RCCOLA

Haziri: Situatën e deeskalon vetëm ai që e ka shkaktuar – amerikanët mund të ndëshkojnë

/ 8 minuta lexim
Uji Dea

Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, i cili është edhe përgjegjësi i kësaj partie për dialog me Serbinë, thotë se në Kosovë katër qeveri kanë ra në Kosovë për shkak të mosarritjes që të implementojnë politika që janë të koordinuara me SHBA-në dhe BE-në. Por, për Qeverinë aktuale thotë se e ka kontaminuar për së tepërmi politikisht ambientin në Kosovë në relacionet me BE-në dhe me NATO’n.

Alma Baxhaku

Haziri thotë se raporti i Qeverisë së Kosovës me SHBA-në është ultimativ, derisa për deklaratat e emisarit amerikan Gabriel Escobar se kryeministrit Kurti i mungon instikti i bashkëpunimit janë shumë shqetësuese

“Amerikanët janë të qartë si kristali kur flasin”, thotë Haziri.

Haziri është përgjigjur të mërkurën në disa pyetje të Gazetës Express duke thënë “se mbetet të shihet se si do të riparohet dhe se si do të tejkalohet kjo situatë e tensionuar me BE-në, NATO-n dhe SHBA, ndërsa sa i përket sanksioneve të paralajmëruara, Haziri nuk e përjashton.

“Mund të ketë edhe ndëshkime politike, të cilat janë paralajmëruar”.

Por, si mund të dalë Kosova nga kjo gjendje?

“Situatën e deeskalon vetëm ai që e ka shkaktuar” thekson Haziri.

Gazeta Express: Dje ishte dita e fundit që u dha si afat nga emisari amerikan Gabriel Escobar për Qeverinë që t’i zbatojë tri kërkesat e SHBA-së dhe BE-së (deeskalim, zgjedhje në komunat veriore dhe kthim në dialog). Këto nënkuptojnë kryetarët në komunat veriore duhet të punojnë në objekte alternative dhe që policia të hiqet nga objektet e komunave. A duhet t’i pranojë Kurti kërkesat të SHBA’së dhe BE’së?

Eco Higjiena

L. Haziri: Po, keni të drejtë. Tash është raporti ultimativ me qeverinë e Kosovës. Sot është vonë sepse tash jemi në afate dhe limite kohore, të cilat qeveria dhe kryeministri Kurti duhet t’i plotësojë. Thirrja jonë ka qenë që prej ditës së parë që partneriteti i ngushtë me SHBA dhe bashkëpunimi me BE është rrugë njëdrejtimshe për aspiratat e republikës sonë dhe për interes edhe të zhvillimit të brendshëm të kësaj Republike. Z. Kurti po vazhdon politikën një hap para, dy prapa. Është kriza e shtatë që është prodhuar në mandatin e tij. Se a do të jetë sot a nesër koha e fundit, këtë vetëm ai që e ka deklaruar mund ta interpretojë. Por, ne duhet ta dimë që jemi vonë dhe dëmi i Republikës sonë tashmë është shkaktuar. Se si do të riparohet dhe se si do të tejkalohet kjo situatë e tensionuar me BE-në, NATO-n dhe SHBA, mbetet të shihet. Situatën e deeskalon vetëm ai që e ka shkaktuar.

Gazeta Express: Gjuha e Escobar ishte shumë e ashpër. Ai e veçoi Kryeministrin Kurti duke thënë se SHBA ka me të vështirësi, ndërsa disa media dje raportuan se ndaj Kryeministrit dhe Ministrit të Brendshëm mund të aplikohen sanksione duke i shpallë persona non grata. Si i komentoni ju këto?

L. Haziri: Tashmë gjuha e emisarit të SHBA është gjuhë e qartë. Amerikanët janë të qartë si kristali kur flasin. Gjuha diplomatike e sekretarit të shtetit ka qenë, po ashtu, e qartë, e zbardhur. Z. Escobar duhet ta shtyjë procesin përpara sepse është detyra e tij dhe nuk mund t’i humbet koha e çmuar që ai ka dhe vëmendjen që qeveria e SHBA nëpërmjet tij ia jep Kosovës, ia jep regjionit të Ballkanit Perëndimor dhe aspiratave euroatlantike. Është shqetësuese kur thuhet se mungon instikti i bashkëpunimit të kryeministrit Kurti me SHBA dhe BE. Ne nuk e aplaudojmë këtë në asnjë mënyrë. Mund të ketë edhe ndëshkime politike, të cilat janë paralajmëruar.

Gazeta Express: Escobar në Beograd tha se Asociacioni do të bëhet vetëm mbetet pyetja se cila qeveri do ta bëjë kjo, apo një e ardhshme? Si e kuptoni ju si parti opozitare këtë?

