United Hospital

Hero apo skllav në tregun e Egjinës

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Sadri Ramabaja – Nuk dua të besoj se heronjtë e kanë braktisur Republikën. Ata, si Sizifi, mund të duken mendjelehtë, meqë nuk i përfillin perënditë. A nuk kishte bërë disi ngjashëm Fehmi Lladrovci teksa qeshte kur pohonte se vdekja për Kosovën i vjen si gjakimi i tij jetësor?

Në Republikën e dytë shqiptare, në Kosovë, një tufë banditësh të veshur me pushtet politik, në krye të të cilit janë katapultuar marionetat e shërbimeve të huaja, ka vite që promovojnë pushtetin tipik të autokracive moderne. Viti 2016 po mbyllet me histori të pështira, dëshmi bindëse se ky pushtet ka vrarë çdo ditë, pak e nga pak, shpresën për të ardhmen e Republikës.
Le të risjellim në kujtesë për një çast tendencën për shitjen e një pjese të Atdheut përmes aktit të demarkacionit të kufirit me Malin e Zi: ngritjen e murit në Mitrovicë, si akt i kryer dhe futjes qoftë edhe për deriçkën e prapme, të Asociacionit të Komunave Serbe; vrasjen në formën më makabre të mundshme të veprimtarit Astrit Dehari; aferën e PTK-së, si akti më publik i tradhtisë ekonomike, që e shpërfaqi Gjykata e Arbitrazhit; terminalet doganore të bijve të kryeministrit…). Në këto rrethana, veprimet goditëse të pakontrolluara nga të zhgënjyerit, por edhe nga idealistët e papërmirësueshëm, mund të jenë fare afër; ato duket se do të shënojnë vetëm prologun e leksionit që kjo bandë do të shtrëngohet ta mësoj – braktisjen e shpresës edhe nga ana e saj.

Brezi i ri tashti, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh të epokës postkoloniale, nuk i nënshtrohet dot aventurës së arketipit utopik të Platonit; ai nuk e gjen dot rrugën të përfundojë në Siçili, siç kishte vepruar Platoni, për të përfunduar në tregun e skllevërve modernë në Gjermani a diku gjetkë në Perëndim.

Viti 2017, për rrjedhojë, po troket frikshëm në portat e mbyllura të së ardhmes shqiptare. Ai ka gjasa të verifikojë edhe një herë maksimën se “idealet janë ideale pikërisht ngaqë nuk realizohen”. Ndërkaq kur veprimet nga idealistët e pakontrolluar do të godasin kokat e krimit politik, tek atëherë do të mund të gjykojmë racionalisht, duke vënë re se ato veprime ndihmojnë në përmirësimin e realitetit, pikërisht ngase nuk merren si realitet.
Unë nuk dua të besoj se heronjtë kanë braktisur Republikën, se ata tashmë kanë përqafuar logjikën që e bëri Platonin të marrë rrugën e aventurës së tij utopike, largimin nga atdheu, duke u shndërruar në skllav në tregun e Egjinës.

Jo, heronjtë tanë janë këtu, mes nesh, në Prishtinë… ata nuk e braktisin dot Republikën.

Mobi Casa

Jo më kot, ata mbrujnë në vete grimcat e atomizuara të akteve heroike të tipit të Oso Kukës e Adem Jasharit. Ata, në fakt, janë si Sizifi, që po t’i besojmë Homerit, na rezultojnë në qeniet më realiste. Ata, ngjashëm si Sizifi, mund të duken mendjelehtë, meqë nuk i përfillin perënditë. Homeri na tregon se Sizifi kishte lidhur me zinxhirë Vdekjen, duke mos e përfillur fare. Përmes atij akti, në fakt, ai ishte tallur me Vdekjen. A nuk kishte bërë disi ngjashëm Fehmi Lladrovci tek qeshte para kamerave të gazetarit të BBC-së, kur i pohonte se vdekja për Kosovën i vije si gjakimi i tij jetësor?!
Ky tip i heroit tonë rron edhe sot.

A e keni vënë re se si ai përherë i përçmon perënditë, se si çdo ditë ushtron zejen e të urryerit për vdekjen, po njëkohësisht çdo ditë e dëshmon dashurinë për Republikën dhe pasionin për jetën?

Ky model i heroit tonë modern tashmë është i pranishëm në botën e mendimit politik të rinisë, që duket se e ka kuptuar mirë nevojën e riorganizimit të jetës shoqërore. Ky model i heroit tonë modern është prodhimi më autentik i këtij populli, që mrekullueshëm diti ta mbijetojë katrahurën më të madhe në fundshekullin e kaluar, duke ruajtur identitetin dhe shpirtin kombëtar. I strukturuar në fuqi politike, ky tip i heroit të heshtur do t’i gjejë rrugët e organizimit dhe veprimit autentik, që do ta garantojnë çlirimin e Republikës (tashmë peng) dhe të dëshmohet dinjitoz në ristrukturimin e shtetit konform interesave të tij jetike kombëtare.

Viti 2017 vetëm sa do të dëshmojë se ky brez i heronjve urbanë do të jetë fuqia e re për rilindjen e Republikës, për funksionalizimin e saj, si garant i ecjes drejt një Shqipërie të re – Federatës Shqiptare.

*Ky shkrim është shkruar enkas për numrin festiv të gazetës “Epoka e re”

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.