Hyseni: Lapidari i dëshmorëve të UÇPMB-së po përdoret për marketing politik !

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Nehat Hyseni: Krahas luftës së ashpër për pushtet në kreun e politikës serbe në Beograd midis partnerëve aktual të koalicionit qeverisës , ose “pozitës” serbe, është “shpikur” preteksti i rrënimit të lapidarit të dëshmorëve të UÇPMB-së, për orientimin e shigjetave të premierit Daçiq dhe presidentit Nikoliq kundër shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Sa duket, edhe kësaj here ata donë ta vërtetojnë tezën e vjetër ultrashoveniste serbe se “vetëm urrejtja ndaj shqiptarëve mund t’i bashkoj serbët”. Por, kësaj radhe ky “bashkim” i tyre më tepër i ngjanë garës primitive midis tyre për pushtet. Dhe nëse punët i shkojnë si duhet, duke ia marrë nga dora pasuesit të Millosheviqit, dmth. premierit Daçiq “flamurin” antishqiptar, Presidenti aktual serb, dikur pasues i Vojisllav Sheshelit, i cili aktualisht është duke u gjykuar në Hagë për “krime kundër njerëzimit” deklaron se: “mbështet qeverinë për rrënimin e lapidarit…”, me çka e dëshmon se ai nuk është president i të gjithë qytetarëve të shtetit që përfaqëson, ashtu si e obligon Kushtetuta aktuale e shtetit të vet.

Sigurisht se këta politikanë kryesorë të Serbisë bëjnë gara në antishqiptarizëm, të bindur se në këtë mënyrë do ta përmirësojnë pozitën para elektoratit serb. Sepse, sa duket, ata janë të bindur se “patriotizmi” serb matet me shkallën e urrejtjes antishqiptare. Kjo do të thotë se sa më tepër të urresh shqiptarët, aq më tepër do të jesh “serb i madh”. Pra, patriotizmin serb ata mundohen ta realizojnë me mobilizimin e tërë Serbisë kundër shqiptarëve të mjerë, të cilët çdo ditë diskriminohen dhe persekutohen në mënyrë jocivilizuese dhe jonjerëzore.

Mobi Casa

Derisa Nikoliqit nuk i mjaftoi luftimi dhe kufizimi i pushtetit të Daçiqit me anë të të ashtuquajturës Platformë mbi Kosovën, ai tani ngutet të tregoj “vullnetin” e tij dhe gatishmërinë që “t’i turret” shqiptarëve të Luginës, në mënyrë që “t’ia kaloj” Daçiqit, i cili mori “bajrakun” e rrënimit të lapidarit “ja me hatër ja me dhunë”.
Serbia tani ka garniturën politike në krye të saj të ngjashme me atë të viteve të 90-ta të shekullit XX., të cilët nxitën katrahurën e luftës shfarosëse në territorin e ish Jugosllavisë dhe në Kosovë, duke shkaktuar me mijëra viktima dhe të zhvendosur. Të njëjtin “avaz” ata donë ta përsërisin tani edhe ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me pretekstin e rrënimit të lapidarit të dëshmorëve shqiptarë të rënë për lirinë e këtyre trojeve të tyre stërgjyshore.

Me këtë, këta zotërinj para botës së qytetëruar e dëshmojnë se edhe shqiptarët e vdekur atyre u pengojnë. Tani ata i heqin maskat dhe dilemat edhe tek mbështetësit më të mëdhenj perëndimor për “orientimin e tyre proeuropian”, duke ua bërë të qartë botës demokratike se në Serbi gjithçka mund të kërkosh por vetëm qasje civilizuese ndaj shqiptarëve dhe demokraci e prosperitet për ata nuk mund të gjesh. Dhe këtë ata nuk e fshehin fare. Bile, ata këtë “solemnisht” e deklarojnë!