnë edhe idetë kreative në Kosovë.
“Në Prishtinë janë 4 spitale të zemrës që mund t’i shërbejnë tërë rajonit“, tha Hapçiu. Për këtë ndërlidhja me disporën është e paprekshme ku mund të krijohen biznese që nuk janë në Kosovë.
Duhet të forcohet lidhja e biznesit me diasporën, sidomos në ato sektorë që i zhvillojnë pjesëtarët e diasporës shqiptare në vendet ku kanë migruar.
“Remitencat kanë krijuar amulli në vend, duhet të ktheheni me tru, jo fizikisht, por duke investuar në sektorë potencialë që ka Kosova“, tha mes tjerash Hapçiu në këtë seminar të EYE-VENTURE’13. Ai ka përmendur shumë modele të diasporave të suksesshme që kanë zhvilluar vendin me bizneset e tyre.
Më pas të pranishimit kanë bërë pyetje për mysafirët nga Prishtina të natyrës sesi garantohet ideja e biznesit të tyre që të mos kopjohet, sa do të jetë shuma financiare me të cilën do të mbështeten bizneset dhe sesi do të jenë bizneset e tyre rezistente nga korrupsioni dhe kriminaliteti ekonomik në Kosovë. (albinfo)