Fundamenti

Haziri: Do t’i promovojmë dhe mbrojmë prodhimet vendore

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan – Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri, i ka pritur sot në një takim punë kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu me bashkëpunëtorët e tij nënkryetarin dhe bordin dhe bizneset e Gjilanit, me të cilin ka biseduar për bashkëpunimin në të ardhmen për të krijuar lehtësira dhe hapësirë për vende të reja pune por edhe për mbështetje të biznesit vendor për zhvillimin në përgjithësi.

Kryetari Haziri dhe kryetari Gërxhaliu, janë zotuar për partneritet dhe bashkëpunim në mbështetje të bizneseve dhe prodhimeve vendore.

Me këtë rast kryetari Haziri ka thënë se bashkëpunimi në nivelin lokal është mase i domosdoshëm mes dy institucioneve për të krijuar impulse pozitive për zhvillimin ekonomik dhe zgjerim të mëtutjeshëm të bizneseve.

“Komuna e Gjilanit jo që njihet më parë si një vend industrial, por edhe tani me këta prodhues dhe ndërmarrës e mbajnë jetën gjallë. Janë këta më meritorët për gjendjen që e kemi në zhvillimin ekonomik, në rrugën të cilën e kemi marr për të ecur përpara. Unë në cilësinë e kryetarit të Komunës kam ofruar partneritetin e plotë për bizneset. Do t’i favorizojmë dhe mbështesim prodhimet vendore, jo vetëm me apel, por do të ndërtojmë edhe mekanizma të përbashkëta, në mënyrë që ato të blihen dhe konsumohen nga qytetarët. Produktet që sot prodhohen në Gjilan janë me kualitetin më të lartë. Kanë plotësuar të gjitha standardet, dhe është një kontribut shumë i madh në zhvillimin e vendit. Ndërmarrjet e Gjilanit na bëjnë krenar si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës, ku në tregun Europian kemi sot produktet tona në tetë shtete të BE-së, kështu që çdo lloj standardi është i plotësuar”, ka spikatur ndër të tjerash Haziri.

Uji Dea

Ndërsa Safet Gërxhaliu kryetar i OEK, ka uruar kryetarin Haziri dhe ka falënderuar poashtu edhe komunitetin e biznesit për kontributin jo vetëm në Gjilan por edhe në gjithë Kosovën.

“Bizneset janë heronjtë e Kosovës pas luftës, sepse familjet Gjilanase, po sigurojnë jetesën nga puna dhe veprimtaria e këtyre ndërmarrjeve. Prioritetet e Komunës së Gjilanit janë në harmoni me ato të OEK. Nëse synohet hapja e vendeve të punës, sjellje të investimeve të huaja këtu, duhet të krijohet një zonë e lirë industriale dhe duhet të bëhet ende më tepër për mbështetjen e sektorit privat, në veçanti atij prodhues në Kosovë, gjë për të cilën ne gjithmonë do ta lavdërojmë dhe mbështesim Komunën e Gjilanit në këtë rrugë të cilën është e vendosur për ta lëvizur përpara ekonominë e vendit dhe biznesin e Gjilanit”, tha ndër të tjerash ai.

Ndryshe kryetari Haziri ka bërë të ditur se këtë vit do të rikthehet panairi me traditë 100 vjeçare i prodhimeve vendore që do të mbahet gjatë muajit korrik dhe panairi tjetër që do të mbahet në muajin tetor. /rajonipress/