Hoxhaj: Demarkacioni kauzë e rrejshme e opozitës, PDK i ka votat, LDK jo

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Enver Hoxhaj ka thënë se çështja e demarkacionit është kauzë e rrejshme, të cilën sipas tij, e ka shpikur opozita në Kosovë.
Sipas tij, vendi është në një lloj paralize për marrjen e vendimeve të mëdha, edhe për shkak të sjelljes shumë brutale të opozitës.
“Vendi është në mungesë të vendimmarrjes ne mes partnerëve të koalicionit. Ne si PDK nuk e masim ne fatin individual në politikë, dhe nuk është relevante fati i partisë duhet të matet me atë se sa e ndryshon fatin e qytetarëve”, ka shtuar Hoxhaj.
Hoxhaj, ka thënë në Zona B të Klan Kosovës se PDK-ja i ka votat, por duket se partneri tjetër i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk i ka ato.
Ai ka theksuar se po duket e pamundur që partnerët e koalicionit të pajtohen për vendimmarrje dhe po ka ngecje.
“Ne e kemi pasur një bindje që LDK i ka votat, por tash është marrë vendimi që nga dita e enjte e tutje të shohim nëse LDK-ja i ka ato. Por, ajo që e karakterizon këtë moment është mungesa e vendimmarrjes – pafuqia e marrjes së vendimeve”, pohoi Hoxhaj.
“Gjatë ditëve të fundit ne kemi pasur shpresë që partneri i ka votat, pasi PDK-ja i ka, në përjashtim të një deputeti, të tjerët të gjithë janë të gatshëm të votojnë. Ne kemi menduar që sot do të procedohet Demarkacioni për një seancë të jashtëzakonshme, por partneri i koalicionit e ka të pamundur ta bëjë një gjë të tillë”, tha ai.
Nëse partnerët e koalicionit, sipas tij, nuk kanë kapacitet institucional dhe e shtyn procesion nga dita në ditë e shtron pyetjen se çfarë të bëjmë me këtë situatë.
“Qëllimi i takimit të sotëm ka qenë që të shohim a mundim të lëvizim përpara, por pamë se kjo nuk po ndodh, ka një mungesë të vendimmarrjes”, ka shtuar Hoxhaj./Telegrafi/
Hoxhaj: PDK ende nuk ka një vendim për mocionin e opozitës
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, ka thënë se PDK-ja ende s’ka marrë vendim se si do ta trajtojë mocionin e opozitës për rrëzimin e qeverisë, porse ajo që është e sigurt, sipas tij, Kosovës i duhet një fillim i ri.
“Ne ende s’kemi një qëndrim se në çfarë forme do të sillemi me mocionin e opozitës”, pohoi Hoxhaj, duke shtuar se “kam përshtypjen që Isa Mustafa s’ka marrë mbështetje brenda partisë së tij”.
Sipas nënkryetarit të parë të PDK-së, mungesa e vendimmarrjes në këtë koalicion qeverisës brenda PDK-së ka krijuar idenë se vendit i duhet një fillim i ri, porse si do të vije ai, ka thënë se do e diskutojnë në parti.
“Duhet ta kemi një start të ri, por si do të duket ai është përtej pikëpamjes time. Të mërkurën në mëngjes do ta kemi një mbledhje të Këshillit Drejtues, mbledhje që do t’i japë drejtim zhvillimeve të vendit në të ardhmen”.
“Një koalicioni nuk matet vetëm me qëllime të mira, por me rezultate konkrete dhe pritja më e madhe e qytetarëve është liberalizimi i vizave. Prandaj vendi duhet të ketë një shtysë të re. Ta kemi një ristart, një fillim të ri, por këto janë çështje që duhet të formësohen në parti”, tha Hoxhaj në Zona B të Klan Kosovës.