Mobi Casa

Hoxhaj: Serbia dyfytyrëshe

/ 6 minuta lexim

Ministri i Punëve të Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku është shqyrtuar raporti tremujor për situatën në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm, Ban Ki-moon.

Ministri Hoxhaj i është drejtuar Këshillit të Sigurimit me një fjalim, ku ka prezantuar progresin e vazhdueshëm që po shënohet në Republikën e Kosovës dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Kosova në këtë fazë. Ai tha se procesi i shtetndërtimit të Kosovës gjatë këtyre viteve pas shpalljes së pavarësisë, është rrëfim suksesi kosovar, evropian dhe ndërkombëtar.

Siguria në rajon varet nga situata në veri të Kosovës

Lidhur me gjendjen në veri të Kosovës, ministri Hoxhaj tha se Kosova dhe qytetarët e saj janë të shqetësuar shumë kur është fjala për situatën në tri komunat veriore. Ai tha se Serbia ende mban, duke shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, policinë dhe strukturat ilegale të sigurisë në këtë pjesë të Kosovës dhe se situata është shumë e tensionuar, dhe ka ende barrikadat të vendosura nga këto struktura.

“Ajo me të cilën ne jemi duke u përballur në këtë pjesë të Kosovës nuk është e re në këtë rajon. Në vitet 1990, barrikadat në Kroaci dhe Bosnjë ishin ngritur nga policia dhe strukturat e sigurisë të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në pothuajse të njëjtën mënyrë se si këto struktura ilegale janë të kontrolluara, të udhëhequra dhe të financuara nga Serbia në veriun e Kosovës”.

“Agjenda e Serbisë në këtë pjesë të Kosovës është mbajtja e status-quos dhe krijimi i kushteve për një konflikt të ngrirë dhe ndarje territoriale. Për shkak të kësaj situate, u bë e pamundur për institucionet tona që t’i integrojnë serbët e Kosovës dhe të zbatojnë Planin e Ahtisaarit në këtë pjesë të vendit tonë siç e bëmë me sukses në pjesën tjetër të Kosovës.

Ky është këndi i vetëm i Evropës ku nuk ka sundim të ligjit, nuk ka pjesëmarrje demokratike në institucione”, ka thënë ministri i jashtëm i Kosovës në seancën e Këshillit të Sigurimit.

Duke iu referuar raportit të sekretarit të përgjithshëm, sipas të cilit, KFOR-it dhe EULEX-it nuk u lejohet të veprojnë atje në bazë të mandateve të tyre, Hoxhaj ka thënë se për më tepër, stabiliteti i Kosovës dhe tërë arkitektura e sigurisë në rajon varet nga situata në veri.

“Më lejoni t’ju jap një shembull: në mëngjesin e hershëm të 8 prillit, një 38-vjeçar baba shqiptar kosovar u vra në banesën e tij në një shpërthim dhe dy nga katër fëmijët e tij u plagosën. Kjo ka ndodhur në një lagje të përzier në veri të Mitrovicës, dhe ky nuk është vetëm një akt i izoluar. Qyteti i Mitrovicës nuk është i ndarë nga lumi Ibër, por nga frika. Përmes frikës dhe kërcënimeve, këto struktura të sigurisë janë duke dëbuar të gjitha komunitetet jo-serbe nga veriu i Kosovës”, tha Hoxhaj.

Uji Dea

“Pozicioni i Qeverisë së Kosovës për këtë çështje, sipas tij, është shumë i qartë. Dhuna duhet të ndalet dhe Serbia duhet të tërheqë njësitet e saj policore, të sigurisë dhe ato paramilitare nga veriu i Kosovës.

Kosova ka qenë gjithmonë një shoqëri multietnike dhe ajo do të mbetet përgjithmonë kështu. Si e tillë, ne jemi kundër çdo lloj ideje të ndarjes, ndryshimit të kufijve apo këmbimit të territoreve. Për qeverinë tonë, integrimi i 30.000 serbëve të Kosovës në veri është shumë i rëndësishëm dhe duhet të ndodhë në të njëjtën mënyrë se si 100.000 serbë të Kosovës janë integruar në pjesën tjetër të Kosovës”.

Kredibiliteti i tërë procesit të dialogut është në rrezik

Rreth dialogut teknik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Hoxhaj ka folur për marrëveshjet e arritura për bashkëpunimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufijve (IBM) dhe marrëveshjen për përfaqësimin dhe bashkëpunimin rajonal të Kosovës.

“Bazuar në këtë marrëveshje, Kosova tani do të marrë pjesë e pavarur dhe do të flasë për vete në të gjitha forumet si një partner i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse. Kjo parasheh që Kosova të nënshkruaj marrëveshje të reja dhe mund të aplikojë në organizata të ndryshme rajonale”, tha Hoxhaj, duke shtuar se marrëveshja për menaxhimin e integruar te kufijve (IBM), përfshinë një protokoll teknik, implementimi së cilës ofron një zgjidhje evropiane për çështjet ndërkufitare ndërmjet shteteve.

Hoxhaj tha se dialogu ka pasur një progres në arritjen e këtyre marrëveshjeve dhe se ato janë marrëveshje bilaterale legale ndërmjet dy shteteve te pavarura. “Sidoqoftë, kredibiliteti i tërë procesit të dialogut është në rrezik.

Marrëveshjet janë të pavlera nëse ato mbeten vetëm në letër dhe nuk implementohen në terren. Dhe shumica prej tyre nuk janë implemetuar aspak: p.sh. Serbia nuk e ka nënshkruar dhe implementuar protokollin teknik në implementimin e menaxhimit te integruar të kufijve, duke e lënë me qëllim si opsion të hapur ndarjen e pjesës veriore të Kosovës”.

“Në anën tjetër, Serbia ka pranuar marrëveshjen për përfaqësimin e Kosovës në forume (konferenca) rajonale, por ajo edhe më tutje bojkoton çdo takim ku është Kosova prezent dhe insiston në obligime që nuk janë paraparë në marrëveshje”, ka thënë ndër të tjera ministri Hoxhaj.

Ai ka përfunduar fjalimin në seancën e KS të OKB-së duke thënë se qëllimi kryesor i institucioneve të Kosovës dhe popullit të saj është integrimi në institucionet euroatlantike. /Telegrafi/