RCCOLA

I presin hisedarët

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Në konkursin e parë për kreditorë të Trepçës konkurroi vetëm një kompani e huaj. Banka nga Beogradi “Beobank” paraqiti në AKP pretendimet për hise në Trepçë, ndërkaq një kompani franceze u tërhoq. Nga vendorët konkurroi Qeveria, Komisioni për Miniera dhe punëtorët. AKP po kërkon shtyrje të afatit për aplikim.

Beobank nga Beogradi është kompania e vetme e huaj që ka marrë pjesë në konkursin e parë për kreditorë të Trepçës. Hisedarët tjerë të kësaj ndërmarrjeje nuk konkurruan fare.

Prej vendorëve pretendimet i ka dokumentuar Qeveria e Kosovës, Komisioni për Miniera dhe Minerale dhe sindikatat e punëtorëve.

Ndërkaq, mungesa e pretendentëve të huaj ka bërë që Agjencia Kosovare e Privatizimit t’i drejtohet Dhomës e Veçantë të Gjykatës Supreme për shtyrje të afatit të konkursit edhe për një vit.

Zëvendësdrejtoresha në AKP, Mrika Tahiri ka thënë për “Express” se prej pretendentëve të mëdhenj që Agjencia ka pritur se do të konkurrojnë, vetëm njëra ka shfaqur pretendimet.

“Asnjëra nga kompanitë e kohës se Milloshevicit, e që me herët kanë shfaqur pretendimet për Trepçën, nuk kanë konkurruar. E vetmja është banka nga Beogradi Beobank dhe një kompani franceze u tërhoq pasi konkurroi”, ka thënë Tahiri.

Sipas saj, prej vendorëve kanë pasur numër të madh të kërkesave nga punëtorët. Ndërkaq, aplikacionet i ka mbushur edhe Qeveria e Kosovës, që konsiderohet pretendenti kryesor në Trepçë dhe Komisioni për Miniera dhe Minerale.

Megjithëse Tahiri nuk ka dhënë një shifër se sa do të jetë hiseja e Qeverisë në Trepçë. Sipas një hulumtimi të Odës Ekonomike, vetëm në dekadën e fundit Qeveria e Kosovës ka investuar rreth 100 milionë euro në ndërmarrjen Trepça.

Uji Dea

Zëvendësdrejtoresha e AKP-së gjithashtu ka thënë se mungesa e pretendenteve të huaj ka shtyrë Agjencinë të kërkojë afat shtesë. Kërkesa i ka shkuar Dhomës së Veçantë në Gjykatën Supreme dhe pritet vendimi i gjykatës.

Ajo ka shfaqur shqetësimin për mungesën e bordit të Agjencisë në këto kohë kur pritet të vendoset për fatin e ndërmarrjes Trepça. Po ashtu Agjencisë i mungon edhe drejtori gjeneral.

“Shpresojmë që kjo çështje të zgjidhet sa me shpejt”, ka thënë Tahiri.

Pas konkursit, kur do të dihen pretendentet, do të themelohet edhe Komisioni i Kreditorëve. Përfaqësimi në Komision do të jetë varësisht prej hises që do ta ketë kreditori në Trepçë.

Por, shpallja e konkursit për kreditorët e Trepçës nga Agjencia Kosovare e Privatizimit po shihet si e rrezikshme nga drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje.

Këshilltari në Trepçë, Shyqyri Kelmendi, pati tërhequr vërejtjen se mbi 90 për qind e kreditorëve që do të lypin hise në Trepçë janë kompani serbe. Të njëjtat, në bazë të Ligjit për AKP-në, do të përfaqësohen në Komisionin e Kreditorëve, i cili edhe do ta ketë fjalën e fundit për fatin e kësaj ndërmarrjeje.

“Dëmi më i madh që i bëhet Kosovës është futja e Trepçës nën ingerencën e AKP-së, sepse e ka vendosur problemin nga njerëz që e njohin ndërmarrjen tek ata që s’e njohin atë. Mbi 90 për qind e kërkesave do të jenë kompani nga Serbia dhe Bordi i Kreditorëve do të përbëhet nga këto kompani. Ky bord do të vendosë edhe për fatin e ndërmarrjes”, pati thënë Kelmendi.

Të shqetësuar me këtë proces kanë dalë edhe drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës. Ata kanë ftuar Qeverinë që të jetë kreditori kryesor i ndërmarrjes, pasi ka investuar rreth 100 milionë euro vetëm në dekadën e fundit.(express)