Hidromorava

Ibrahim Gashi, i preferuari i politikës për rektor

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Ende pa filluar zgjedhjet për struktura menaxhuese në Universitetin e Prishtinës (UP), emrat rreth rektorëve të mundshëm kanë filluar të publikohen.

Zgjedhja e rektorit të UP-së është finalja e zgjedhjeve menaxhuese në UP, por që fatkeqësisht vazhdon të jetë zgjedhja e parë në prapaskenë, e që iu paraprin gjithë të tjerave.

Një nga emrat e mundshëm për rektor që llogaritet favoriti kryesor i këtij posti është profesori në departamentin e Historisë dhe atë të Shkencave Politike në Fakultetin Filozofik, Ibrahim Gashi, aktualisht zëvendësministër i jashtëm nga Aleanca Kosova e Re (AKR), shkruan “Zëri”.Rreth Gashit ka rënë dakord Qeveria e Kosovës, më saktësisht ndarja e posteve ndërmjet koalicionit qeverisës PDK-AKR ka përfshirë dhe institucionin më të lartë arsimor në vend, Universitetin publik të Prishtinës (UP).

“Marrëveshja ndërmjet PDK-së dhe AKR-së është arritur që Gashi të shkojë në postin e rektorit dhe Buja të vazhdojë të rrijë në atë të ministrit të arsimit, pasi që më parë në vend të Bujës kishte qenë marrëveshja që të shkonte Gashi”, thekson për “Zërin” ky burim qeveritar.

Marrëveshja politike për zgjedhje të rektorit, sipas analistëve, vetëm sa po vazhdon traditën e krijuar për zgjedhje të rektorit, dhe pa u zhdukur kjo praktikë, rektor për studentët nuk mund të ketë.

E, ndërkohë zgjedhjet për struktura të UP-së kanë filluar zyrtarisht të martën, kurse rezultate do të japin më 14 qershor (të enjten) me konstituimin e këshillave të fakulteteve. Kjo datë është konfirmuar si zyrtare nga Rektorati. Por, para se të mbahen zgjedhjet për këshilla, dekan, senat…zgjedhja e fundit ka dalë e para.

Rektori para të gjithëve, sërish do të karakterizojë zgjedhjet në UP. Analisti dhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen, të Drejtat dhe Liritë e Njeriut (KMDLNJ), Behgjet Shala, zgjedhjen e rektorit me ndikim politik nuk e quan të pazakontë në Kosovë, por të pranishme si shkelje e të drejtës për të qenë i barabartë në konkurrencë.

Sipas tij, kjo është shndërruar në traditë, duke iu ndihmuar kandidatëve lidhjet që kanë me ndërkombëtarët dhe ato me pushtetin-politikën. Një rektor për studentët, ai thotë se duhet të bëhet mbi bazën e kritereve dhe vlerave konkurruese.
Shala tha se rektori i UP-së bëhet kukull, prandaj si i tillë “iu ndihmon sidomos politikanëve në fitimin e titujve”. Kjo mënyrë e përzgjedhjes së rektorit, sipas tij, i dekurajon të tjerët të konkurrojnë.

UBT

Një nga profesorët e UP-së që në zgjedhjet e kaluara ishte shumë afër postit të rektorit, prorektori i tanishëm i UP-së, Bajram Berisha, ka deklaruar se nuk ka në plan të paraqesë kandidaturën për rektor, përderisa shumë të tjerë të kontaktuar nga gazeta që ishin kandidatë dhe vite më parë, nuk kanë hequr dorë.

“Në qoftë se nga ndërkombëtarët premtohet se do të jetë një proces i rregullt do t’i hyja kësaj gare, përndryshe politika vendos”, ka thënë për gazetën një nga pretendentët për kandidat që vjen nga njësia akademike e FSHMN-së dhe pret sinjal nga ndërkombëtarët për të konkurruar, në të kundërtën thotë se heq dorë.

E prorektori Berisha, pasi bëri një mandat në UP si prorektor, ka ndërmend t’i kthehet jetës akademike dhe shkencore në Universitetin e Mynihut dhe të Tiranës, ku është profesor. “Është një situatë e komplikuar. Nuk besoj se kandidohem…”.

Ndërkaq, nga Rektorati është bërë me dije se zgjedhjet për menaxhmente në UP do të nisin më 14 qershor. Këtë e ka konfirmuar për gazetën ditë më parë dhe anëtari i Këshillit Drejtues në UP, Milazim Krasniqi. Ai ka thënë se zgjedhjet në UP për menaxhmente do të fillojnë zyrtarisht më 14 qershor.

Sekretari i përgjithshëm i UP-së, Vaxhid Sadriu, ka informuar të martën se ky proces ka hyrë në fazën e parë me kandidimin e profesorëve për këshilla të fakulteteve. Sadriu ka thënë për “Zërin” se të mërkurën do të hartohet lista e kandidatëve, kurse të enjten do të mbahen zgjedhjet.

Ibrahim Gashi, i përfoluri në marrëveshjen për rektor, ka mohuar për “Zërin” se ka një marrëveshje të tillë. Megjithatë, ai nuk e ka mohuar se do të kandidojë për rektor të UP-së.

“Jam zëvendësministër. Për momentin nuk kam menduar të kandidoj. Është herët të flasim për këtë. Ende nuk është shpallur konkursi”, ka thënë Gashi, por duke theksuar se nuk ekziston diçka si marrëveshje që “të shkojë rektor, e Buja të mbetet ministër”. /Telegrafi/