RCCOLA

Hoxhaj: Kosova shembull i shtetndërtimit

/ 2 minuta lexim

Gazeta franceze, “La Croix” ka botuar një artikull të gjatë ku janë prezantuar qëndrimet e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë vizitës zyrtare në Francë. Në artikull, Hoxhaj citohet të ketë thënë se që nga shpallja e pavarësisë pesë vjet më parë, Kosova është shembulli më i mirë i një shteti në ndërtim e sipër.

Ai ka thënë se qëllimi i Kosovës është që të bëhet një anëtar i Bashkimit Evropian.

“Ne do të fillojmë negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim dhe Asociimit në prill. Kjo do të jetë një hap i parë që do të na jap një kornizë për të pranuar rregullat e BE-së”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka folur edhe për proceset e brendshme duke thënë se Kosova ka skenën politike më të qëndrueshme në Ballkan.

“Ne, për pesë vjet kemi ndërtuar një Kosovë moderne, të pavarur dhe multietnike, me një shoqëri civile e cila është një nga më dinamiket dhe që nuk heziton të kritikojë Qeverinë”, ka thënë ai.

Hidromorava

Lidhur me procesin e njohjeve, ministri Hoxhaj ka folur për rritjen e vazhdueshme të numrit të shteteve që po e njohin Kosovën, duke thënë se njohja e Kosovës ka një shtrirje globale.

Ai ka folur edhe për rritjen e bashkëpunimit për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në Ballkan si dhe për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të Kosovës.

“Kjo dëshmon se pavarësia jo vetëm që ka përmirësuar sigurinë dhe ekuilibrin emocional të njerëzve, por edhe standardin e tyre të jetesës”, ka thënë Hoxhaj, duke shtuar se tashmë në Kosovë janë përmirësuar dukshëm edhe marrëdhëniet ndëretnike.

Lidhur me relacionet me Serbinë, Hoxhaj ka thënë se Serbia e ka pranuar realitetin e një Kosove të pavarur.

Ministri i Jashtëm i Kosovës ka folur gjerësisht edhe për proceset integruese të Kosovës, duke thekuar rëndësinë e avancimit të kësaj rruge, duke filluar nga liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.