Eko Higjiena

Hoxhaj: Ndërkombëtarët t’i dërgojnë mesazhe të qarta Beogradit

/ 3 minuta lexim
Fundamenti

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një shkrim autorial të botuar në gazetën e Kongresit Amerikan, “The Hill”, ka vlerësuar se zgjedhjet lokale të 3 nëntorit ishin një test i shkëlqyeshëm për qeverisjen demokratike në Kosovë.

“Pavarësisht sfidave në komunat veriore, përkushtimi i Kosovës për diversitetin dhe demokracinë, e kaloi testin. Për herë të parë që kur Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 2008, votuesit në mbarë vendin tonë në mënyrë të lirë zgjodhën liderët e tyre lokalë”, shkruan Hoxhaj.

Ai po ashtu ka nënvizuar faktin se me një dalje në votim afër 50 për qind, duke përfshirë edhe zonat e banuara me serbë, rezultatet dëshmuan përparimin e Kosovës drejt një shteti gjithëpërfshirës dhe multietnik.

Hoxhaj po ashtu ka përmendur incidentet në pjesën veriore të Mitrovicës, të shkaktuara nga grupe kriminale dhe ekstremiste.

“Megjithatë, gjatë fundjavës, kur u mbajtën zgjedhjet, serbët në veri treguan se ata kanë vullnetin dhe dëshirën për të qenë pjesë e procesit të ndërtimit të një Kosove demokratike dhe multietnike”, thotë Hoxhaj, duke përmendur se rreth 70 për qind e serbëve në jug të Kosovës kanë qenë pjesë e jetës politike dhe shoqërore të Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Hidromorava

Ministri i Jashtëm i Kosovës, po ashtu ka shprehur pakënaqësi me rolin që ka luajtur Beogradi në procesin zgjedhor.

“Është shqetësuese se përfaqësuesit më të lartë të shtetit serb i kanë konsideruar këto zgjedhje si një mundësi për t’u hakmarrë ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe përfaqësuesve të tyre. Po ashtu, qëndrimi i tyre negativ ndaj pluralizmit politik, siç dëshmohet me dekurajimin e komunitetit serb në vendin tonë për të votuar lirshëm, është për keqardhje. Pra, është lidhja mes grupeve radikale dhe shtetit të Serbisë me strukturat paralele që ende tentojnë të veprojnë në veri të Kosovës”, shkruan Hoxhaj.

Ai u bënë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dërgojë mesazhe të qarta në Beograd se veprimet e fundit janë të papranueshme.

“Pavarësisht këtyre pengesave, suksesi i procesit zgjedhor dhe funksionaliteti i plotë i institucioneve tona të lira, i ofron Kosovës mundësinë për të përshpejtuar reformat dhe zbatimin e standardeve në mënyrën më efikase drejt anëtarësimit të plotë në BE”, shkruan ministri Hoxhaj, në editorialin e botuar në prestigjiozen “The Hill”. /Telegrafi/