I digjet vetura Ismet Beqirit, me koktej molotovi

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm i është vënë flaka veturës së Ismet Beqirit, shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, raporton Indeksonline.Lajmin për Indeksonline e ka konfirmuar vetë shefi i GP-së të LDK-së, Ismet Beqiri.
“Po sot rreth orës 04:30 të mëngjesit më është djegur vetura e cila është përdorur për nevojat e Grupit Parlamentar të LDK-së. Jam njoftuar nga fqinjët se është duke mu djegur vetura dhe kur kam dalë jashtë e kam parë duke u djegur”, ka thënë Beqiri duke theksuar se menjëherë kanë ardhur policia dhe zjarrfikësit.
Ai këtë akt e ka cilësuar si akt kriminal dhe ka kërkuar nga organet e hetuesisë që ta zbardhin sa më parë rastin.
“Ky është një akt kriminal i cili po krijon shqetësim edhe tek qytetarët por edhe te zyrtarët. Unë nuk kam asnjë telashe personale me askënd”, ka thënë Beqiri për Indeksonline.
Ai më pas ka shtuar se sipas organeve të hetuesisë po dyshohet se vetura i është djegur me koktej molotovi.
Beqiri ka theksuar se këto banda kriminale duhet ndaluar sa më parë pasi që kështu po rrezikohet siguria e qytetarëve.
Veturat deri tash i janë djegur, familjes së ministrit Memli Krasniqi, zëvendësministrit, Bajram Gecaj dhe është tentuar ti digjet, shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci./Indeksonline/