Eko Higjiena

Haziri: Kosova e Serbia duhet të flasin edhe për Luginën

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Kryetari i Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri ka thënë se dialogu në Bruksel nuk ka alternativë, por në të njëjtën kohë assesi nuk bën të pranohet që vendi të sakatohet duke lejuar krijimin e nivelin e tretë të pushtetit, që e njohim si të drejtat ekzekutive për asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“E rëndësishme është që neve të na lejohet që në mandatin e ri të hyjmë në negociata për Stabilizim – Asocim, të fillojë thithja e fondeve të komunitetit, të fillojnë përgatitjet për programin IPA 2, prej të cilës mund të përfitojë Kosova. Gjithashtu duhet të përqendrohemi te ai që quhet sundim i ligjit, sepse nuk mund që edhe më tutje të justifikohet gjithçka me dialogun me Serbinë”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, fakti që Kosova i ka thënë PO dokumentit të bisedimeve që prej 4 marsit e bën të pajustifikueshme që të barazohet Kosova me Serbinë në mbledhjen e ardhshme të Këshilli të Ministrave të BE-së, më 16 prill.

Ndërkohë, Haziri ka folur edhe për propozimin e tij që të bëhet rregullimi i kufijve sipas parimit të vitit 1956.

“Kosova dhe Serbia duhet të bisedojnë për problemet e rënda, e jo për problemet e lehta. E problem i rëndë nuk është vetëm zgjidhja e problemeve të serbëve në tri komuna, por është zgjidhja e problemit të shqiptarëve në tri komuna në lindje të Kosovës.

KKVITI

Parimi i vitit 1956 është njëra prej mundësive që e eliminon ndarjen territoriale dhe parimin e ndryshimit të dhunshëm të kufijve”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, me anë të dialogut do të vendoseshin kufijtë e rinj në mes të Kosovës dhe të Serbisë, ndërsa kjo do të përjashtonte ndarjen e territorit dhe lëvizjen e njerëzve. “Natyrisht që Beogradi e ka pranuar tashmë që tri komunat me shumicë shqiptare janë futë në Serbi për të bërë balancim demografik në një periudhë të caktuar kohore”, ka thënë Haziri.

Sipas tij, ky ndërrim do të ishte njëri prej opsioneve të vetme që mundëson fillimin e normalizimit, sepse normalizimi i plotë me Serbinë bëhet vetëm kur kompensohen dëmet e luftës dhe kërkim-falja vendoset në tavolinë.

“Duhet të definohet qartë kush ka qenë agresori dhe kush viktima. Tendenca e Serbisë është që të përfitojë vet nga pretendimi se Kosova ka përfituar nga procesi i bisedimeve në Vjenë”, ka thënë Haziri. /Telegrafi/