RCCOLA

Historia nuk ndryshon me premtime të ministrit Buja!

/ 4 minuta lexim
RCCOLA

Historiani i njohur, Jusuf Buxhovi, ka akuzuar të mërkurën ministrin e Arsimit, Ramë Buja, të ketë ndikuar në anulimin e ligjëratës së paraparë të mbahet të enjten në Prishtinë.

Ai ka thënë se Buja e ka bërë këtë për shkak të paragjykimeve të tij rreth librit “Historia e Kosovës” dhe fakteve që parashtrohen aty gjatë pushtimit të Perandorisë Otomane.

“Me keqardhje më duhet t’ju informoj se jam i detyruar ta anuloj marrëveshjen tonë lidhur me ligjëratën tuaj të paraparë për datën 17 në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës. Kërkoj ndjesë për këtë jokorrektësi!”, thuhet në e-mail-in e Murteza Osdautaj, Drejtor i Departamentit për Shkencë dhe Teknologji dërguar historianit Buxhovi.

Historiani Buxhovi i ka thënë Kosovapress-it se ishte ftuar po nga i njëjti zyrtar dy-tri javë më parë që të merrte pjesë me konferencën “Java e Shkencës” në Kosovë, të cilën e organizon Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë. Ai ka thënë se anulimi i kësaj ligjerate nuk është bërë thjeshtë nga dikush, por drejtpërdrejtë nga ministri Buja.

“Unë mendoj se këtu gjërat janë më thellë. Mendoj se ministri Buja në relacion me shkencën, më historinë i ka disa gabime shumë të rënda, për të cilat unë kam reaguar me kohë dhe në mënyrë të ashpër. Kjo ka të bëjë me deklaratën që e dha ai kur ishte ministri turk, të cilit objektivisht i premtoi se do të ndryshohen tekstet e historisë së Kosovës, ku përmenden vlerësimet rreth Perandorisë Osmane”, ka thënë Buxhovi.

Hidromorava

Sipas tij, nëse do të ndodh një dukuri e tillë me ndryshimin e teksteve shkollore ku vlerësohet perandoria Osmane, atëherë duhet shtruar edhe pyetja se çfarë do të ndodhte nëse nesër do të arrihet një marrëveshje apo pajtim me Serbinë. “Pra nëse do të vazhdohet ky trend i ndryshimit të teksteve shkollore, atëherë ndoshta nesër gjenocidin serb do ta quajmë edhe ‘ekskursion’ të Serbisë në Kosovë”.

Nga ana e tij, ministri Buja i ka mohuar akuzat e Buxhovit. Ai ka mohuar të ketë marrë një vendim të tillë, duke thënë se nuk ka pasur ndonjë arsye që ta merrte një veprim të tillë.“Sot në media tona të shkruara del diçka që mua më rrëqeth dhe mua më duhet bukur banale. Del aty se unë paskam dhënë një urdhër politik që t’i ndalohet dikujt fjala këtu në konferencën shkencore dhe është fjala për të nderuarin Jusuf Buxhovi”, ka thënë Buja.

“Gjoja unë paskam thënë se nuk na duhet historia e tij, por s’e kam pasur kurrë parim që të japë vlerësime për veprën e palexuar, dhe unë nuk e kam lexuar veprën e Buxhovit, nuk them as vlen as nuk vlen. Unë kam dhënë një kohë urdhra ushtarak, por asnjëherë urdhra politikë. Unë bëjë sugjerime politike, por punë politike asnjëherë jo”, ka thënë ministri Buja.

Mirëpo Buxhovi ka përsëritur se nëse ministri Buja thotë se nuk është i përfshirë në këtë rast, atëherë ai shtron pyetjen se si ka mundësi që një vendim i tillë të merret pa dijeninë e tij? “E them se këtu puna është më thellë se kaq. Unë konsideroj se kjo është bërë drejtpërdrejt me urdhër të ministrit. Prapë po them, nëse ministri del sot dhe thotë se nuk ka qenë në dijeni rreth kësaj dhe nuk ka paragjykime ndaj librit tim apo punës time shkencore, atëherë të dalë publikisht dhe ta kthej terminin, ndërsa unë nesër po dal dhe po e mbaj ligjëratën”, ka thënë Buxhovi. /Telegrafi/