Fundamenti

Haziri premton mbështetje për hendbollistet gjilanase

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune Klubin e Hendbollit “Drita” – femrat, të cilat janë kampione në kategorinë për pioniere dhe kadete në nivel vendi.

Me këtë rast kryetari Haziri është zotuar se do të jetë pranë këtij Klubi deri në përmirësimin e gjendjes dhe gjetjes së donatorëve – sponsorëve.

“Nga tani e tutje do të jem pranë kryesisë së klubit, në mënyrë që t’u ndihmoj deri në gjetjen e donatorëve të cilët do ta ndihmojnë rrugën tuaj të suksesit më vonë. Për këtë kampionat ne do të heqim të gjitha shpenzimet për kuotizimet dhe udhëtimet që ju keni për lojërat brenda vendit”, ka thënë ndër të tjerash kryetari Haziri, duke shtuar se shumë shpejtë do ta caktoj edhe shpërblimin për çmimin e parë për këtë kategori, por edhe për sportistin më të mirë që do të shpërblej Komuna e Gjilanit si institucion.

Eco Higjiena

Ndërsa kryetari i Klubit, Selami Ymeri, ka njoftuar kryetarin me kampionet e hendbollit por edhe me fillimin e sezonit që do të nisë nga 20 shtatori. Poashtu edhe sfidat dhe problemet që kanë në këtë fillim të sezonit.

“Ju informoj se sezoni i ri nis me datën 20 shtator. Lojtaret tona janë më të mirat gjithsesi. Me punën vullnetare të të gjithëve në klub dhe me profesionalizmin e gatishmërinë që kemi ne sigurisht që asnjëherë nuk do të dorëzohemi por përherë e më fuqishëm do të ecim përpara drejt sukseseve. Kemi përfaqësuar Komunën tonë dhe shtetin e Kosovës në disa gara ndërkombëtare”, ka thënë ai duke e falënderuar kryetarin Haziri për zotimin e mbështetjes për këtë sezon./rajonipress/