Fundamenti

Hill: Shpresoj të arrihen edhe marrëveshje të tjera mes Kosovës dhe Serbisë

/ 2 minuta lexim

Ambasadorët amerikanë në Kosovë dhe Serbi, Jeffrey Hovenier dhe Christopher Hill, e kanë mirëpritur zbatimin e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë për dokumentet për hyrje/dalje.

Hill u ka thënë gazetarëve në Beograd se është inkurajues përparimi i arritur mes Kosovës dhe Serbisë në 10 ditët e fundit.

“Shpresoj që marrëveshjet do të vazhdojnë të arrihen, siç është rasti me dokumentet personale, dhe që Kosova dhe Serbia të kenë një të ardhme shumë më të mirë”, tha Hill, transmeton REL.

Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.

Serbia e ka zbatuar atë menjëherë dhe për 11 vjet u ka lëshuar qytetarëve të Kosovës këtë lloj dokumenti.

KKGJILAN

Ambasadori Hill është deklaruar për çështjen e dokumenteve për hyrje/dalje, në një panair të organizuar në kuadër të iniciativës Ballkani i Hapur, që këtë herë po zhvillon takimet në Beograd.

Edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Hovenier ka thënë se liria e lëvizjes është thelbësore për normalizim të marrëdhënieve, që ka në qendër njohjen reciproke.

“Mezi pres të shoh përparim në çështjet tjera në muajt vijues”, ka thënë ai përmes një postimi në Twitter.

Kjo marrëveshje mes dy vendeve është arritur nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian më 27 gusht.

Sipas saj, Kosova dhe Serbia janë pajtuar për të hequr dokumentet shtesë, kur qytetarët të hyjnë në territorin e njëra-tjetrës.