Fundamenti

Hyp se t’ vrava, zhdryp se t’ vrava

/ 10 minuta lexim
Uji Dea

Nga Petrit Selimi-Fitohet përshtypja se ndjenja të pakontrolluara të animositeteve personale kanë krijuar një cikël vicioz tek disa nga participantët në diskutimet publike dhe mediale. Shoqëria civike (e jo kjo “civilja”) ka nevojë për ura dhe ide lidhëse në ide dhe implementim të agjendës europiane në mes partive, institucioneve, OJQ’ve, bizneseve.

“Pasi që të dëshmoni si funksionon [sistemi] e kuptoni edhe një fenomen që përndryshe s’ka kurrfarë kuptimi: vështirësia me të cilën njerëzit këtu thonë fjalë të mira për njëri-tjetrin. Individët janë të këndshëm: qesharak, të mençur dhe socialë. Pas mbi njëzet intervistave i thosha vetvetes “çfarë njerëz të mirë!” Por këtë ata nuk e mendojnë për njeri tjetrin: gjëja më e vështirë në këtë shtet është që njëri t’ia jep tjetrit një kompliment. Asnjë sukses i asnjë llojit nuk shikohet pa dyshime. Çdo kush dyshon çdo kënd për hajni, korrupsion, gënjeshtra. Mungesa totale e besës në njëri-tjetrin është vetëpërmbushëse. Epidemia e gënjeshtrave dhe mashtrimeve ka bërë çfarëdo jete civile të pamundshme. Kolapsi i jetës civike veç sa inkurajon më shumë gënjeshtra, mashtrime dhe hajni.”

Citati është nga një prej analizave më të njohura (dhe goditëse) për problemet e borxheve të Greqisë të shkruara në muzgun e krizës financiare greke nga Michael Lewis, një shkrimtar dhe eseist i shkëlqyer i revistës së njohur amerikane Vanity Fair. Me lexim të paragrafit të mësipërm, nuk ka se si të mos e kujtojmë edhe Kosovën e vockël dhe peizazhin tonë fare minimal civik me konfliktet politike, klasore dhe personale që nuk lejojnë dot krijimin e një konsensusi minimal se ku jemi si shoqëri dhe ku dëshirojmë të shkojmë. Gara për pushtet ku kanë mbetur pak, nëse ndonjë, aktor krejtësisht neutral dhe ofrues kompromisesh dhe propozimesh bipartizane, e ka vobegtësuar mundësinë e përmirësimit të shoqërisë nëpërmjet një gare të shëndoshë të ideve politike dhe stileve menaxheriale. Ka krejtësisht pak OJQ të agjendave progresive qytetare që kanë arritur vetëqëndrueshmërinë financiare dhe operative dhe që kanë me dhjetëra, nëse jo me qindra aktivistë, me të vërtetë aktivisht të involvuar për ndonjë kauzë. Kjo ndoshta sepse “kauza” është ajo e “rrëzimit të pushtetit me çdo kusht”, e jo përmirësimi rrënjësor i sistemit.

Nuk është digresion: para pak më shumë se gjysmë viti filloi një garë në të cilën veç sa rriteshin decibelat e një diskursi ofendues dhe skajshmërisht hasmues, shpallën qeverinë Thaçi si tradhtare. Disa prej “redaktorëve” anonimë të portaleve mediale s’kishin as probleme të botojnë komente të shpeshta online ku ftohej haptaz për vrasje të Kryeministrit. Shprehje dhe insinuata mizogjene, ves primitiv i do joburrave kosovarë, me krejt forcën e urrejtjes iu dedikua Zëvendëskryeministres Tahiri (e jo më pak Ministres Çitaku, karriera politikë e së cilës prej ditës së parë është ballafaquar me seksizëm të ndytë dhe injorant). Mos të flasim për nivelin e abuzimeve të papranueshme dhe të paedukatë më të cilat është ballafaquar presidentja Jahjaga. Politika është e ndyrë, në skamje intelektuale dhe materiale bëhet edhe më e ultë, por debati shoqëror rreth asaj se ku jemi dhe ku do të duhej të shkojmë nuk është pasuruar me këso kontributesh të atyre që kujtojnë se rrëzimi i Thaçit është imperativ i vetëm a absolut i kohës.

Ju përkujtoj se kapislla që ndezi këtë valën e fundit opinion-ndezëse ishte reaksioni ndaj fillimit të dialogut dhe marrëveshjeve të para. Teoria e propaguar me furi dhe e përsëritur me vrull ishte që Kosova me një qeveri të pamençur ka hyrë në dialog nën presion nga të huajt për të fituar hiçgjë derisa i ka mundëson Serbisë për të fluturuar drejtë anëtarësisë në BE. Pra, gjithnjë sipas këtyre akuzave, Kosova për shkak të qeverisë së shantazhuar nga të huajt (këta “të huaj” gjithmonë duke qenë një masë amorfe dhe anonime nga teoritë konspiracioniste tipike të ksenofobisë ballkanike) do të mbetet në lloç, ndërsa Serbia do të lëviz përpara në integrimet europiane. Natyrisht, Thaçi u lëshon pe atyre “të huajve” në dialog e Mitrovicë (duke mos shpjeguar ende se kush qenkan dhe për çfarë arsye qenkan duke konspiruar kundër interesave të Kosovës) sepse është “i shantazhuar”.

Të mërkurën e kaluar qetësia e komenteve fliste shumë. Nuk u lëshua zëri kur Komisioni Europian solli njërin ndër dokumentet më të rëndësishme në historinë e shkurtër të procesit formal të integrimeve europiane të Kosovës (ai joformal ka nisur moti, prej kur kosovarët emëronin çajtoret Europa 92 dhe qyteti i Mastrihtit u bë referencë e muhabeteve në familjet tona). Nuk bëzanë kur për herë të parë BE’ja kërkoi “respektim të integritetit territorial të Kosovës”. Nuk kanë ndonjë kompliment apo urimi për Ministren Çitaku për punën masive që ka bërë 12 muajt e fundit për ta çimentuar rrugën e Kosovës drejt Brukselit (e kujtojmë që Nikolici i ofroi Milica Delevicit të opozitës pozitën e Ministres së Punëve të Jashtme për shkak të suksesit të saj si zyrtare e lartë në integrimet europiane, potez ky që as që mund të paramendohet në peizazhin e antagonizuar politik kosovar). Aty-këtu kishte pëshpërima gati humoristike se Raporti i zgjerimit i Komisionit Europian “është veç një dokument”, “është vetëm edhe një raport progresi”.

Qeveria e Kosovës larg prej së qeni perfekte. Larg asaj. I ka disa sfida fondamentale, dy kryesoret prej të cilave janë luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe modeli i qëndrueshëm i zhvillimit ekonomik që krijon vende të punës (plus sine qua non i ekonomisë dhe ardhmërisë sonë dhe fëmijëve tonë: ndërtimi i menjëhershëm i centralit të ri të bazuar në thëngjill). Arsimi ka nevojë për investime në planprograme pas ciklit investiv në ndërtesa shkollore dhe rritje pagash. Shëndetësia është në nivel të papranueshëm, absolutisht të papranueshëm. Politika e jashtme ka nevojë për intensitet permanent në promovim dhe njohje të Kosovës.

Në këtë proces ka nevojë për garë idesh, për debate rreth modeleve se si të arrihet progresi në këto fusha. Ka nevojë që të ofrohen modele kompetitive me ato të qeverisë.

Por propagandistët kujdestarë moti kanë hequr dorë na dhënia e alternativave dhe debati kritik. E konsiderojnë se kjo është humbje kohe deri sa “diktatori” është në pushtet. Synim e kanë rrëzimin e pushtetit pavarësisht alternativave, edhe nëse ato janë esencialisht anti-europiane. Flirtojnë edhe me politikanë të korruptuar dhe koncepte korruptive nëse ato ndihmojnë të rrëzohet kjo qeveri.

Hidhërimi i tyre rritet proporcionalisht me nivelin e zhdukjes së argumenteve të tyre se Kosova nuk ka progres por regres në integrime europiane.