L. Haziri: Në një formë, katër qeveri kanë ra në Kosovë për shkak të mosarritjes që të implementojnë politika që janë të koordinuara me SHBA dhe BE. Jostabiliteti politik në Kosovë gjithmonë për burim i ka pasur këto pasoja. Por, kanë ndryshuar në rrethanat dhe në kohë. Qeverisja PDK-AKR, e cila e ka nënshkruar marrëveshjen e vitit 2013 nuk e ka përfunduar mandatin. Qeverisja LDK-PDK me kryeministër Isa Mustafën e ka nënshkruar marrëveshjen e parimeve të vitit 2015, e cila ka garantuar një implementim të suksesshëm sepse ka pasur garancion Gjykatën Kushtetuese dhe letrën përcjellëse të ndërmjetëses së BE-së, zonjës Mogherini. Koha na dha të drejtë se ne e kemi maksimalizuar një marrëveshje e cila në Kosovë do të funksiononte si OJQ në kuadër të partneritetit ndërkomunal pa probleme serioze dhe nuk do t’i prekte kufijtë e funksionimit të Kushtetutës. Por, në atë kohë, demarkimi i kufirit me Malin e Zi u bë ‘guri në qafë’ për atë qeveri dhe nuk arriti ta përfundojë mandatin për shkak të mocionit që e inicioni NISMA dhe e përkrahu PDK. Mandej, Qeveria Kurti 1 dhe Qeveria Hoti, po ashtu, nuk arritën që të implementojnë politika që pritej lidhur me procesin e normalizimit në dialog. Qeveria Kurti 2 tash e dy vjet është në këtë situatë, e ka çuar Kosovën drejt një kënete politike, ka kontaminuar politikisht jashtëzakonisht shumë ambientin në Kosovë në relacionet me BE dhe me NATO ka shkaktuar nervozë të panevojshme. Për pasojë, edhe qeveritë e ardhshme do ta kenë jashtëzakonisht të vështirë që të implementojnë politika ose të marrin zotime për zbatim të politikave që janë me problem serioze sot. E mira e madhe do të ishte që kjo qeveri zotimin e marrë në Bruksel dhe Ohër, që të fillojë t’i zbatojë marrëveshjet, e jo që të zhvendosë tek të tjerët një obligim që ai ia ka lënë Kosovës. Barometër i suksesit dhe i progresit në Kosovë do të jetë marrëveshja e Kurtit që do të njihet si marrëveshja më e keqe e pasluftës, fatkeqësisht dhe do të jetë me shumë pengesa për çdo qeveri që vjen pas kësaj. Ky thumb që e ka vendosur z, Kurti do të jetë problem më i madh i qeverive të ardhshme.

Gazeta Express: Emisari amerikan po ashtu bëri një deklaratë interesante duke thënë se Qeveria e ka një draft-statut të Asociacionit, por nuk po e shpalos? Çfarë mund të thoni për këtë, për cilën qeveri tjetër po flet emisari amerikan?

L. Haziri: Një draft-statut që është bërë publik, është sponsoruar nga fondacioni gjerman, të cilët kanë një afërsi ideologjike me VV-në. Është bërë publike para shoqërisë civile, korit diplomatik, para eksponentëve më të rëndësishëm politikë që merren me dialog. Qeveria mund ta ketë edhe një dokument të saj sepse ka pasur koluareve që nga vitit 2017 draft-statute të tilla. Fundja, draft-dokumenti i ekipit menaxhues është abortuar politikisht në takimin e Brukselit sepse ata kanë gabuar në qasje, në formë dhe në metodë të punës, Kjo është ajo e vërteta e madhe që i ka shkaktuar një ‘vdekje klinike’ një draft-statuti i cili ka qenë i keq. Tani, emisari amerikan po kërkon që qeveria e Kosovës ta nxjerrë vizionin e saj se si ajo e sheh dhe frika për këtë është e pashpjegueshme sepse ka nënshkruar marrëveshje në Bruksel, e ka konfirmuar në Ohër, ka premtuar që do ta zbatojë marrëveshjen dhe asnjë arsye nuk e ka që tani të nxjerrë telashe në atë që kanë pritje partnerët tanë.

Gazeta Express: Ka një presion të madh të amerikanëve për Asociacionin, ndërkohë kur Escobar dje u pyet se kur duhet të ndodhë para apo pas zgjedhjeve në Veri, ai refuzoi të flasë, duke thënë se sekuencimi është në dorën e europianëve. A i lejon kjo hapësirë Kryeministrit për manovrime?

L. Haziri: Sekuencimi si draft-dokument ekziston, është në duart e ndërmjetësit ndërkombëtar sepse ai është autoriteti i cili e komenton dhe interpreton marrëveshjen Kurti-Vuçiq. Për këtë janë të njoftuar vetëm qeveria si palë negociatore. Nuk e lexoj si presion angazhimin z. Escobar në vizitën e fundit. Është presion për qeverinë sepse këtë e kanë premtuar. Ndërsa, është njoftim për popullatën dhe opozitën se çka do të ndodhë nëse qeveria e Kosovës vazhdon ta dështojë marrëveshjen që e ka pranuar vetë dhe mosmbajtjen e premtimit që e ka dhënë para partnerëve. Mbi palët, sipas Kushtetutës, duhet të dalë presidentja e cila duhet të reagojë. Duhet të tregojë se cila është rruga, forma, mënyra dhe metoda që ajo e sheh si institucion gjithëpërfshirës në Republikën e Kosovës.