RCCOLA

Haziri: Gjithçka nën kontroll

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Gjilan – Kemi vlerësuar gjendjen lidhur me vërshimet në 24 orët e fundit. Mund t’ju them se gjendja është në nivel të kontrollit, ende nuk kemi situatë emergjente në Komunën e Gjilanit, kështu që Task Forca për menaxhimin e thatësisë, tash edhe të vërshimeve, do të merret në baza ditore në menaxhimin e situatës në terren. Poashtu, drejtori për bujqësi me një komision të veçantë do të merret me vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë, që një pjesë e kulturave bujqësore është e dëmtuar. Gjatë ditës së sotme do të raportojmë gjendjen në qeveri, u shpreh Lutfi Haziri.

Për t’u dalë në ndihmë banorëve pas reshjeve të fundit, ku u vërshuan një pjesë e fshatrave, kryetari Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri sot ka mbajtur takimin e nivelit të lartë të Komunës për menaxhimin e situatës pas reshjeve të fundit atmosferike nga institucionet relevante, që përfshijnë Komunën me organet e saj, Forcën e Sigurisë së Kosovës, Policinë e shtetit dhe të gjitha mekanizmat tjerë.

Vërshime më së shumti ka pasur në Grykën e Karadakut përkatësisht në fshatrat: Lladovë Zhegër, Haxhaj, Isufaj, Pidiq, Shurdhan, Stanqiq, Dunav, Nasalë dhe në Uglarë e Pogragjë.

Kryetari Haziri tha me këtë rast se gjendja në terren është nën kontroll të vazhdueshme institucionet tona, përderisa ditëve në vazhdim do ta japin vlerësimin për dëmet në bujqësi.
“Kemi vlerësuar gjendjen lidhur me vërshimet në 24 orët e fundit. Mund t’ju them se gjendja është në nivel të kontrollit, ende nuk kemi situatë emergjente në Komunën e Gjilanit, kështu që Task Forca për menaxhimin e thatësisë, tash edhe të vërshimeve, do të merret në baza ditore në menaxhimin e situatës në terren. Poashtu, drejtori për bujqësi me një komision të veçantë do të merret me vlerësimin e dëmeve në sektorin e bujqësisë, që një pjesë e kulturave bujqësore është e dëmtuar. Gjatë ditës së sotme do të raportojmë gjendjen në qeveri”, u shpreh Haziri pas takimit.

Haziri përmendi propozim-projektin e rëndësishëm që ia ka dorëzuar qeverisë së Kosovës, për mbushjen e pendës së Përlepnicës për t’u mos rrezikuar nga thatësia si dhe projektin e dytë mbi rregullimin e shtratit të lumit “Morava”, i cili veç është miratuar.
“Më lejoni t’i përmend dy fakte që kemi ndërmarrë gjatë javës së kaluar. E para ka të bëjë me propozim idenë mbi gjendjen e ujit të pijshëm në Gjilan dhe zgjidhjen afatgjate. Ne ia kemi dorëzuar kryeministrit dhe qeverisë projektin ideor, për mbushjen e pendës së Përlepnicës në të ardhmen, që të mos rrezikohemi nga thatësia. Fatmirësisht, tash nuk jemi në gjendje të rëndë të ujit të pijshëm, por kjo do të bëhet për situatat e paparashikueshme dhe të ardhmen. Besojmë shumë që qeveria do ta marrë në konsideratë këtë projekt. Dhe e dyta, projekti mbi rregullimin e shtratit të lumit Morava ka kaluar, që përfshin Komunën e Vitisë dhe Gjilanit dhe të gjitha Komunat përreth, i cili në të ardhmen do ta evitoj problemin e vërshimit të Moravës në kulturat bujqësore dhe ekonomitë familjare”, ka thënë Haziri.

Niveli në Pendën e Përlepnicës rritet për 7 metra

Nënkryetari Rexhep Kadriu, ka dhënë një lajm të mirë për qytetarët e Gjilanit, duke thënë se tashmë niveli i ujit në pendën e Përlepnicës është shtuar për 7 metra, ndërsa burimi i vjetër ‘Guri Hoxhës” është rritur nga 35 në 50 litra për sekond.

UBT

Ai tha se të martën do të rishikohet orari i reduktimeve dhe në këtë mënyrë shpreson që qytetarët të furnizohen me ujë 24 orë.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim Halit Rexhepi, ka thënë se vazhdimisht u ka dalë në ndihmë nevojave të qytetarëve, për ujë të pijshëm, largim të pengesave në rrugë pas shembjes së dheut etj.

Drejtori i Bujqësisë, Ramiz Ramadani, ka thënë se dëmet në bujqësi janë të konsiderueshme dhe gjatë ditës së djeshme dhe të sotme ka vizituar të gjitha fshatrat e prekura, ku është dëmtuar kultura e grurit, perimet dhe pemëtaria.

Remzi Azemi, komandant i stacionit policor të rajonit të Gjilanit, tha se policia që nga dje në mëngjes ka qenë e angazhuar duke shtuar patrullimet nëpër të gjitha lokacionet në Komunën e Gjilanit dhe në Bashkëpunim me Drejtorinë për Mbrojtje dhe Shpëtim kanë qenë në vëzhgim të terrenit.

Ai tha se në orët në vazhdim do t’i shtojnë patrullimet, në mënyrë që nëse ka shembje të dheut e të gurëve të njoftojnë shërbimet përkatëse.

Kryetari Haziri ka apeluar qytetarët që të mos e përdorin ujin e burimeve alternative pa u konstatuar gjendja, për shkak se mund të jetë i ndotur nga vërshimet e mëdha.

Haziri pohoi se në ditët në vijim Instituti përkatës do të dalë në terren për ta konstatuar gjendjen e ujit të pijshëm në fshatrat e prekura./rajonipress/