Hoxhaj: Kosovën e presin shumë sfida

Ish-ministri i Punëve të Jashtme, tani kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, Enver Hoxhaj thotë se, shtetet që deri më tani e kanë njohur Kosovën, kanë peshë të madhe dhe pjesa më e rëndësishme e botës demokratike.
Hoxhaj, në një intervistë për “Zërin” tregon se, Kosova është vetëm në fillim të betejës për një pozicion të mirëfilltë ndërkombëtar për shkak të mos anëtarësimit në OKB dhe mos-njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së.
Sipas tij, vendi ka pasur sukses por do të ketë kemi edhe shumë sfida.
“Imazhi i një shteti varet nga shumë faktor dhe rrethana qoftë të brendshme apo të jashtme e veçmas faktor ndërkombëtar për shkak edhe të statusit politik të Kosovës. Një aspekt tjetër i mënyrës si perceptohen shtetet për nga imazhi, ka të bëjë edhe më rajonin dhe vendet fqinje që e rrethojnë”, ka thënë ai.
Zëri: Sa shtete e kane njohur Kosovën dhe sa jeni i kënaqur me numrin e njohjeve?
Hoxhaj: Deri tani janë 108 shtete që e kanë njohur Kosovën. Janë vende me shumë peshë dhe pjesa më rëndësishme e botës demokratike që e kanë njohur Kosovën! Veçmas në këto vitet e fundit kemi marrë njohje nga pjesë të ndryshme përtej pjesës perëndimore duke e bërë procesin e njohjes ndërkombëtare të pandalshëm dhe me një shtrirje gjeografike globale. Kjo dëshmon për një proces të pandalshëm dhe që me gjithë përpjekjet e kundërshtarëve për ta penguar nuk do të mund ta ndalin rrjedhën e historisë.
Zëri: Vitet e fundit ka pasur rënie te numrit te njohjeve, cilat janë arsyet?
Hoxhaj: Absolutisht nuk mund të flasim për rënie të numrit të njohjeve. Në katër vitet e fundit, gjatë mandatit tim Kosova ka marrë 33 njohje që është numër i konsiderueshëm marrë parasysh rrethanat dhe vështirësitë në lobim pasi shumica e shteteve ndodhen në zona e kontinente të largëta dhe me pak njohje politike për Kosovën dhe rajonin në përgjithësi. Pra mesatarisht në vit, Kosova ka marrë deri 11 apo 12 njohje. Ndërsa sa i përket vitit 2014, kemi marrë katër njohje dhe kjo sikurse e kam deklaruar edhe më parë ka të bëjë me kohën e zgjedhjeve dhe ngërçit politik ku nuk kam pasur mundësi të shumta të udhëtimit. Por përtej njohjeve, në vitin e kaluar prioritet i imi dhe i MPJ-së ka qenë anëtarësimi në organizata rajonale e ndërkombëtare dhe jam krenar të them se Kosova tani është anëtare e mbi 30 sosh. E fundit ka qenë në nëntorin e vitit të kaluar Frankofonia ku Kosova u bë anëtare në Samitin e mbajtur në Senegal të Afrikës.
Zëri: Dhe sa kane arrit institucionet e vendit ta përmirësojnë imazhin e Kosovës ne këto shtate vite te shtetësisë?
Hoxhaj: Pak vende të rajonit kanë pasur politikë të Jashtme aktive si Kosova. Megjithatë imazhi i një shteti varet nga shumë faktor dhe rrethana qoftë të brendshme apo të jatshme e veçmas faktor ndërkombëtar për shkak edhe të statusit politik të Kosovës. Një aspekt tjetër i mënyrës si perceptohen shtetet për nga imazhi, ka të bëjë edhe më rajonin dhe vendet fqinje që e rrethojnë. Nuk duhet harruar se i gjithë rajoni ynë është në rrugën për anëtarësim në BE dhe vuan nga problem të shumta. Por në disa aspekte, Kosova qëndron shumë më mirë se vendet e rajonit edhe pse ne jemi vetëm 7 vjet shtet i pavarur ndërsa fqinjët tanë kanë histori dekadëshe të shtetndërtimit. Pra Kosova është vetëm në fillim të betejës për një pozicion të mirëfilltë ndërkombëtar për shkak të mos anëtarësimit në OKB dhe mos-njohjes nga pesë vendet anëtare të BE-së. Ka pasur sukses por do të kemi edhe sfida.