I përfundon mandati Meucit – suksesshëm prishi hetimet për korrupsion në EULEX

Gabriele Meuci erdhi në Kosovë me mision për të mbyllur EULEX’in. Ndërsa, e kreu një mision tjetër. Pothuajse i shkatërroi faktet për korrupsionin në EULEX. Këtë e bëri edhe me ndihmën e vendorëve.
Njeriu që kishte ardhur në Kosovë “për ta mbyllur EULEX-in”, largohet të martën nga detyra e tij. Gabriele Meuccit i përfundon mandati në krye të misionit. Meucci kishte thënë se EULEX-i ka qenë eksperimental dhe se ai ishte emëruar për ta mbyllur misionin. Megjithatë, misionit po u vazhdohet mandati edhe për dy vjet tjera, e Meucci po largohet “pa e përmbyllur misionin e mbylljes së EULEX-it”.
Misioni i EULEX-it, të martën mbetet pa shef. Gabriele Meuccit i mbaron mandati më 14 qershor. Misioni do të vazhdojë të drejtohet një kohë nga një ushtrues detyre.
Meucci ka qëndruar në kryer të misionit rreth një vit e gjysmë. Ai kishte ardhur pikërisht në kohën kur kishte shpërthyer skandali i dyshimeve për korrupsion në këtë mision.
Meucci atë kohë kishte menduar që ta braktiste misionin për shkak të përmasave të skandalit. Megjithatë, kishte vendosur të qëndronte.
Mandati i tij lidhej me mandatin e EULEX-it. Mandati i ri i misionit pritet të zgjatë deri në qershor 2018.
EULEX-i në Kosovë ka ardhur në vitin 2008 me mandat ekzekutiv për të luftuar krimin dhe korrupsionin në nivel të lartë. Mandati ishte ndryshuar në vitin 2014.
Më 12 qershor 2014, mandati i EULEX-it në Kosovë ishte vazhduar nëpërmjet Vendimit të Këshillit të BE-së deri më 14 qershor të vitit 2016. Pas periudhës kalimtare prej tre muajsh dhe pas dekretimit të mandatit të ri të EULEX-it në Kosovë më 2014, ishte emëruar kreu i ri i Misionit, Gabriele Meucci prej datës 15 tetor deri më 14 qershor të vitit 2015.
Meucci kishte thënë se në Kosovë kishte ardhur për ta mbyllur misionin. Madje misionin e kishte quajtur eksperimental, shkruan insajderi.