Eko Higjiena

Hetim mbi tenderin që lejoi operatorin IPKO në Kosovë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Javën e kaluar, autoritetet sllovene kanë arrestuar shtatë persona në Slloveni për keqpërdorimin e detyrës dhe dëmtimin që ia kishin shkaktuar kompanisë Telekom Slovenije gjatë blerjes së operatorit të dytë të telefonisë mobile në Kosovë IPKO.

Mediat sllovene dhe ato në Kosovë raportojnë për një ndërmarrje të gjerë të keqpërdorimeve për të fituar të drejtën e veprimit në Kosovë.

Përderisa mendohet se kompania Telekom Slovenije është dëmtuar për më shumë se 10 milionë euro, dyshimet ekzistojnë se kjo shumë parash është përdorur për të paguar palët në Kosovë në marrjen e licencës së telefonisë mobile.

Lëvizja Vetëvneodjse kërkon hetim mbi tenderin që lejoi operatorin IPKO në Kosovë.

“Kujtojmë opinionin publik se në qershor të vitit 2004, UNMIK-u me rekomandimin e Qeverisë Rexhepi kishte anuluar tenderin për telefoninë mobile ku kishte fituar konzorciumi Mobikos, për ta riorganizuar tenderin disa vite më pas, ku fitues kishte dalë IPKO. Kujtojmë se në tenderin e dytë, kompania fituese nuk i pagoi mjetet e nevojshme, ndërsa garancioni bankar nuk u ekzekutua. Ky mosekzekutim veçse shton pyetjet mbi mbarëvajtjen e tenderit.

Në qoftë se dyshimet e autoriteteve sllovene dalin të sakta, atëherë kjo aferë do të ishte afera më e madhe korruptive e zbuluar në Kosovë. Në qoftë se dikush në Slloveni dyshohet se ka paguar ryshfet në Kosovë, atëherë shtrohet pyetja se kush janë ata të cilën e kanë pranuar këtë ryshfet”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Fundamenti

Implikimet janë të shumta por publiku tanimë ka nevojë që të kuptojë të vërtetën mbi këtë tender të manipuluar e të stërgjatur. Në qoftë se vërtetohet dyshimi i hetuesve, atëherë mund të konkludojmë se kompania e dytë e telefonisë mobile ne Kosovë, IPKO, ka hyrë në Kosovë në mënyrë ilegale, me ç’rast është dëmtuar interesi publik për dhjetëra miliona.

“Lëvizja VETËVENDOSJE gjatë javëve në vijim do të shtojë aktivitetet dhe presionin për të hedhur dritë mbi këtë aferë. Së pari, duhet të përgjigjet ish kryeministri Bajram Rexhepi për rolin e tij në anulimin e tenderit të parë. Së dyti, duhet të përgjigjet ish kryeministri i Kosovës Agim Çeku mbi rolin e tij në aferën IPKO. Ish-drejtori i Agjencionit Rregullativ të Telekomunikacionit, Anton Gashi i cili më pas u zgjodh ambasador në Slloveni.

Ndërsa njëri nga pronarët e IPKO-s, palë në këtë shitje tanimë është përzgjedhur nga partia në pushtet të jetë ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pa diskutim që opinioni publik në Kosovë ka nevojë të dijë më shumë edhe për rolin e kompanisë Albright Group pjesmarrëse në këtë shit-blerje. Në Slloveni, hetimet janë filluar për shkak se është dëmtuar interesi publik. E njëjta vlen më shumë për Kosovë.

Lëvizja VETËVENDOSJE kërkon nga hetuesia nisjen e menjëhershme të hetimeve në Kosovë në bashkëpunim me hetuesinë sllovene për të zbuluar këtë skandal multimilionësh. Po ashtu, ne kërkojmë nga zyra e Komisionit Evropian në Kosovë e udhëhequr nga Samuel Zbogar, që të lehtësojë dhe shpejtojë komunikimin në mes të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kosovës për hetimin e përbashkët në këtë drejtim.

Pa zbardhjen e krimeve dhe shthurjen e rrjeteve kriminale Kosova nuk do të mund të zhvillohet as politikisht e as ekonomikisht. Tanimë droja e vetme është se skandalet e zbuluara do të jenë gjithnjë më të mëdha”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes. (ORAinfo)