Hyseni: Në Betejën e Zhegocit humbëm më të mirët, por e fituam lirinë

Gjilan – Është mbajtur të premten Akademi përkujtimore kushtuar 23-vjetorit të Betejes së Zhegocit, ngjarje kjo e organizuar nën përkujdesjen e kryetarit të të Komunës, Alban Hyseni dhe shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së. Gjatë adresimit para të pranishmëve, Hyseni tha se sa herë që nderojmë të rënët, ne nderojmë historinë e me këtë kujtojmë aspiratat tona ndër breza.

“Sa hërë që nderojmë të rënët, ne nderojmë historinë e me këtë kujtojmë aspiratat tona ndër breza. Beteja e Zhegocit na kthen në Anamoravën e prillit të vitit 1999, në kohën kur lufta e armatosur e UÇK-së ishte në kulmin e saj dhe shtrirja e mobilizimi ishte në gjithë vendin. Kosova ato ditë ishte në flakë. Të mangët në armatim e logjistikë, por të vendosur ishin ushtarët tanë në betejën me armikun”, ka thënë Hyseni.

“Në Betejën e Zhegocit ranë shumë luftëtarë e civilë të pafajshëm. Humbëm më të mirët, por e fituam lirinë”, ka shtuar kreu i Gjilanit.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së ka folur nënkryetari i Shoqatës së familjeve të dëshmorëve, Muhamet Bilalli, i cili tha se dëshmorët që po përkujtohen sot iu bashkëngjitën pushkës së komandantit legjendar, Adem Jashari.

Zëvendësministri i Mbrojtjes dhe ish-zëvendëskomandanti i Zonës Operative të Karadakut, Shemsi Syla, tha se krismat në Betejën e Zhegocit treguan se gjithë Kosova është e përfshirë në luftë.

Ndërkaq, ish-komandanti i Zonës Operative të Karadakut, Ahmet Isufi, ka thënë se sot po përkujtohet një betejë e cila e përmbushi obligimin që e kishte ndaj atdheut si ushtri e përbërë nga bijtë e bijat më të mirë të Kosovës për t’i dhënë fund robërisë.

Në fund të kësaj Akademie është shfaqur një dokumentar kushtuar dëshmorit Nijazi Osmani./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS