Hykmete Bajrami: S’do të ketë koalicion me PDK’në, Thaçi del në opozitë

LDK ia shkurtoi mandatin Qeverisë Thaçi për 11 muaj. Ne nuk po bëjmë garë se kush po jep premtime më të mëdha. Por, në mandatin katërvjeçar të Qeverisë së LDK’së do të trefishohen investimet në bujqësi. Politikat e LDK’së në këtë sektor do të gjenerojnë investime në shume prej 1.2 miliardë euro, investime këto qe do t’i bëjnë bujqit. Do të krijohet edhe Fondi Zhvillimor nga paratë e privatizimit. Pas zgjedhjeve s’do të ketë kurrfarë koalicioni me PDK’në e cila do të shkojë në opozitë. Deputetja e deritashme e LDK’së, Hykmete Bajrami, flet për Express.
Express: Kanë mbetur edhe më pak se një muaj prej ditës kur qytetarët do të votojnë për zgjedhjet nacionale. Sa është e përgatitur LDK për të shkuar në këto zgjedhje?
H. Bajrami: Lidhja Demokratike e Kosovës është tepër e përgatitur, ne kemi punuar shumë dhe janë mbajtur shumë takime në terren. Ne e kemi bërë të qartë qeverisjen e dëmshme të Qeverisë aktuale që i ka shkaktuar këtij vendi dhe qytetarëve të Kosovës. Prandaj, ne kemi ofruar alternativën tonë qeverisëse, kemi një program konkret që e kemi shpalosë në çdo qytet e fshat, degë e nëndegë dhe kësaj radhe besojmë fort në punën tonë që do të jetë fitorja e qytetarëve të Kosovës. Si rezultat i përgatitjeve tona për këto zgjedhje erdhi edhe deri të shkurtimi i mandatit të qeverisë Thaçi për plot 11 muaj e kjo nuk është pak.
Cili është programi i LDK’së për zhvillimin ekonomik?
H. Bajrami: Në kemi një program me të cilin po konkurrojmë në këto zgjedhje i cili është shumë konkret, i thjeshtë dhe i besueshëm dhe lehtë i implementueshëm. Programi ynë bazohet në katër shtylla e që janë: Zhvillimi ekonomik dhe punësimi, Arsimi dhe shëndetësia cilësore, qeverisja efektive ku përfshihet edhe ndërtimi i shtetit ligjor dhe integrimi në BE dhe integrimet ndërshqiptare. Programi ynë ekonomik promovon politika që mundësojnë zhvillimin e sektorit privat dinamik, i cili do të jetë gjeneratori kryesor i vendeve të punës. Program ekonomik përveç tjerave, do të nxisë rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe zvogëlimin e importit dhe politika të tjera që e bëjnë Kosovën vend të dëshirueshëm për investitorët e jashtëm. Kjo do të arrihet përmes politikave shumë të favorshëm fiskale, ku LDK me të marrë qeverisjen me 8 Qershor do të fillojnë ndryshimet ligjore për implementimin e programit tonë. Do të përgjysmohet tatimi në qarkullim për bizneset e vogla nga 9% në 4.5%, do të bëhet përshkallëzimi i TVSH nga 5% deri në 16% varësisht prej rëndësisë që kanë produktet për jetën e njeriut, brenda mandatit të pare qeverisës do të kaloj mbledhja e TVSH nga kufiri në brendi dhe kjo do i ndihmojë shumë bizneset sepse tani ato parapaguajnë shtetin dhe kjo e vështirëson qarkullimin e tyre afarist, do të krijohen pushime tatimore për biznese vendase e të huaja nga 1 deri n 3 vjet varësisht kapacitetit të tyre investues dhe krijimit të vendeve të reja të punës, do të ulët pragu i TVSH, nga 50 000 në 30 000 kjo u mundëson bizneseve të operojnë me lehtë, do të merren masa që ekonomia informale të formalizohet tërësisht sepse momentalisht shteti humbë 500 milionë euro nga ata që nuk paguajnë taksa dhe këtë e kemi të qartë si do ta bëjmë, do të lirohen nga çfarëdo obligimi doganor importi i pajisjeve dhe teknologjisë informative, do të shikohet norma e tatimit në fitim për korporata të mëdha. Normalisht, përpos politikave fiskale kemi edhe instrumente të tjera me të cilat do të nxitet rritja dhe zhvillimi i bizneseve e këto janë: fondi i veçantë për të bashkë-financuar projektet dhe ndërmarrjet që janë në gjendje të thithin donacione ndërkombëtare. Fondi i veçantë për të financuar kreditë që rrisin prodhimin vendas (pagesa e gjysmës se interesit), ngritja e kapacitetit të inkubatorëve të biznesit, funksionalizimi i zonave industrial dhe menaxhimi me i mirë i tyre përmes partneritetit publik-privat, funksionalizimi i Agjensionit për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme, avancimi i të drejtave industriale dhe avancimi i bazës ligjore për mbrojtjen e investitorëve të huaj.
Express: Partitë politike kanë nisur një garë se kush po premton më shumë. PDK premtoi 500 milionë euro për bujqësi, ndërsa Isa Mustafa premtoi dyfishim. Sa janë reale këto premtime?
H. Bajrami: Kryetari i LDK’së Isa Mustafa dhe Kryeministri i ardhshëm i Republikës së Kosovës nuk ka premtuar dyfishin e asaj që premton Thaçi si kryeministër në ikje sepse ne nuk bëjmë gara premtimesh. LDK ka një program shumë konkret për nxitjen dhe zhvillimin e mëtutjeshëm të bujqësisë: Meqenëse rreth 60% e popullsisë së vendit jeton në zonat rurale, bujqësia ka zënë një vend kyç në programin tonë. Ne parashohim trefishim të buxhetit që sot ka për këtë sektor, mbështetje tjetër është formomi i një fondi i cili do të financojë komplet kamatat për kreditë bujqësore, do të ndërrohet komplet forma e subvencionimit – Qeveria e LDK’së do të ndajë subvencione në bazë të sasisë së prodhimit dhe jo siç është tani ku pronarët e tokave që nuk merren fare me bujqësi gëzojnë subvencionet nga Ministria e Bujqësisë. Kjo nuk do të ndodhë. LDK përpos këtyre do të bëjë investime kapitale në rrjetin e ujitjes, do të investohet në sistemin e ujitjes së Ibër Lepencit dhe Radoniqit. Do të mbështeten investimet për ndërtimin e pikave grumbulluese për produktet bujqësore etj. Politikat tona për zhvillim në bujqësi do të nxisin investime private në këtë sektor dhe ne llogarisim se për mandatin parë katër vjeçar investimet në bujqësi do të arrijnë në 1.2 milairdë euro dhe do të krijohen rreth 120 mijë vende pune. Pra, politikat e LDK’së në bujqësi do të gjenerojnë investime në shume prej 1.2 miliardë euro, investime këto qe do t’i bëjnë bujqit vetë sepse investimet do te jene shumë të lehta dhe shumë të favorshme.
Express: Të gjithë kanë filluar të përmendin Fondin Zhvillimor për Kosovën, para këto të privatizimit dhe Trustit. Si është e mundshme që ato të kthehen në Kosovë?
