UBT

Hetohen për insulina

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Njësiti i Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës ka filluar hetimet për insulinat që u blenë nga Ministria e Shëndetësisë me banderola të Serbisë. Policia ka vizituar drejtuesit e kësaj ministrie dhe ata të Agjencisë Kosovare të Produkteve Medicinale. Hetimet i kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e kësaj ministrie.

Ministrinë të cilën e udhëheq Ferid Agani duket se nuk po e shqetësojnë fort skandalet. Edhe pasi Shoqata Farmaceutike dhe institucione publike shëndetësore në Kosovë janë ankuar se kanë pranuar insulina me banderola të Serbisë, Ministria e Shëndetësisë nuk po bën asgjë rreth kësaj çështjeje.

Tashmë, njësiti për Krime Ekonomike në Policinë e Kosovës ka filluar hetimet për insulinat që u blenë nga Ministria e Shëndetësisë me banderola të Serbisë. Policia ka vizituar drejtuesit e kësaj ministrie dhe ata të Agjencisë Kosovare të Produkteve Medicinale.

Hetimet i kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e kësaj ministrie. Burime të Express, nga institucionet shëndetësore, thonë se janë pranuar edhe insulina tjera, po ashtu me banderola të Serbisë nga kjo ministri. Porosia është bërë në kompaninë farmaceutike “Asgeto”. Po e njëjta kompani që i solli insulinat me banderola të shtetit fqinj.

Për më tepër ajo është e licencuar nga Agjencia e Kosovës për Produkte Medicinale dhe Ministria e Shëndetësisë. Burime brenda Ministrisë së Shëndetësisë tregojnë se policia e krimeve ekonomike i ka vizituar këtë institucion dhe drejtuesit e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, përfshirë edhe shefin Ilir Dushi.

“Ministria e Shëndetësisë po vazhdon kontratën me këtë kompani dhe e gjithë kjo çështje po hetohet”, tha ky burim. Hetimet ndaj kësaj çështjeje i kanë konfirmuar edhe vetë drejtuesit e Ministrisë së Shëndetësisë. Zëdhënësi i kësaj ministrie, Faik Hoti, thotë se hetimet janë duke u zhvilluar. Pavarësisht se rasti i insulinave është ende duke u trajtuar nga Njësia për hetimin e krimeve ekonomike dhe Inspektorati Farmaceutik i AKPM’së, Hoti thotë se MSH nuk mund të ndërpresë porosinë e bërë më herët.

RCCOLA

“Derisa nuk ka ndonjë vendim rreth epilogut final të hetimeve të institucioneve që po e hetojnë këtë rast ne nuk mund të bëjmë asgjë”, tha ai. “Në anën tjetër, preokupimi është si të mbrohen dhe mbulohen me terapi adekuate pacientët që janë të varur nga insulina, derisa të sqarohen të gjitha rrethanat rreth rastit të insulinave me banderola të Serbisë”.

Hoti, thotë se porosia për insulinat për tremujorin e parë të këtij viti është bërë në janar të këtij viti, para se të gjendet në institucionet shëndetësore të vendit një sasi e insulinave me banderola të Serbisë. “Pas zbulimit të këtyre insulinave, porosi të tjera nuk janë bërë”, ka thënë Hoti të premten për Express.

E gjithë kjo ngjarje rrodhi pasi në shkurt të këtij viti u zbulua se pacientët kosovarë ka më shumë se dy muaj që janë duke përdorur insulinë që është futur përmes kontrabandës në Kosovë. Insulinat përmbajnë dy banderola, atë të Kosovës dhe Serbisë. Një gjë e tillë është thënë nga udhëheqësi i Federatës së Shëndetësisë, Blerim Syla. “Ky ilaç është i paverifikuar dhe është insulinë. Nëse dikë dua ta mbys me 40 gramë insulinë, unë mund ta mbys. Andaj ky bar duhet të kontrollohet nga shteti, sepse është ilaç shumë specifik. Kjo është skandaloze.

Problemi është se si ka hyrë kjo në institucione publike. Është gjetur në gjithë Kosovën nëpër institucione publike shëndetësore”, pati thënë Syla duke vlerësuar se ky është edhe një skandal në sistemin shëndetësor. Madje ai ka kërkuar nga organet kompetente që kjo të hulumtohet, meqë është me rrezikshmëri të madhe për pacientët kosovarë, të futet një lloj ilaçi i tillë i pakontrolluar.

Menjëherë pas kësaj, MSH ka autorizuar inspektorët që të merren me këtë punë dhe gjatë inspektimit në disa qendra mjekësore, ky ilaç është gjetur me dy banderola. Askush nuk dinte se për çfarë insuline bëhej fjalë dhe cila mund të jetë shkalla e rrezikshmërisë gjatë përdorimit të saj. Insulina përdoret te pacientët që vuajnë nga diabeti.(express)