ARKATANA

Hyseni: Ka rrezik që Kurti është pajtuar të zbatojë një variant shumë më të keq të Asociacionit

/ 5 minuta lexim
Hidromorava

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq u dakorduan të hënën me propozimin e Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve, por nuk pati nënshkrim dokumenti. Arsyeja e mos nënshkrimit ishte sepse palët kishin mospajtime për zbatimin e tij.

Pas përfundimit të takimit në Bruksel, BE publikoi për herë të parë tekstin e plotë të propozimit të tij për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Ky propozim ka 11 nene, që synim kryesor ka të arrihet marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë.

“Palët kanë qenë të detyruara nga bashkësia ndërkombëtare që të pajtohen me këtë plan”.

Kështu e ka vlerësuar arritjen e ujdis për marrëveshjen Kosovë-Serbi, ish-kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, Skender Hyseni.

Hyseni tha se krejt kjo ndodhi si një ndëshkim ndërkombëtar ndaj politikave të Kurtit dhe Osmanit.

“Plani evropian i dakorduar midis Kurtit dhe Vuçiqit ka ngritur shumë shqetësime e paqartësi, si edhe shumë pyetje të cilat kërkojnë sqarime. Palët kanë qenë të detyruara nga bashkësia ndërkombëtare që të pajtohen me këtë plan. Pra ka qenë një lloj ultimatumi. Madje në rastin e Kosovës duket që lë shijen edhe të një lloj ndëshkimi ndërkombëtar të politikave të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit. Ky binomi Kurti-Osmani, me qasjen e tyre egocentrike e aventureske në dialog me Serbinë e ka dëmtuar dhe minuar keq pozicionin e Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare, sidomos me administratën amerikane, ndërsa ka forcuar pozicionin e Serbisë, duke e forcuar atë në relacionet ndërkombëtare si kurrë më parë”, u shpreh Hyseni.

Sipas Hysenit, politikat e kryeministrit dhe presidentes kanë detyruar ndërkombëtarët të imponojnë zgjidhje të ndërmjetme. Ai thotë se problemet mes dy shteteve reflektojnë edhe përtej kufijve.

“Leximi dhe interpretimi thellësisht i gabuar, nga ana e Kurtit dhe Osmanit, i zhvillimeve dhe kontekstit ndërkombëtar të krijuar me agresionin rus në Ukrainë dhe i zhvillimeve tjera gjeostrategjike në botë, e shto këtu edhe politikat kryeneçë në veri të vendit tonë, e në anën tjetër politika destruktive dhe luftënxitëse e Serbisë, kanë detyruar bashkësinë ndërkombëtare të imponojë një zgjidhje të ndërmjetme, e cila nuk ka alternativë. Problemi dhe potenciali shpërthyes Kosovë- Serbi reflekton larg përtej kufijve të këtyre dy vendeve. Pra, në thelb, plani evropian ishte ndëshkim ndërkombëtar i politikave destabilizuese dhe presion ultimativ në kontekst të arkitekturës evropiane të sigurisë, përballë luftës në Ukrainë”, theksoi Hyseni.

Eco Higjiena

Ish-kryenegociatori i Kosovës në dialog me Serbinë, Skender Hyseni ka folur për Front Online edhe për Asociacionin.

Hyseni tha se rreziku është që Kurti është pajtuar të zbatojë një variant të keq të Asociacionit.

“Nëse asociacioni zbatohet në pajtim me nënshkrimet e 2013 dhe 2015, si dhe në pajtim me sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk mund të shihet si problem, por ka rrezik që Kurti është pajtuar të zbatojë një variant shumë më të keq të Asociacionit”, tha ai.

I pyetur se në rast se formohet Asociacioni, a ka rrezik dhe “ushtrimi i kontrollit’ në disa pasuri të Kosovës, Hyseni tha se pasuritë e vendit nuk mund të kontrollohen. “Pasuritë e Kosovës janë të Kosovës dhe ato nuk mund të vihen nën kontroll të komunave apo lidhjes së komunave”, deklaroi Hyseni.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme tha se plani franko-gjerman nuk duhej të refuzohej. Hyseni deklaroi se synim i këtij plani është parandalimi i ndonjë konflikti në Ballkan.

“Nuk do lëshohem në cilësinë e planit i cili synim kryesor ka parandalimin e përshkallëzimit të situatës apo ndonjë konflikti në Ballkan. Si i tillë ky plan nuk kishte si të refuzohej dhe nuk duhej të refuzohej. Gjithsesi ka disa pika në plan që mund të jenë problematike, por për fat të keq tani plani nuk besoj të mund të modifikohet, thotë Hyseni. Hyseni: Mosnjohja nga Serbia është ndëshkim ndërkombëtar ndaj politikave katastrofale të binomit Kurti-Osmani

Skender Hyseni ka dhënë edhe një arsye që sipas tij, ndërkombëtarët janë tërhequr për njohje të ndërsjellë.

“Arsyet pse bashkësia ndërkombëtare është tërhequr nga qëndrimi për njohje të ndërsjellë, në këtë fazë, duhet t’i kërkoni te politikat katastrofale të binomit Kurti-Osmani. Pra, mos përfshirja e njohjes në planin evropian në këtë fazë duhet të lexohet si ndëshkim ndërkombëtar i politikave shtetërore të Kosovës”, përfundoi Hyseni.