Uji Dea

Hoxhaj: Mbledhja e përbashkët Kosovë-Maqedoni në qershor, do të nënshkruhen 15 marrëveshje

/ 3 minuta lexim

Pas mbledhjes së përbashkët të të dyja qeverive në mes Kosovës dhe Shqipërisë, një mbledhje e tillë pritet të mbahet së shpejti edhe me Maqedoninë.

Kështu ka bërë të ditur në një intervistë për Telegrafin, zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Hoxhaj theksoi se si datë për mbajtjen e kësaj mbledhje kanë propozuar 21 qershorin e këtij viti, mirëpo kjo gjë ende nuk është vendosur.

“Data e saktë mund të caktohet gjatë ditëve të ardhshme por ne si qeveri e kemi një propozim që është 21 qershori, por se a mbahet me këtë datë apo jo varet nga pala maqedonase pasi që Maqedonia është në një proces të përcaktimit të emrit”, tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri Hoxhaj, më tej shtoi se gjatë mbajtjes së kësaj mbledhje pritet të nënshkruhen 15 marrëveshje në mes Kosovës dhe Maqedonisë.

“Ajo çka është e rëndësishme është se kemi një agjendë pothuajse të finalizuar ku janë 15 marrëveshje të cilat do të nënshkruhen mes të dyja vendeve.
Marrëveshje këto që mbështetin bashkëpunimin prej politikës së jashtme, sigurisë, mbrojtjes, ekonomisë, drejtësisë, arsimit e kulturës. Ajo çfarë ne mendojmë është se duhet të ndodh njohja e ndërsjellët në mes patentë shoferëve të Kosovës dhe Maqedonisë, prandaj do të bëjmë përpjekje që ti japim një dimension të ri këtij bashkëpunimi në mes të dyja vendeve”, u shpreh Hoxhaj.

KKGJILAN

Ai shtoi se nga bashkëpunimi me Shqipërinë kanë nxjerrë një përvojë, por që tek Maqedonia duhet që përtej arritjes së marrëveshjeve të ketë edhe hapa konkret, duke theksuar se do të bëhet edhe hapja e kufirit me Maqedoninë.

“Njëri nga ta është hapja e kufirit më 11 qershor mes Kosovës dhe Maqedonisë në Stançiq e Bellanoc. Hapja e këtij kufiri do tu mundësoj qytetarëve edhe lëvizjen e shpejtë mes Kosovës drejt Bullgarisë, projekti financohet nga Bashkimi Evropian”, tha Hoxhaj.

Zëvendëskryeministri theksoi se në Maqedoni jetojnë shumë shqiptarë të cilët kanë lidhje me Kosovën, dhe duan që ky bashkëpunim Kosovë-Maqedoni të ju shërbej edhe shqiptarëve përtej kufirit por edhe shqiptarëve që jetojnë në Kosovë.

“Duam që bashkëpunimi të jetë sa më pragmatik, duam që të ketë bashkëpunim në mes njerëzve, ekonomive, shoqërive dhe çdo kërkesë që do ta kenë studentët, biznesmenët, artistët ndonjë pjesë e shoqërisë do të bëjmë përpjekje ti integrojmë si kërkesa të tyre. Do të bëj përpjekje që të sjelli një frymë të re të bashkëpunimit Kosovë-Maqedoni”, u shpreh Hoxhaj.

Hoxhaj bëri të ditur se ende nuk e kanë vendosur se ku do të mbahet mbledhja në Kosovë apo Maqedoni, duke theksuar se do të dëshironin që të mbahej në Kosovë, mirëpo sipas Hoxhajt kjo bëhet në mënyrë të ndërsjellët.

“Pas Shqipërisë dhe Maqedonisë, jemi të interesuar që të kemi edhe me Malin e Zi e ndoshta në një të ardhme të afërt edhe me Kroacinë apo ndonjë vend tjetër që mund të jetë partner i rëndësishëm për Kosovën”, u shpreh Hoxhaj. /Telegrafi/