Hoxhaj: Beogradi duhet ta njohë Kosovën
Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në një intervistë të gjatë për gazetën gjermane Die Welt, ka thënë se Serbia duhet të tërhiqet nga Kosova dhe se nuk guxon që në të ardhmen të përzihet më në Kosovë.
Hoxhaj ka folur për zgjedhjet lokale të cilat i ka cilësuar një përparim të madh, duke iu referuar faktit se serbët e veriut për herë të parë kanë mundësi të integrohen në institucionet kosovare.
Lidhur marrëveshjet e Brukselit, ai ka thënë se Beogradi nuk i ka implementuar në të gjitha pikat marrëveshjet e arritura.
“Beogradi duhet të pranojë sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Zgjidhja mund të jetë vetëm kjo: Serbia duhet të tërhiqet nga Kosova dhe nuk guxon në të ardhmen të përzihet më”, tha ministri Hoxhaj.
Ai po ashtu ka folur për njohjen e Kosovës nga pesë anëtarët e mbetura të Bashkimit Evropian, duke theksuar se mosnjohja e deritashme nuk lidhet me shkaqe të drejtësisë, por më shumë ka të bëjë me çështje të brendshme të vetë këtyre vendeve.
“Greqia, Sllovakia, Rumania, Qipro dhe Spanja e mbështesin perspektiven evropiane për Kosovën”, tha Hoxhaj, duke shprehur bindjen se Kosova do të njihet dhe do të hapë ambasadat në këto vende.
Ai po ashtu ka vlerësuar se perspektiva evropiane e Serbisë është një mjet që duhet të përdoret me qëllim që të arrihet normalizimi.
Ministri Hoxhaj ka folur edhe për integrimin e serbëve në jug të Kosovës dhe se kjo pritet të ketë sukses edhe në pjese tjera të vendit.
Ndërkaq, duke iu referuar incidenteve në ditën e zgjedhjeve në një vendvotim në veri, Hoxhaj ka bërë të ditur se zgjedhjet do të përsëriten në tre qendra, duke shprehur besimin se qytetarët serbë do të shfrytëzojnë këtë mundësi. /Telegrafi/


