Hydajet Hyseni: Rexhep Elmazi mbeti gjithmonë e gjithherë rrezatues e rezistues

Gjilan – Andaj, emri i tij ishte e mbeti gjithmonë e gjithherë rrezatues e rezistues. Me fjalë të tjera, në këtë përvjetor të vdekjes së tij, sikur ai na duket se na është “gjallë”, për faktin se ka lënë një veprimtari letrare e artistike, e cila na bën nder neve e krejt letërsisë. Vepra e tij ka peshë të madhe atdhetare. Këtu është poenta e veprës së tij poetike, e cila, edhe sot e ruan ngjyrën e një kohe, së cilës i kemi bërë rezistencë me shumë mënyra të punës e të jetës ka thënë Hydajet Hyseni.
Në sallën e Teatrit të qytetit, Gjilanit, në prani të shumë adhuruesve të artit letrar, personalitete publike, të burgosurve politikë, familjarë e miq të tjerë, u mbajt Akademia përkujtimore me rastin e 40-vjetorit të vrasjes së poetit gjilanas, Rexhep Elmazi.
Me këtë rast, fjalën e parë e pati Sabit Rrustemi, kryetar i “Ars Clubit” në Gjilan, i cili tha se, po bëhen rreth 40 vitet për një plagë të rëndë, kur në mesin tonë na mungon Rexhep Elmazi, një pendë shumë premtuese e rrezatues po edhe aktive e një kohe. “Sot e 40 vjet na mungon si qenie fizike, i cili na la vlera të papërsëritshme letrare. Ky njeri krijues ishte e mbeti një figurë e madhe e letërsisë sonë, i cili, edhe në ato ditë të rënda, nën okupim e huaj, vargun e pati jo vetëm vokacion shpirtëror, por e pati edhe si forcë e përballjes me kohën. I tillë ishte Rexhepi, poet i qëndresës dhe i papërkulshëm prej njeriut me dinjitet të fortë njerëzor”.
Bajram Kosumi, rektor i Universitetit “K. Zeka”, në Gjilan, tha se, Rexhep Elmazi, tash i ndjerë, ishte një poet i rrallë i fjalës se bukur artistike. “Ishte krijues gjilanas, i cili më ra në sy qysh herët në vitet 1978 apo ’79, sidomos më ra në sy poezia e tij, kur në një orë letrare të këtij viti, Zeqir Gërvalla, poet i burgosur politik, në një orë letrare i lexoi poezitë e Rexhep Elmazit me ndjesi të thella, duke i dhënë edhe ngjyrën e vulës së asaj kohe, ku edhe sot po e ndjej atë madhështi të vargut që ky deklamues i përjetonte thellë me atë fytyrë të kuqe dhe e shihte idealin e Rexhepit që ishte ideal i krejt popullit tonë. E pata kuptuar se, jeta e Rexhep Elmazit sa po kishte filluar. Ai qe një burrë i rëndomtë, por nga brenda ishte një vullkan i pashuar. Emri i tij qarkullonte në rrethet patriotike, madje edhe tek studentët, të cilët, më vonë do ta fillojnë Pranverën e Madhe të vitit 1981, që atë kohë vepronin me dhjetëra poetë disidentë, e në mesin e tyre ishte edhe Rexhep Elmazi e dhjetëra të tjerë. E, Rexhep Elmazi shtonte në poezi se, vetëm heronjtë na shtijnë në borxh, sepse vetën ata na bëjnë borxhli sa të jenë jeta. Ne sot po e kryejmë borxhin pas 40- vjet të vrasjes së tij, jo vetëm për Rexhep Elmazin, por për secilin njeri, secilin të rinj që ka vijuar dhe ka qenë në rrugën kauzës qëndresë.”
Hydajet Hyseni, krijues tha se, Rexhep Elmazi ishte e mbeti një nga poetët e dalluar e të dëshmuar si rezistues i një kohe të perënduar. “Kësaj here dua të flas për veprën e tij letrare, e cila vepër ka domethënie të madhe si vlerë arti. Andaj, emri i tij ishte e mbeti gjithmonë e gjithherë rrezatues e rezistues. Me fjalë të tjera, në këtë përvjetor të vdekjes së tij, sikur ai na duket se na është “gjallë”, për faktin se ka lënë një veprimtari letrare e artistike, e cila na bën nder neve e krejt letërsisë. Vepra e tij ka peshë të madhe atdhetare. Këtu është poenta e veprës së tij poetike, e cila, edhe sot e ruan ngjyrën e një kohe, së cilës i kemi bërë rezistencë me shumë mënyra të punës e të jetës. Andaj, gjeneratës së re i takonte Rexhep Elmazit, një poet i heshtur, por vullkan në përmbajtje e veprim. Të kësaj kohe, dolën një plejadë shkrimtarësh. Rexhepi Elmazi ishte shkrimtar më i ri, por më i talentuar i asaj kohe”.
Anton N. Berisha, studiues e krijues tha se, Rexhep Elmazi na është një nga poetët më të ndjeshëm e më rezistues të një kohe. “Ai sot na mungon, por vepra e tij është një dëshmi e fortë e shkruar nga një personalitet i pjekur. Poezia e tij e ka vulën e kësaj e një kohe. Rexhepi ishte e mbeti një poet i tëri atdhetar. Një zë i fuqishëm i një kohe, të cilën kohë të rëndë, vetëm poetët e përjetojnë në artin e bukur. Arti i tyre ishte arma më e fuqishme e rezistencës së kohës. Me këtë rast po më jepet ta citoj të madhin filozof, Niçen, i cili, duke folur për artin, ka shtuar: “Arti është më i vërtetët se e vërteta”. Edhe poeti ynë, Rexhep Elmazi, tashmë i ndjerë, e ka luftuar të keqen me anë të artit të vërtetë. Rexhep Elmazi, poet, veproi në këtë mënyrë për arsye se formimi i njeriut përmes artit, në këtë rast, përmes poezisë, është dëshmuar qysh në kohët më të lashta. Kështu, Elmazi vendos të përdorë një lloj loje në ndërtimin e tekstit, që, të thuash, shndërrohet në parim krijues etj”.
Në fund, djali i tij, Selvador R. Elmazi, tha se, e kam vështirë të flas pas këtyre fjalëve që thanë. “Ju falënderoj për këtë organizim kushtuar prindit tim, sidomos e përshëndes Sabit Rrustemin për iniciativën e këtij manifestimi përkujtimor. Ju vlerësoj të gjithëve dhe u jam mirënjohës për atë që keni dhënë, me rastin e 40-vjetorit të vdekjes së prindit tim, Rexhep Elmazi. Ju falënderoj shumë” tha Salvadori…!”/tefik selimi/rajonipress/