Hoxhaj: Kosova po humb terren ndërkombëtar, marrëdhëniet me SHBA-në janë “zero”
Kosova po përballet me një realitet diplomatik ku mungesa e stabilitetit të brendshëm politik po reflektohet gjithnjë e më shumë jashtë vendit. Pa njohje të reja, pa anëtarësime të rëndësishme në organizata ndërkombëtare dhe me një raport të zbehur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendi, sipas deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka mbetur pa një politikë të mirëfilltë të jashtme.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Hoxhaj ka thënë se politika e jashtme është drejtpërdrejt e lidhur me atë të brendshme, duke vlerësuar se Kosova që nga viti 2019 nuk ka pasur ambicie të mjaftueshme për ta avancuar pozitën e saj ndërkombëtare.
“Së pari ne kemi një situatë politike ku nuk kemi stabilitet të brendshëm. Jemi vend i cili nuk ka qartësi të brendshme politike. Politika e jashtme është veç zgjatim i politikës së brendshme. Nëse s’ka politikë të brendshme, s’ka as politikë të jashtme. Por të gjitha qeveritë nga 2019-ta nuk kanë treguar vullnet, interes dhe ambicie politike për të marrë njohje, për të marrë anëtarësime në organizata ndërkombëtare, për ta fuqizuar raportin tonë me SHBA-të, për ta marrë statusin e kandidatit. Prandaj Kosova në këto shtatë vitet e fundit, prej 2019-ës e deri më tash, jo vetëm vitet e fundit, realisht nuk ka pasur politikë të jashtme dhe kjo gjendje tregon për mjerimin politik në të cilin është Kosova”, ka deklaruar Hoxhaj.
Duke folur për dialogun me Serbinë, Hoxhaj ka kritikuar marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e saj të zbatimit në Ohër, duke thënë se këto marrëveshje, sipas tij, kanë dëmtuar shtetin e Kosovës.
“Ajo se çfarë ka ndodhur në këto tre vitet e fundit është Albin Kurti me marrëveshjen e Brukselit, e cila është negociuar në fshehtësi. Se ne nuk e dimë se kur ka pasur takime për këtë marrëveshje të Brukselit, dhe me marrëveshjen e Ohrit, që është aneksi i zbatimit në Bruksel, e cila ka qenë një ditë negociata në Ohër dhe shpallje e marrëveshjes në mbrëmje, ia ka dhënë goditjen më të madhe shtetit të Kosovës”, ka thënë ai.
Sipas Hoxhajt, marrëveshjet e Brukselit dhe Ohrit kanë krijuar, siç pretendon ai, hapësirë për funksionimin e dy sistemeve politike në Kosovë.
“Nëse ka pasur një goditje që e ka këputur në kurriz, që ka goditur në palcë shtetin e Kosovës, është marrëveshja e Brukselit e Ohrit, e cila marrëveshje serbëve në Kosovë u jep një autonomi të zgjeruar, Kishës Ortodokse Serbe ia jep një autonomi kishtare dhe komunitetin serb realisht e vendos në një rrafsh të vetëqeverisjes autonome, të pavarur. Në fakt janë krijuar dy sisteme paralele politike: sistemi politik i Republikës së Kosovës dhe gjithçka që është paraparë me marrëveshjen e Brukselit e Ohrit. Mendoj që është prej dëmeve të mëdha”, është shprehur Hoxhaj.
Ai ka thënë se në dy vitet e fundit ka pasur zbatim të njëanshëm të disa elementeve të marrëveshjes, pavarësisht mungesës së takimeve të rregullta në Bruksel.
“Dhe çfarë ka ndodhur gjatë këtyre dy viteve të fundit, e veçanërisht vitit të fundit, është se shumë elemente të kësaj marrëveshjeje janë zbatuar në mënyrë të njëanshme. Nuk ka pasur takime në Bruksel, por ka pasur zbatim në terren. Si shembull e keni ligjin për të huajt, i cili nuk është gjë tjetër veçse një politikë e rikolonizimit, e rikolonizimit të Kosovës”, ka deklaruar deputeti i PDK-së.
Hoxhaj ka bërë një krahasim me politikat e kolonizimit të Kosovës gjatë viteve ’20 dhe ’30 të shekullit të kaluar.
“Nëse në vitet ’20-’30 të Shekullit XX ka pasur një politikë të kolonizimit serb të Kosovës për ta ndryshuar strukturën demografike të Kosovës, ligji për të huajt është qëllimi, janë objektivat dhe janë fryma e njëjtë e politikës së njëjtë e cila në të kaluarën është ndjekur prej regjimeve më brutale serbe në raport me Kosovën për ta ndryshuar strukturën demografike të Kosovës. Dhe kjo gjë ka ndodhur në mënyrë të njëanshme, do të thotë, duke mos parë pamje nga takimet në Bruksel, por duke e ndryshuar gjendjen për të keq në terren”, ka thënë ai.