H. Bajrami: Jo të gjithë, të paktën jo fond të njëjtë. Nëse doni opinionin tim për fondin fantom të Hashim Thaçit prej 1.5 miliardëve po ju them vetëm dy fakte. E para: Partë e Trustit – kursimet e qytetarëve të Kosovës?! – Sa qytetarë të Kosovës do t’i besonin Thaçit dhe qeverisë së tij të mbytur në korrupsion që të menaxhonin me paratë e tyre? Qeveria Thaçi nuk ka kredibilitet për ta bërë këtë. E dyta: paratë e privatizimit – para se ato para të mund të përdorën duhet të përfundoj procesi i privatizimit dhe likuidimit. Me tredin e tanishëm, likudimi do të zgjasë edhe 30 vjet. Kjo sa i përket fondit të Hashimit! Por me qeverisjen e LDK-së Kosova do të këtë fond zhvillimor: Fondi zhvillimor do të përbehet nga paratë e mbetura nga privatizimi dhe likuidimi, mirëpo Qeveria jonë dhe Kuvendi i ardhshëm do t’i japin afat Agjensionit Kosovar të Privatizimit një vit për të përfunduar procesin e privatizimit dhe likuidimit, me pas Agjensioni Kosovar i Privatizimit nuk do të ekzistoj, por do të shkrihet në një departament në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë. Paratë e mbetura nga privatizimi dhe likuidimi do të formojnë fondin zhvillimor. Qeveria e re do të përgatisë një strategji e cila mandej do të aprovohet nga Kuvendi, kjo strategji do të caktoj qartë lartësinë e fondit, mënyrën e shfrytëzimit, rezultatet e pritura dhe mekanizmat për mbikëqyrje gjatë implementimit. Sa ju përket parave të Trustit të pensioneve për ato do të vendosë Qeveria, Kuvendi dhe të gjithë akterët se bashku duke mos rrezikuar asnjë cent të tyre sepse ato para janë private janë para të qytetarëve të Kosovës. Më pas Agjensioni Kosovar i Privatizimit nuk do të ekzistoj, por do të shkrihet në një departament në kuadër të Ministrisë së Ekonomisë. Paratë e mbetura nga privatizimi dhe likuidimi do të formojnë fondin zhvillimor, por për këtë do të këtë një strategji të përgatitur nga Qeveria e cila do të aprovohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ky nuk do të jetë as fondi i Isa Mustafës as i LDK-së por fond i kosovarëve për përdorim nga ana e tyre dhe në të mirë të tyre.
Strategjia e cila do të aprovohet në Kuvend do të caktoj qartë lartësinë e fondit, mënyrën e shfrytëzimit, rezultatet e pritura dhe mekanizmat për mbikqyrje gjatë implementimit. Sa ju përket parave të Trustit të pensioneve për ato do të vendosë Qeveria, Kuvendi dhe të gjithë akterët se bashku duke mos rrezikuar anjë cent të tyre sepse ato para janë private janë para të qytetarëve të Kosovës
Express: A mund ta realizojë premtimin Isa Mustafa se do të emërojë pesë Ministre dhe një Zëvendësministre nëse i fiton zgjedhjet?
H. Bajrami: Unë besoj se ky premtim është lehtë i realizueshëm dhe nuk ka pas asnjë presion që të premtohet diçka e tillë.
Express: Eqrem Kryeziu doli para pak ditësh dhe tha se do të bëjnë koalicion me PDK’në pas zgjedhjeve. Cili është mendimi juaj për këtë ide të Kryeziut?
H. Bajrami: Unë nuk dua ta gjykoj idenë e profesor Kryeziut por unë mund të jap mendimin tim për idenë e koalicionit i cili edhe mund të merret me mend. Asnjëherë koalicion me PDK’në, me të gjithë të tjerët, por jo me ata. PDK’ja duhet të dalë në opozitë dhe me keq-qeverisjen që ka shkaktuar dhe ata do të rrinë gjatë shumë gjatë në opozitë.
Express: A do të ketë në listën e LDK’së njerëz që kanë dosje kriminale?
H. Bajrami: Jo nuk do të këtë, në fakt LDK’ja nuk ka njerëz të tillë edhepse kuzhinat e PDK’së u munduan që këto ditë para zgjedhjeve të gatuajnë disa dosje.
Express: Pse s’arritët të lidhni koalicion parazgjedhor me AKR’në?
H. Bajrami: Ne jemi të bindur që do t’i fitojmë këto zgjedhje dhe nuk jemi shumë të brengosur për koalicione parazgjedhore sepse pas 8 Qershorit partitë tjera do të ngarendin pas LDK’së për të qenë pjesë e Qeverisë dhe projektit tonë të suksesit.
Express: Nëse i fitoni zgjedhjet, sa Ministri do t’i ketë Qeveria e ardhshme?
H. Bajrami: Ne jemi parti e qendrës së djathtë, jemi për një aparat të vogël shtetëror funksional dhe efikas. Do të shkrihen shumë ministri sepse janë disa të tilla që merren me ekonomi, disa me punë të jashtme, shumë agjencione të pavarura – 36 sosh – dhe shumë të tjera në kudër të zyrës se Kryeministrit. Momentalisht ka dyfishim të institucioneve dhe meqë është kështu shumë punë po mbesim pa u kryer. I gjithë ky aparat do të rishikohet dhe qeveria e LDK’së nuk do të paguaj me taksa të qetarëve disa persona për të kryer të njëjtën punë.