Historianët e Gjilanit organizojnë konferencë shkencore në tetor
Gjilan – Fitim Rifati nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan ka thënë të hënën se më 26 tetor do të mbahet një konferencë e parë shkencore në Gjilan kushtuar “Rolit dhe kontributit të Gjilanit me rrethinë në lëvizjen kombëtare shqiptare 1878-1912”.
Historianët e rinj të Gjilanit të mbledhur në Lidhjen e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Gjilan kanë marrë një iniciativë shumë të guximshme dhe domethënëse për rajonin e Gjilanit. Fitim Rifati kryetar i këtij mekanizmi tha të hënën se më 26 tetor do të organizohet një konferencë shkencore e para e këtij llojit të mbajtur në Gjilan e që do i kushtohet “Rolit dhe kontributit të Gjilanit me rrethinë në lëvizjen kombëtare shqiptare 1878-1912”.
Rifati tha se e kemi ndërmarrë këtë iniciativë sepse e kemi për obligim kombëtarë e profesional që me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë të mbajmë edhe ne këtë aktivitet. Rifati tha se në këtë konferencë shkencore pritet të marrin pjesë personalitete të shquara nga fusha e historisë.
“Ne kemi menduar se 20 historian janë të mjaftueshëm për të përmbyllur aktivitetin tonë një ditor dhe normalisht që presim rezultate inkurajues qoftë nga punimet e pjesëmarrësve apo edhe paraqitjet tjera shkencore e faktografike që nuk janë thënë ende për rolin dhe kontributin e Gjilanit” tha Rifati.
Veton Nevzadi drejtor për kulturë e ka vlerësuar lart kontributin e historianëve gjilanasve dhe ka ofruar mbështetje për këtë ngjarje me vlera të dobishme historike e kombëtare.
Sipas Rifatit këshilli organizativ ka paraparë dhe tezat e simpoziumit shkencor që lidhen me luftën e Gjilanit. Ndër tezat kryesore janë :’ Gjilani me rrethinë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), Gjilani me rrethinë në Lidhjen e Shqiptare të Pejës (1896-1900, Kontributi i Gjilanit me rrethinë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare (1900-1908), Zhvillimi i arsimit në Gjilan pas ngadhënjimit të Revolucionit Xhonturk, Pjesëmarrja e gjilanasve në Kuvendin e Ferizajt të vitit 1908, Roli i kryengritësve të Gjilanit me rrethinë në Betejën e Kaqanikut (1910), Ndihmesa e gjilanasve në kryengritjen e përgjithshme shqiptare të vitit 1912 dhe Gjilani dhe rrethina e tij në kohën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë./rajonipress/