RCCOLA

Haziri merr dy vendimet e para

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Kryetari i ri i Komunës, Lutfi Haziri, menjëherë pas marrjes së detyrës, ka nxjerrë dy vendime. I pari ka të bëjë dhënien e objektit të kryetarit për Muze, ashtu siç kishte premtuar, ndërsa tjetri me emërimin e ushtruesve të detyrës së drejtorëve komunalë, nga radhët e shërbimit civil.

Në konferencën e parë me gazetarë, Haziri ka thënë se do të punojë me këtë staf këshilltarësh deri në emërimin e drejtorëve të rinj, për të mos lënë vakum institucional. Ai paralajmëroi reduktim të numrit të drejtorive komunale. Sa i përket statusit të drejtorëve të deritashëm, kryetari i Komunës, Lutfi Haziri sqaroi se ata janë të lirë prej ditës së sotme.

Kështu, Agim Velekinca është caktuar ushtrues detyre në Administratë të Përgjithshme, Valon Shefkiu në Inspekcion, Sali Kçiku në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik, Bardhyl Syla në Arsim, Bujar Haziri në Kulturë, Rini e Sport, Isuf Berisha në Kadastër, Mumin Kqiku në Urbanizëm, Enver Biçkaj në Shërbime Publike, Vahid Aliu në Bujqësi, Halit Rexhepi në Mbrojtje dhe Shpëtim, Mursel Zymberi në Shëndetësi dhe Mbrojtje Sociale dhe Ilmi Limani në Buxhet dhe Financa.

Uji Dea

Haziri ka qenë i qartë edhe në raport me të punësuarit me kontrata në vepër, duke thënë se nuk do të ketë më asnjë të tillë. Nuk zbutet papunësia duke punësuar njerëz me kontrata, ka thënë Haziri, ndërkohë i ka siguruar shërbyesit civilë që kanë kontrata të rregullta se askush nuk do t`i prek ata.

Ai ka paralajmëruar një ulje të madhe të shpenzimeve komunale, që është e domosdoshme për shkak të borxheve të mëdha që ka komuna e Gjilanit, që siç ka thënë Haziri, arrijnë në 8 milionë euro. /rajonipress/