Hoxha: Mustafa nuk po hetohet, por anëtarë të kabinetit të tij

Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha ka bërë me dije të mërkurën se janë duke u hetuar disa ministra të këtij kabineti qeveritar lidhur me dyshimet për korrupsion, por në këto hetime nuk është edhe kryeministri Isa Mustafa.Në një intervistë për Radio Dukagjinin, Hoxha tha se kanë dalë informacionet se disa personalitete janë duke u hetuar me dyshimet për korrupsion dhe siç tha ai nuk do të ketë pardon ndaj askujt
“Nuk i kemi seleksionuar peshq të mëdhenj apo të vegjël. Po çdo lëndë të kësaj natyre është me prioritet. Kanë dal disa informacione për disa personalitete që ju i quani peshq të mëdhenj dhe sigurisht se nuk do të ketë pardon ndaj askujt”, tha ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit.
Duke folur për hetimet për korrupsion ndaj ministrave ai tha “Po janë duke u hetuar. Po barten tash, prej asaj qeverie e në këtë qeveri… kemi edhe aso njerëz që jemi duke u hetuar, lëndë të kësaj natyre”.
Ai tha se Prokuroria është duke e luftuar korrupsionin me ato kapacitete që ka, duke mohuar ndërhyrjet e jashtme. “Nuk kemi pengesë tjetër por mungesa e prokurorëve po paraqet problem”, tha ai.
Hoxha foli edhe për lëndët e dërguara në Prokurori nga Vetëvendosje. Ai tha se lëndët janë në punë dhe pothuajse në përfundim të hetimeve.
Sipas tij, ish-drejtorë të drejtorive të komunës së Prishtinës gjatë kohës sa e ka udhëheq Isa Mustafa komunën janë në hetime, po ashtu punëtorë tjerë, por sipas tij, sa i përket Isa Mustafës, kryeministrit aktual, nuk ka hetime.
“Jo nuk mund të them për Isa Mustafën se është nën hetime, por për njerëz të ish kabinetit, drejtorë e punëtorë tjerë…”, tha Hoxha, duke shtuar se sa i përket kryeministrit aktual nuk kanë rast.
Ndërsa për publikimet e kryetarit aktual të Prishtinës, Shpend Ahmeti lidhur me keqpërdorimet në komunë, Hoxha se nuk është mirë të ndërhyhet në drejtësi pasi po dëmtohen hetimet. /Telegrafi/