Heshtja e BE-së kundrejt sulmeve të Serbisë ndaj Kosovës

Përderisa të shtunën u ndaluan nga autoritetet serbe këshilltari në zyrën e kryeministrit Ramush Haradinaj, Srdjan Jovanoviq, dhe këshilltari në Ministrinë e Bujqësisë, Srecko Spasiq, Bashkimi Evropian në anën tjetër po vazhdon të qëndrojë i heshtur kundrejt sulmeve të vazhdueshme të Serbisë ndaj Kosovës, shkruan gazeta “Zëri”.

Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka dalë me një reagim as dy ditë pas ndalimit të dy zyrtarëve serbë të Qeverisë e Kosovës, Srdjan Jovanoviq, këshilltar në zyrën e kryeministrit Haradinaj, dhe Srecko Spasiq këshilltar në Ministrinë e Bujqësisë, të cilët të shtunën u ndaluan nga Policia e Serbisë në pikën kufitare “Dheu i Bardhë”.

Ndalimi i zyrtarëve qeveritarë, kryesisht që vijnë nga radhët e Partisë Liberale Serbe të Kosovës, ka filluar që nga dhjetori i vitit të kaluar derisa deri më tani 9 zyrtarë serbë që janë pjesë e institucioneve të Kosovës janë ndaluar dhe janë intervistuar nga këto organe, raporton “Zëri”.

LEXO EDHE: Deputetët në ‘gjumë’, një muaj pa seancë

Për një periudhë më të shkurtër se një vit Beogradi zyrtar ka ndaluar edhe kreun e Partisë Liberale Serbe të Kosovës Slobodan Petroviq, bashkëpunëtorët e tij Boban Stankoviq dhe Nebojsha Jakovljeviq, këshilltarë në Ministrinë e Punës dhe të Mirëqenies Sociale në Qeverinë e Kosovës.

Përpos tyre në janar të këtij viti Beogradi ka ndalur edhe dy pjesëtarët serbë të Ushtrisë së Kosovës Alen dhe Anel Ujkanoviq, të cilët ishin intervistuar nga autoritetet serbe për disa orë radhazi.

Sulmet e tilla të Serbisë drejt Kosovës përfaqësues të institucioneve të Kosovës i kanë quajtur të papranueshme dhe i kanë vlerësuar si provokime direkte të Serbisë.

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).