Haziri: Edhe pas 23 vitesh ia vlen të jesh me LDK
Gjilan – Ishte dhe mbetet meritë e LDK-së, krijimi i institucioneve të para demokratike në Gjilan. Mënyra se si u bënë këto, dihet mirëfilli dhe, jo rrallë, Gjilani ishte model edhe për komunat tjera, ngjashëm siç ishte dhe para luftës. Në këtë pjesë të Evropës Juglindore, Gjilani, nën udhëheqjen e LDK-së, përmendej për vite, madje mori dhe diplomë nga Këshilli i Evropës, për jetësimin dhe zhvillimin e demokracisë ka thënë Lutfi Haziri.
Në përvjetorin e 23 të LDK-së kanë folur për punën dhe veprimtarinë e këtij subjekti politik dy figura kyçe dhe themelues të saj në Gjilan, Lutfi Haziri dhe Lirije Kajtazi.
Haziri ka thënë s janë 23 vite pune e angazhimi për një Kosovë shtet, për një Kosovë të pavarur e sovrane, për një Kosovë të zhvilluar e me perspektivë evropiane.
“Kontributi ynë në këtë rrugë, në këtë vizion dhe në kërkim të vizionit të ri për Kosovën, nuk ka reshtur as edhe një çast. Kemi qenë dhe mbesim pjesë e këtyre zhvillimeve, që nga baza, nga celula më e skajshme e deri në qendër. Sepse edhe rrugëtimi jonë 23 vjeçar na e mundëson këtë, na obligon po edhe përforcon në angazhimet e reja që na presin, e që nuk janë të pakta dhe për të cilat po përgatitemi, për ta bërë Kosovën e, me këtë, edhe komunën tonë, ashtu siç e dëshiruam të gjithë, edhe ata që u flijuan e sot nuk janë në mesin tonë, edhe ne që mbetëm e shumë të tjerë që po vijnë dhe, e kanë po të njëjtin qëllim, për ta bërë një Kosovë çfarë na duhet neve, çfarë i duhet kësaj kohe. E, brenda kësaj Kosove, edhe Gjilanin, i cili, si qendër e Kosovës Lindore, viteve të fundit është anashkaluar dhe nuk e ka përkujdesjen që meriton”.
Haziri tha se Dega e LDK-së në Gjilan, edhe sot pas 23 vitesh jetë e veprim të pareshtur, mburret me atë që bëri për këtë komunë, për këta qytetarë, për këtë Kosovë.
“Po kjo Degë, e cila u konsolidua shumë shpejt pas luftës, falë frymës së mëhershme të unitetit, veprimit dhe angazhimit, arriti ta ruajë si duhet dhe ndershëm, frymën Rugoviane, duke i konsoliduar institucionet e para bashkë qeverisëse këtu në Gjilan. E, më pas edhe zgjedhjet e lira, ku doli fituese në dy palë zgjedhje lokale e, në dy palë zgjedhje nacionale. Ishte dhe mbetet meritë e LDK-së, krijimi i institucioneve të para demokratike në Gjilan. Mënyra se si u bënë këto, dihet mirëfilli dhe, jo rrallë, Gjilani ishte model edhe për komunat tjera, ngjashëm siç ishte dhe para luftës. Në këtë pjesë të Evropës Juglindore, Gjilani, nën udhëheqjen e LDK-së, përmendej për vite, madje mori dhe diplomë nga Këshilli i Evropës, për jetësimin dhe zhvillimin e demokracisë” ka nënvizuar Haziri .
Haziri shtoj se falë kësaj dege dhe këtij angazhimi, ishim shumë të kujdesshëm në shfrytëzimin e parasë publike, duke dhënë llogari përherë para qytetarëve, madje edhe para hetuesve, aty, falë shpifjeve të vazhdueshme nga opozita e atëhershme, përkatësisht pozita e tashme e cila, rrush e kumbulla po e bën buxhetin e taksapaguesve të qytetarëve edhe këtu, në komunën tonë. “Po, ne nuk do ndjekim shembullin e keq të shpifjes. Janë institucionet përkatëse tashmë që duhet ta bëjnë punën për të cilën janë të thirrur dhe paguhen”.
LDK-ja, në një mënyrë edhe u vetëflijua për t’ia mundësuar Kosovës edhe njëherë që të verifikohej si shtet. E, duket se në këtë vetëflijim, i ra hise të jetë qe një kohë edhe opozitë, fillimisht në nivele lokale, por edhe të ndërtojë koalicione, jo në interes të saj si parti, po për hir të proceseve nëpër të cilat po kalonte Kosova ka përkujtuar Haziri.
LDK-ja dhe dega e këtushme, njëmend do mbetet alfabet jo vetëm i demokracisë, zhvillimit dhe i perspektivës, po, edhe po bëhet alfabeti i integrimit dhe lidhjes jo vetëm mes shqiptarëve. Po, edhe me botën. “Prandaj, edhe pas 23 vitesh, ia vlen të jesh me LDK-në, të punosh për LDK-në dhe, të ardhmen tënde e të Kosovës. Koha e LDK-së po rikthehet, dhe atë, për hir të saj e, ma shumë për hir të Kosovës” ka thënë Haziri.
Kurse Lirije Kajtazi tha se qëllimi i formimit të LDK lindi si parti për të qenë afër qytetarit, si misionare e shenjtë për t’i lehtësuar rrugën popullit të Kosovës në synimet për Liri, Pavarësi e Demokraci , të artikuluar në programin politik të LDK nga Presidenti historik Dr Ibrahim Rugova, si abc e shtetit të Kosovës,
Kajtazi tha se futja e gozhdëve në ligje, për të legjitimuar sjelljen e kastës politike, është një atak i ri qe këta të fundit po i bëjnë Kosovës. Vlerat atrofohen në mendësi partiake të PDK. Populli i Kosovës dhe ky i Gjilanit nuk meriton të futet në 9 vendet me të varfra të botës./rajonipress/