Hoxhaj ka qenë kritik edhe për raportet aktuale të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke thënë se, ndryshe nga e kaluara, sot nuk mund të flitet për një marrëdhënie të mirëfilltë mes dy vendeve.
“Unë mendoj që Kosova nuk ka asnjë raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku mund të vlente fjala ‘marrëdhënie’. Çka do të thotë, ne në këtë raport marrim dhe japim diçka. Se nuk ndodh asgjë. Në të kaluarën, marrëdhëniet tona me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë marrëdhënie speciale, të veçanta. Ne kemi qenë një klasë politike udhëheqëse e cila ka bashkëpunuar me ta, po ata e kanë mbështetur Kosovën në rrugën e saj të lirisë, në rrugën e saj të pavarësisë, në rrugën e saj të njohjes ndërkombëtare, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Tash nuk ndodh asgjë”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka përmendur edhe dialogun strategjik me SHBA-në, i cili sipas tij do të duhej të shërbente si platformë për diskutimin e çështjeve strategjike të Kosovës.
“Dialogu strategjik, i cili është ndërprerë, megjithatë do të duhej t’i diskutonte këto tema. Në dialog strategjik ulesh me partnerët dhe thua cilat janë temat e rëndësishme të cilat ju i keni gjatë vitit 2027 për shembull. Janë njohjet, janë anëtarësimet, është ministria, fusha e mbrojtjes, është fusha e sigurisë, mund të jetë siguria kibernetike, mund të jetë lufta kundër ndikimit rus, lufta kundër islamit politik dhe gjëra të tjera të cilat kanë qenë tabu në të kaluarën. Meqë s’ka dialog politik, nuk ka dhe tema të tilla të cilat do të diskutohen në tavolinë, dhe meqë nuk diskutohen këto tema në tavolinë, do të thotë s’ka marrëdhënie — zero ka marrëdhënie”, ka deklaruar ai.
Duke folur për sigurinë e Kosovës dhe ndikimin që mund të ketë gjendja e marrëdhënieve me SHBA-në, Hoxhaj ka thënë se është i shqetësuar nga sulmi në Banjskë, duke vlerësuar se ai duhet të shërbejë si pikë kthese për politikën e Kosovës ndaj Serbisë.
“Unë jam i shqetësuar prej kur ka ndodhur sulmi i Banjskës, i cili sulm tregon mungesën totale të vizionit strategjik, por edhe të një analize të mirëfilltë të rreziqeve të sigurisë së Kosovës dhe të njohjes të asaj se çfarë mund të ndodhë. Sepse kur ka ndodhur sulmi në Banjskë, ne kemi qenë në tavolinë në dialog me Serbinë. Prandaj mendoj që pas agresionit në Banjskë dhe duke parë që bota është përmbys, është koha e fundit që Republika e Kosovës ta rimendojë raportin e saj me Serbinë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë nuk duhet të jetë prioritet para garantimit të sigurisë dhe forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës.
“Nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë para sigurisë. Vjen siguria, vjen mbrojtja, vjen pavarësia energjetike, vjen anëtarësimi i Kosovës në NATO, tani diku vjen puna e dialogut me Serbinë. Se dialogu me Serbinë nuk ka prodhuar siguri për shtetin tonë, nuk ka prodhuar njohje ndërkombëtare. Edhe duke qenë në dialog, ata kanë dërguar një grup paramilitar me Radoiçiqin në krye për ta aneksuar një pjesë të territorit të Kosovës”, ka thënë Hoxhaj.
Ai ka vlerësuar se sulmi në Banjskë duhet të shihet si moment që ndryshon qasjen e Kosovës ndaj dialogut me Serbinë dhe komunikimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Dhe mendoj që kjo ngjarje ne do të duhej që ta shohim si një pikë kthese se si ta shohim edhe raportin, dhe kështu duhet t’ju thuhet raportin me Serbinë dhe kështu duhet t’ju thuhet edhe partnerëve tanë amerikanë dhe evropianë”, ka shtuar Hoxhaj.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti në një intervistë më një qershor të këtij viti e ka pranuar se Kosova nën udhëheqjen e tij nuk i ka raportet e shkëlqyeshme me aleatin kryesor dhe sponzorin e shtetësisë së Kosovës, deri para ardhjes së tij në pushtet.
“Marrëdhëniet me ShBA-të nashta si kena të shkëlqyeshme, por i kemi shumë të mira” – tha ai.


