RCCOLA

Hyseni: 99 % të zjarreve janë të qëllimshme

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Mustafë Hyseni zyrtarë i lartë nga Ministria e Ambientit tha se zjarret dikush po i shkakton ose më saktë ato janë të qëllimshme. Zhdukja e pyjeve sjell pasoja tepër të rënda për prishjen e ekuilibrit ekologjik ka thënë ai.

Zyrtarët e Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit hapësinor, kryetarët e komunave të rajonit të lindjes dhe përfaqësues të policisë e të zjarrfikësve e kanë quajtur këtë vit si të jashtëzakonshëm për shkak të djegieve masive të pyjeve. Këto komente ata i kanë bërë në një debat të organizuar nga OSBE-ja në Gjilan.

Ulrich Bifar drejtor në OSBE (organizator) tha se zjarret vërtet janë një histori e dhimbshme dhe fakti që sot jemi bashkë tregon interesimin tonë që ta vetëdijesojmë popullatën vendëse për rreziqet që sjellin ato.

Mustafë Hyseni zyrtarë i lartë në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor (MAPH) , tha se shoqëria kosovare duhet të kuptojë se nuk bëhet më fjalë për akte të vogla të cilat ne i kemi toleruar deri tani, por bëhet fjalë për akte madhore. “Thjeshtë kemi të bëjmë me djegie të qëllimshme të pasurisë dhe minim të qëllimshëm të zhvillimit shoqëror”.

Hyseni tha se 99 % të zjarreve janë të qëllimshme. “Këto zjarre dikush po i shkakton dhe ne duhet të jemi të mobilizuar në nivel lokal dhe kombëtarë”. Sipas tij zhdukja e pyjeve sjell pasoja tepër të rënda për prishjen e ekuilibrit ekologji. “Zjarret që kanë përfshirë regjionin e Gjilanit po dëmtojnë ekonominë pyjore, jo vetëm si një pasuri e madhe shoqërore, por edhe turistike” tha Hyseni.

Mobi Casa

“Fatkeqësisht Kosova çdo verë po shkrumbohet e ne kemi filluar të adaptohemi me këtë dukuri. Kjo pamje e dhimbshme e shkatërrimit të pasurisë pyjore dhe me pasoja edhe për shëndetin e njeriut duhet të na bënte më fleksibil dhe më reagues ndaj situatave të tilla të cilat do të në shoqërojnë përgjithmonë” tha Hyseni.

Abdyl Bajrami nënkryetar i Komunës së Vitisë tha se edhe në këtë qytet ka pasur zjarre, por ato kanë qenë të lokalizuara. Bajrami tha se në të ardhmen duhet të sensibilizohet popullata për rreziqet nga zjarret, dhe duhet të ketë një bashkëpunim më të mirë mes zjarrfikësve dhe organeve tjera të sigurisë. Bajrami tha se komunat duhet të organizojnë edhe njësi vullnetare për shuarjen e zjarreve.

Bajrush Ymeri kryetar i Artanës tha se zjarret kanë qenë tepër shqetësuese dhe për këtë komunë që ka mbi 204 km, me vetëm 9 zjarrfikës. Ymeri tha se në komunën e tij s`ka pasur zjarre të theksuara , por ka kërkuar mobilizim institucional për të ardhmen.

Shaip Ismajli nga njësia e zjarrfikësve të Gjilanit tha se këtë vit më tepër ka pasur zjarre malore sesa zjarre fushore. Edhe Riza Bunjaku nga Kamenica tha se 90 % e zjarreve janë fushore dhe se ato po vijnë kryesisht nga territori i Serbisë. Bunjaku tha se në të ardhmen duhet patjetër një koordinim me njësitë kufitare Kosovë-Serbi.

Në fund të gjithë referuesit janë pajtuar që në malet e Kosovës mungojnë shenjat e informimit, mungojnë shenjta e ndalimit dhe sanksionimit të veprimeve kundërligjore ndaj mjedisit etj./rajonipress/