I presin boshnjakët
I shumëkërkuari Naser Kelmendi vazhdon të jetë në Pejë, i patrazuar nga askush. Shteti i Bosnjës ende nuk ka arritur të lëshojë flet-arrest ndërkombëtar për të. Por, edhe nëse lëshohet flet-arresti, burime të Gazetës Express thonë se për t’u arrestuar i shumëkërkuari nevojitet një marrëveshje mes Ministrisë kosovare të Drejtësisë dhe asaj boshnjake.
Edhe pas pesë ditësh, situata mbetet e njëjtë.
Naser Kelmendi vazhdon të qëndrojë në Pejë, në shtëpinë e tij.
Të martën, Gazeta Express ka arritur t’i fotografojë pronat e Kelmendit dhe vëllezërve të tij, që ndodhen në lagjen periferike të Pejës, Fidanishte. Aty dyshohet se Kelmendi po i kalon ditët e tij prej se është larguar nga shteti i Bosnjës, i cili sipas burimeve të policisë së atjeshme, pritet që shumë shpejt të lëshojë një fletarrestim ndërkombëtar për të.
Deri atëherë, gjithçka do të mbetet siç është. Derisa ky shtet nuk e lëshon fletarrestimin, Kelmendi do të endet i lirë nëpër qytetin e tij. E, në momentin kur të ndodhë kjo, fatin e tij e ka në duar Ministria kosovare e Drejtësisë.
Është kjo Ministri, e cila pastaj do të vendosë se çfarë do të bëhet me Kelmendin, varësisht se çfarë marrëveshjeje arrin ajo me shtetin, i cili po e kërkon këtë njeri tash e sa kohë. Por deri tash, Kosova nuk ka asnjë marrëveshje me Bosnjën për ekstradimin e shtetasve kosovarë atje. Kjo pasi Bosnja deri tash nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Është kjo arsyeja pse Policia e Kosovës, edhe pse është e informuar se Kelmendi ndodhet në Pejë, nuk ka ndërmarrë ndonjë aksion për arrestimin e tij. Sipas zyrtarëve të saj, arrestimi nuk mund të ndodhë pasi për Naserin nuk është lëshuar akoma ndonjë fletarrestim.
“Por edhe nëse lëshohet një fletarrestim i tillë, duhet kaluar disa procedura. Kjo çështje i takon Ministrisë së Drejtësisë. Policia merr vetëm urdhrat për arrestimin e tij”, thonë ata për Express.