Kështu nëse Universiteti i mirënjohur zviceran që vjet ka dhënë doktoraturën e nderit nobelistit Horta sivjet e nderon me doktoraturë nderi Kryeministrin si kontribues të jashtëzakonshëm paqes në Ballkan – atëherë kjo quhet “blerje e diplomës”.

Nëse gazetari kritik dhe shkrimtari i njohur Tim Judah thotë se (citoj): “në mes të njerëzve që përcjellin Ballkanin profesionalisht, imazhi i Kosovës është përmirësuar dukshëm që nga viti i kaluar. Diplomacia kosovare ka dhënë kontribut në përmirësimin e gjendjes”, kjo injorohet.

RCCOLA

Nëse Ministri Hoxhaj është i vetmi ministër i jashtëm ballkanik që është takuar shumëfish me ministrat e jashtëm të shteteve kyçe europiane, më shpesh se cilido tjetër në këtë rajon – atëherë ai është i pakoordinuar.

Nëse Kryeministri ftohet në numër rekord vizitash zyrtare, ndërsa Presidentja është e vetmja lidere ballkanike që është takuar tri herë me Presidentin Obama për më pak se një vit, atëherë të dytë janë duke “shpenzuar paratë e tatim-paguesve për vizita turistike”.

Nëse Ministri i Brendshëm çdo javë arreston grupe të krimit të organizuar, kjo as që regjistrohet në radarin e propagandistëve.

Nëse Ministritë e kulturës, financave, bujqësisë, tregtisë, FSK-së, gati të tërat rend – bëjnë shumëfishin e aktiviteteve në krahasim me pararendësit e të gjitha qeverive të pasluftës, të gjithë këta janë o parashutistë, o pjesë e një qeverie të korruptuar dhe kriminele.

Nëse rrogat rriten, atëherë akuzohet KM për prishje marrëdhëniesh me FMN’në.

Nëse rrogat nuk rriten, akuzohet për dëgjueshmëri ndaj principeve neoliberale dhe bankave ndërkombëtare.

Nëse privatizon kompanitë atyre kompanive kredibile të interesuar të investojnë në Kosovë, atëherë është duke “shitur Kosovën”.

Nëse nuk privatizon, atëherë “po dështon në krijim të ekonomisë të tregut”.

Hyp se t’vrava, zhdryp se t’vrava.

Kemi hyrë pra në një rreth vicioz ku porosia dhe përmbajtja nuk janë më me rëndësi. Me rëndësi është shkatërrimi total i kundërshtarit dhe mohimi i tjetrit.

Kosova nuk ka borxhe të Greqisë (përkundër orakullizmit injorant të propagandistëve “ekspertë ekonomike” që tash e sa vite na frikojnë se jemi bërë si fqinjët tanë helenë). Por me hesap kemi të përbashkët diçka me grekët, nëse besojmë fjalëve të Lewisit nga fillimi i kësaj kolumne. Jemi në rrugë të shkatërrimit të solidaritetit civik sepse vlerat personale (ndonjë kishte thënë edhe mikroborgjeze) kërcënojnë ta shkatërrojnë totalisht qytetarinë. Ikin nga idetë dhe debati progresiv dhe tash e sa vite e quajnë Kosovën si vrimë të zezë dhe shtet të dështuar, fjali këto absolutisht identike me tezat e Jeremiqit dhe nacionalistëve serbë. Kasnecët e “dështimit”, duke hyrë në koalicionin ndër më joprincipiele (dhe jologjike) të tipit “armiku i armikut tim është miku im” kështu sjellin pak dobi pos që bëhen pjesë e përpjekjeve të shkatërrohen indet përbërëse të integrimeve europiane: dashurinë për njëri-tjetrin, solidaritetin dhe të qenit në një komunitet më të gjerë me një mendje më të hapur.

Autori është Zëvendësministër i Jashtëm i Kosovës. Kolumnet janë personale dhe nuk përfaqësojnë institucionin. Për më shumë, përcilleni në Twitter me nofkën @Petrit