Hyseni mban debat me komunitetin artistik për riorganizimin e manifestimit “Flaka e Janarit 2023”

Gjilan – Me iniciativë të kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, është mbajtur të hënën debati publik me komunitetin artistik për riorganizimin e manifestimit mbarëkombëtar kulturor “Flaka e Janarit 2023”.

Qëllimi i këtij debati ka qenë për të diskutuar lidhur me mënyrën, konceptin e organizimit e zgjidhjen e problemeve me të cilat janë ballafaquar në të kaluarën.

Hyseni ka thënë me këtë rast se angazhimi i përbashkët në rritjen e vlerës së këtij manifestimi kulturor mbarëkombëtar është i një rëndësie të veçantë.

“Ideja është që organizimet që na presin në të ardhmen edhe të shkojnë mirë e edhe të mos kemi probleme, por edhe t’i japim vlerë shtesë manifestimit, i cili ka vite po aq sa unë. Për mua si kryetar i Komunës me moshë të re, është vlerë e veçantë që e kam mundësinë që të vazhdojë organizimin e një manifestimi të tillë, pjesë e të cilit jeni shumë prej jush që nga fillimi”, thënë kreu i Gjilanit.

Ai ka paralajmëruar edhe një debat publik të radhës që do të jetë i përgjithshëm, sikurse edhe debate për secilën shtyllë.

“Përveç diskutimit të përgjithshëm për formën dhe konceptin e organizimit, ne kemi menduar që të organizojmë edhe dëgjime të tjera publike për secilën shtyllë, veç e veç, ku e kemi mundësinë që t’i diskutojmë problemet e sfidat dhe mundësitë se si ta avancojmë edhe më tutje “Flakën e Janarit”, duke e ditur se është aktiviteti i vetëm kulturor që ka përmasa përtej komunës e vendit tonë”, ka shtuar Hyseni.

Drejtori i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kushtrim Zeqiri, ka thënë se DKRS ka propozuar riorganizimin e “Flakës së Janarit” përmes një koncept-dokumenti, i cili do të plotësohet nëpërmjet diskutimit me komunitetin artistik të të gjitha shtyllave të këtij manifestimi.

Në fund, kryetari Hyseni dhe drejtori Zeqiri kanë falënderuar komunitetin artistik për pjesëmarrjen dhe kontributet në këtë debat, duke konfirmuar se të gjitha idetë e propozimet e tyre do të merren parasysh, në mënyrë që organizimi i manifestimit “Flaka e Janarit 2023” të bëhet në nivel sa më të lartë, në të gjitha shtyllat. /rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS