Eko Higjiena

Hetojnë dhunën

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur hetimet për protestën e 22 tetorit. Aktualisht hetimet janë në fazën e mbledhjeve të të gjitha provave, fotografive dhe xhirimeve të asaj dite. Shumë shpejt do të publikohet edhe raporti që do t’i vlerësojë të gjitha ngjarjet e asaj dite. Drejtori i Departamentit të Hetimeve, Jetullah Aliu premton se hetimet do të jenë të paanshme dhe të mbështetura në fakte.

Gjithçka do të merret vesh këto ditë. Shumë shpejt do të dihet nëse Forcat Speciale të Kosovës kanë përdorur dhunë të tepruar dhe pa nevojë kundër protestuesve ditën e 22 tetorit. Do të definohet edhe nëse do të fillojnë hetimet ndaj atyre policëve që gjatë protestës shkepën shqelma e përdorën shkopinjtë e tyre gomës.

Tash kur kanë kaluar pesë ditë që nga protesta e Lëvizjes Vetëvendosje, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur punën e tij. Aktualisht zyrtarët aty janë duke mbledhur të gjitha provat, fotografitë e filmimet e asaj dite. Hetimet zyrtarisht kanë nisur.

Këtë e ka konfirmuar të shtunën për Express Jetullah Aliu, drejtor i Departamentit të Hetimeve në Inspektoratin e Policisë së Kosovës. Ai thotë se tashmë departamenti i tij ka bërë një kërkesë zyrtare për grumbullimin e të gjitha provave materiale të zhvillimeve në protestën e VV’së.

“Kemi bërë kërkesë, kemi filluar t’i grumbullojmë të gjitha fotografitë, videot dhe gjithçka tjetër. Jemi duke i mbledh të gjitha informacionet nga krejt ajo çfarë ka ndodhur ditën e 22 tetorit”, ka thënë Aliu të shtunën për Express.

Ai sqaron se varësisht nga këto prova, Inspektorati do të vendosë nëse ka vend për nisjen e hetimeve ndaj policëve që ditën e protestës ishin në detyrë. “Këtë aktualisht nuk mund ta konfirmoj sepse akoma jemi tek faza e analizimit të të gjitha veprimeve të policisë”, pohon ai.

Por, nuk do të kalojë shumë kohë e kësaj pune do t’i dihet fundi. Aliu thotë se kanë mbetur edhe pak ditë deri kur departamenti, të cilin ai udhëheq, do të dalë me një rezultat final.

Kjo pasi, sipas tij, Inspektorati Policor i Kosovës është duke punuar intensivisht për të dalë me një raport i cili do të sqarojë gjithçka. “Jo shumë larg do të dalim me një raport. Aty do të sqarojmë gjithçka edhe nëse ka pas shkelje të të drejtave të njeriut. Raporti do të përfshijë edhe sjelljen e policisë”, tregon Aliu.

ARKATANA

Pavarësisht asaj se çfarë do të thuhet në raportin i cili d t’i dorëzohet kreut të Policisë së Kosovës Shpend Maxhunit dhe ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepit, Aliu premton vetëm një gjë. Raporti, sipas tij, do të jetë kryekëput i mbështetur në fakte. “Motoja e jonë është t’i mbrojmë të drejtat e qytetarëve. Jemi organ shtetëror, jemi të paanshëm në vlerësimin e raporteve. As Lëvizja Vetëvendosje e askush tjetër nuk ka çfarë të mos na besojnë”, vlerëson Aliu, duke iu referuar deklaratave që u publikuan të premten nga Lëvizja Vetëvendosje ku thuhej se kjo lëvizje nuk i beson Inspektoratit Policor të Kosovës për hetim të sjelljes së policisë gjatë protestës të së hënës në Prishtinë, kur subjekti i dytë më i madh opozitar protestoi kundër takimit në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Drejtuesi i Sekretariatit për komunikim me media në lëvizjen “Vetëvendosje”, Erzen Vraniqi, ka thënë të premten se përvoja e deritanishme me Inspektoratin e PK-së flet asisoj që subjekti i tij të mos mund të presë diçka nga ai. “Për aq sa i besojmë Bajram Rexhepit, aq edhe atyre. Inspektorati i Policisë nuk është organ i pavarur, është në kuadër të MPB-së e ne e kemi parë që policia po merr urdhra politike pikërisht nga kjo ministri, përkatësisht nga ministri Bajram Rexhepi”, ka thënë ai.

E përveç Inspektoratit Policor të Kosovës, i cili tashmë është duke u marrë me të gjitha veprimet për të dalë me një rezultat final, shkelmat e grushtet e policisë, që u shkepën ditën e protestës në qendër të Prishtinës, nuk mbetën pa u monitoruar nga institucionet ndërkombëtare që merren me të drejtat e njeriut. Pas krejt pamjeve që u transmetuan në të gjitha mediumet vendore dhe ato ndërkombëtare, para pak ditësh ka reaguar ashpër Amnesty International (AI).

Kjo organizatë e njohur për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, nëpërmjet një komunikate ka shprehur shqetësimin për përdorim të tepruar të forcës nga Policia e Kosovës gjatë demonstratës së organizuar nga Vetëvendosje të hënën në Prishtinë. Prandaj edhe ka kërkuar nga autoritetet e Kosovës që të kryejnë hetime të plota, të shpejta, efektive dhe të paanshme për akuzat e tilla të bëra kundër Policisë së Kosovës. E pos hetimeve, AI ka kërkuar që nëse është e nevojshme

autoritet të nisnin edhe procedurave disiplinore dhe ato penale ndaj të gjithë atyre policëve që përdorën dhunë ndaj protestuesve të VV’së.

Lëvizja Vetëvendosje pesë ditë më parë protestoi kundër takimit të kryeministrit Thaçi me homologun e tij serb, Daçiç dhe kundër bisedimeve me Serbinë. Aktivistët dhe Policia bllokuan sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë, për orë të tëra. Pati edhe incidente të shumta.

Protestuesit fillimisht hodhën domate dhe qumësht në drejtim të policisë, ndërkohë përdorën edhe gurë në drejtim të godinës së qeverisë dhe të Kuvendit. Derisa policia përdori gazin lotsjellës për t’i shpërndarë. Pati edhe përdorim të dhunës kundrejt protestuesve dhe shumë të arrestuar. Plot 63 sosh që u mbajtën në paraburgim për 48 orë. Një protestë tjetër u mbajt edhe me 23 tetor. Por këtë ndryshe nga ajo e 22 tetorit, protesta ishte tejet paqësore dhe pa ndonjë incident.(express)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.