Uji Dea

Hiqe, Albin

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Nga Imer Mushkolaj – Albin Kurti ka premtuar heqjen e taksës dhe ashtu duhet të veprojë. Ata që e kundërshtojnë, përgjigjen e kanë marrë në zgjedhjet e 6 tetorit. E rëndësishme është të lëvizet përpara.

Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosja, ashtu si Vjosa Osmani dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ishin të qartë gjatë fushatës zgjedhore: po që se fitojnë zgjedhjet, atëherë do ta heqin taksën ndaj produkteve serbe dhe do ta zëvendësojnë me reciprocitet. Edhe për këtë premtim, ata fituan zgjedhjet.

Edhe Ramush Haradinaj ishte i qartë: nëse ai i fiton zgjedhjet, atëherë taksa nuk do të hiqet. Haradinaj e AAK morën përgjigjen nga qytetarët. Tash në qeveri janë VV e LDK dhe premtimi duhet mbajtur. Jo vetëm pse heqjen e taksës po e kërkon me ngulm SHBA, por sepse ky është zotim i qeverisë së re. Dhe, për shkak se në këtë mënyrë lëvizet përpara, nga një situatë ngecjeje e izolimi disavjeçar.

Kurti ka premtuar se do të vendos reciprocitetin ndaj Serbisë, si një masë krejt normale ndërmjet dy shteteve. Ende nuk është e qartë nëse këtë do ta bëjë para se ta heq taksën apo pas saj, nëse do ta vendos menjëherë apo hap pas hapi. Më e rëndësishmja është të lëvizet përpara.

Por, vazhdon të ketë shumë hipokrizi në deklarimet publike të partive opozitare, sa i përket çështjes së taksës. Reagime mllefi e inati.

Ramush Haradinaj e ka pasur mundësinë që të vazhdojë ta mbajë taksën në fuqi, por dha dorëheqje. Pse e bëri një gjë të tillë? Sepse nuk mundi t’i rezistojë presionit amerikan.

Kadri Veseli atëbotë kundërshtonte Haradinajn dhe kërkonte pezullimin e taksës. Tash ka ndërruar mendje.

Qasja ndaj taksës është qasje ndaj raporteve me SHBA. Në një situatë mjaft të ndjeshme, Albin Kurti duhet menduar mirë se si do të veprojë. Është vërtetuar se kryeneçësia çon në ngecje e izolim. Tekefundit, a nuk është vetë Haradinaj që kundërshtonte demarkacionin me Malin e Zi, duke na humbur gati tre vjet kot, për të miratuar më pas në Kuvend versionin e njëjtë të marrëveshjes?

Haradinaj thoshte se vendosja e taksës ndali ndarjen e Kosovës, respektivisht pamundësoi bisedimet që do të çonin në ndarje. Tash thotë se ndarja është shmangur, por ka gjetur arsye të tjera pse taksa duhet të mbetet.

* * *

Mobi Casa

Hashim Thaçi ka lëshuar rastin për vendosjen e parimit të reciprocitetit që në fillim të nisjes së bisedimeve me Serbinë, para gati një dekade. Por, si duhet vepruar tash? Pjesa dërmuese e marrëveshjeve të arritura me Serbinë janë të mbështetura në parimin e reciprocitetit, andaj është

e domosdoshme që ato të zbatohen nga ana e Serbisë. Po ashtu, vendosja e reciprocitetit nuk duhet të bëhet pa një analizë paraprake serioze, në mënyrë që të dihet saktë se çfarë përfiton Kosova në këtë rast. Qasja arrogante dhe e pastudiuar mirë mund të sjell pasoja të dëmshme për vendin. Më të dëmshem se mbajtja e taksës.

Tash sa kohë Kosova gjendet në një “status quo”, pa bërë asnjë hap përpara në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Tash sa kohë ka ngecje në konsolidimin e brendshëm të shtetit. Andaj, taksa duhet të hiqet jo vetëm si shenjë e vullnetit të mirë për vazhdimin e dialogut, por njëkohësisht udhet që në bashkëpunim me SHBA të shihen hapat e mëtejmë se si të konsolidohet vendi sa më mirë në situatën e re.

Gabon kushdo që mendon se mund të shkohet tutje pa përfilljen e SHBA’së, respektivisht duke refuzuar bashkëpunimin me aleatin më të madh. Gabon kushdo që pozicionin aktual në të cilin gjendet vendi përpiqet ta keqpërdor për interesa politikë. Ata që të tilla situata keqpërdorën gjatë pesë viteve të fundit janë përgjegjës për gjendjen e krijuar.

Ata që dhanë premtime të cilat nuk i mbajtën, ata që premtuan liberalizim vizash e investime, ata që premtuan njohje të reja të shtetit, ata që premtuan integrime europiane.

Nëse qasja e deritashme është konfirmuar e dëmshme dhe e gabueshme, pse duhet vazhduar të njëjtën? Albin Kurti nuk ka pse frikësohet për ta hequr taksën. Ai duhet të veprojë.

* * *

Nëse në asgjë tjetër, atëherë taksa do të duhej të ndikonte në rrittjen e vetëdijes së qytetarëve karshi blerjes dhe konsumimit të prodhimeve nga Serbia. Nëse ky shtet nuk do të kishte treg në Kosovë, nuk do të sillte mallra. Pra, janë vetë qytetarët ata që ia mundësojnë Serbisë tregun.

Albin Kurti duhet ta heq taksën. Në këtë mënyrë ai përmbush një zotim parazgjedhor. Në këtë mënyrë ai i jep një shans ecjes përpara të vendit, lëvizjes nga pozicioni i bllokimit. Në këtë mënyrë ai çon mesazh të qartë se është aty për të marrë përgjegjësi të rëndësishme, që ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarit. Ai nuk ka pse të ngurrojë, as të frikësohet. Njerëzit ia kanë besuar qeverisjen dhe ai duhet të veprojë. Sa nuk është bërë vonë.