Heqin çdo dilemë

Udhëheqësit kryesorë të Bashkimit Europian nuk kanë qenë kurrë më të drejtpërdrejtë sesa të mërkurën. Herman van Rompuy dhe Jose Manual Barroso kërkuan nga Prishtina që të bisedojë me Beogradin për Veriun e Kosovës.
Këtë ia thanë në fytyrë Presidentes Atifete Jahjaga, e cila nuk kundërshtoi dialogun, por përjashtoi çfarëdo statusi special për atë pjesë të Republikës.
Për herë të parë, udhëheqësit europianë kanë kërkuar hapur dialog politik në mes të Beogradit dhe Prishtinës për ta zgjidhur problemin e Veriut të Kosovës.
Kështu, të mërkurën, Presidenti i Këshillit Europian, Herman Van Rompuy i ka thënë Presidentes Atifete Jahjaga se Kosova dhe Serbia duhet të flasin për zgjidhjen e problemit e pjesës më problematike të Kosovës.
“Palët (Prishtina dhe Beogradi) duhet ta trajtojnë situatën në Veri të Kosovës për të mirën e të gjithë njerëzve që jetojnë atje”, ka thënë Rompuy në Bruksel, pas takimit që ka pasur me Presidenten e Kosovës.
“Unë mbetem i bindur se vazhdimi i dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit është rruga më e mirë për të arritur progres dhe për të siguruar stabilitetin dhe zhvillimin e mëtejmë në rajon që është qëllimi kryesor i Bashkimit Europian”, ka shtuar zyrtari më i lartë politik i BE’së.
Në anën tjetër, Presidentja nuk e ka kundërshtuar kërkesën e zyrtarit të BE’së në lidhje me kërkesën për dialog me Beogradin për Veriun. Por, ka thënë se asnjë pjesë e Kosovës nuk mund të ketë status të veçantë nga pjesët e tjera të Republikës.
Megjithëkëtë, Jahjaga fillimisht ka kërkuar zbatimin e marrëveshjeve të arritur më herët për të vazhduar takimet e radhës mes palëve.
“Dialogun e shohim të vetmen mundësi që të zgjidhim të gjitha çështjet dhe të normalizojmë plotësisht marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve. Do të dëshironim që Bashkimi Europian si lehtësues të gjejë mekanizma efikas për mbikëqyrjen dhe garantimin e zbatimit të këtyre marrëveshjeve, që do të përcaktonte edhe nevojën e vazhdimit të mëtejmë të dialogut”, ka thënë Jahjaga, para Rompoyt.
Shefja e Shtetit të Kosovës ka folur për integrimin e Veriut dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale atje.
“Tri komuna në Veri të Kosovës ende nuk kanë përqafuar këtë proces, por ne synojmë t’i përfshijmë këto tri komuna përmes zgjedhjeve të ardhshme lokale në sistemin e qeverisjes duke zbatuar të drejtat e tyre të garantuara me kushtetutë dhe ligje të Kosovës”, u shpreh ajo.
Ajo tha se normalizimi i raporteve ndërmjet Prishtinës e Beogradit “do të ndikojë drejtpërdrejt në zhbërjen e strukturave paralele dhe eliminimin e strukturave kriminale në Veri të Kosovës”.
Kërkesën për dialog për Veriun, Jahjaga e ka dëgjuar edhe në takimin që ka pasur me Shefin e Komisionit Europian, Jose Manual Barroso. Ky i fundit ka thënë se duhet dialog mes Kosovës dhe Serbisë për të gjitha problemet, duke përfshirë edhe Veriun.
“Ne presim që të gjitha çështjet që janë relevante për rajonin të diskutohen. Për këtë i kam bërë një apel të fuqishëm edhe Presidentit të Sebrisë, në vizitën në Bruksel. Ne presim që edhe Kosova ta bëjë të njëjtën gjë”, tha Barroso pas një takimi me Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga.
Ndryshe, Zyrtarët europianë kanë kërkuar hapa konkretë të institucioneve kosovare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
“BE’ja pret që Kosova të rrisë përpjekjet në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në reformat gjyqësore dhe ato në administratën publike”, ka thënë Presidenti i BE’së, Von Rompuy.
E, Presidentja Jahjaga është zotuar se do të luftohet krimi dhe korrupsioni në Kosovë dhe në të njëjtën kohë do të ecet në rrugën për anëtarësim në BE.
“Kosova është vend i rendit dhe i sundimit të ligjit dhe ne po bëjmë përpjekje dhe po ndërmarrim të gjitha veprimet për çrrënjosjen e korrupsionit dhe të krimit të organizuar. Kosova nuk është vend burimi, por vend transit i dukurive të këqija dhe për të qenë më të suksesshëm, Kosova duhet të jetë vend anëtar i gjitha mekanizmave rajonalë dhe europianë të sigurisë”, është zotuar Jahjaga.
Pavarësisht mossuksesit të EULEX’it, Presidentja Jahjaga ka kërkuar vazhdimin e misionit të BE’së për sundimin e ligjit në Kosovë.
“Misioni i BE’së për sundimin e ligjit, EULEX, është duke bërë një punë të mirë, duke gëzuar besimin e qytetarëve të Kosovës dhe ne jemi të interesuar që ky mandat të vazhdohet, edhe pas përfundimit të fazës së pavarësisë së mbikëqyrur duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit, duke respektuar parimet e BE’së për misionet e tilla dhe kërkesën e institucioneve të Kosovës për nevojën e mandatit të këtyre misioneve në vendin tonë”, ka shtuar ajo.
Gjatë kësaj vizite dyditore, Presidentja e Kosovës do të ketë takime edhe me Presidentin me Komisarin për Zgjerim të Bashkimit Europian, Stefan Fyle si dhe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO’s, Anders Fogh Rasmussen.
Rompuy nuk di si shqiptohet mbiemri i Presidentes
Presidenti i Bashkimit Europian, Herman Von Rompuy e ka pyetur Presidenten e Kosovës se si i shqiptohet emri i saj.
Këtë veprim, zyrtari i BE’së e ka bërë teksa ka dalë me Presidenten Jahjaga në konferencë për të folur para gazetarëve.
“Qysh duhet të ta shqiptoj emrin”, e ka pyetur Rompey Jahjagës,
“Atifete”, është përgjigjur Presidentja e Kosovës.
Rompuy i ka thënë se i intereson se si shqiptohet mbiemri i saj.
“Jahjaga”, është përgjigjur Shefja e Shtetit të Kosovës.(express)