Hoxhaj: Peci po dëshmon papjekuri politike

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, duke folur për dorëheqjen e zyrtarit ndërlidhës në Beograd, Lulzim Peci, thotë se çdo përfaqësues i Republikës së Kosovës, qoftë në rangun e ambasadorit, apo diplomatë të tjerë, nuk e përfaqësojnë veten e tyre dhe egon e tyre, por shtetin e Kosovës, qëndrimet politike në përputhje me ligjet e Kosovës dhe udhëzimet në fuqi.
“Kërkohet që të ketë bashkëkoordinim dhe bashkërendim të secilit diplomat apo ambasador me Ministrinë e Jashtme, për çdo deklaratë e qëndrim politik që jep”, ka thënë ai për Radio Evropa e Lirë.
“Për ne rasti i ish-ambasadorit Peci është i mbyllur, por ai në dorëheqjen e tij pas 48 orësh dhe në interpretimin politik që i ka dhënë kësaj situate, po dëshmon edhe më tutje që përcillet me papjekuri politike. Është sjellje jopolitike dhe dëmton imazhin e vendit. Më lejoni të përmend një raport të këtyre ditëve të baroneshës Ashton, të cilin ajo ua ka shpërndarë vendeve anëtare dhe komisionari Fyle e përmend këtë dorëheqje, ngase një lajm i tillë nuk ishte i mirë për Kosovën”, shton Hoxhaj.
Sipas tij, nuk qëndron pretendimi “se ai ka pasur konflikt me kryeministrin… se kryeministri qenka kundër normalizimit të plotë të marrëdhënieve me Serbinë përmes njohjes nga ana e Serbisë”.
“Kjo nuk qëndron. Deklarata të tilla kryeministri ka bërë disa herë në Kuvendin e Kosovës, ndërsa unë në çdo paraqitje me zyrtarë ndërkombëtarë kam thënë se normalizimi i plotë me Serbinë arrihet atëherë kur Serbia e njeh Kosovën”. /Telegrafi/