Fundamenti

Hetohet edhe Surdulli me shok

/ 2 minuta lexim
Mobi Casa

Gjilan – Shaip Surdulli,Hasan Keqmezi dhe Islam Thaçi janë duke u hetuar nga Prokuroria e Prizrenit nën dyshimin se kanë shpërdoruar pozitën zyrtare. Surdulli thotë se padia ndaj tij është bërë në adresë të gabuar.

Kreu komunal i Kamenicës Shaip Surdulli së bashku me ish kryeshefin ekzekutiv Islam Thaçi dhe përgjegjësin e ish zyrës së prokurimit Hasan Keqmezi po hetohen nga Prokuroria e Qarkut në Prizren nën dyshimin se kanë shpërdoruar pozitën zyrtare.

Ndryshe, Surdulli me shok po hetohet pasi policia në Gjilan kishte ngritur kallëzimin penal për veprën penale “shpërdorimi i pozitës zyrtare ose i autorizimeve “. Ata dyshohen rreth tenderit të varrezave të dëshmorëve në vlerë të 155.7000 eurove.

Kryeprokurori i Qarkut në Prizren Sylë Hoxha tha për rajonipress se kjo prokurori është duke zhvilluar hetime ndaj Shaip Surdullit dhe dy zyrtarëve tjerë,hetim ky i bazuar në kallëzimin penal të ngritur nga ana e policisë së Gjilanit. Syla tha se ende nuk ka të ngritur aktakuzë ,meqë janë në fazën e hetimeve.

UBT

Ndërkaq Shaip Surdulli i kontaktuar nga rajonipress tha se hetimi i tij ka të bëjë me një padi që ka ngritur dega e PDK-së në Kamenicë, gjoja për punën e kontraktuar më lirë sesa kontrata.

Surdulli tha se kjo padi është adresuar gabimisht në emër të tij meqë realisht është dashur të paditet firma-punëkryesi i projektit për varrezat e dëshmorëve sepse ka neglizhuar me punimet.

Megjithatë Surdulli tha se është paraqitur në policinë e Gjilanit ku edhe ka dhënë dëshmi duke i mohuar të gjitha këto dyshime.”Ne do të paraqitemi në Prokurorinë e Prizrenit për shkak se Islam Thaçi ka konflikt interesi,por ende nuk na kanë treguar se kur do të mbahet seanca e parë”tha Surdulli.

Ismet Hashani zëdhënës i policisë në Gjilan tha se ndaj Surdullit dhe dy të tjerëve policia ka ngritur kallëzim penal. Hashani tha se shumica e kryetarëve të rajonit të Anamoravës ndodhen nën hetime nga policia./rajonipress/