UBT

Hashim takoje Bajrushin

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Nga Enis Veliu – Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, ka paralajmëruar fillimin e një lufte të re, nëse eventualisht kandidati i Iniciativës Qytetare “Srpska” për kryetar të komunës veriore të Mitrovicës, nuk i fiton zgjedhjet në këtë komunë, e ku raundi i dytë i zgjedhjeve do të mbahet këtë të diel.

Daçiq dhe e gjithë makineria serbe, kanë dalë në përkrahje të kandidatit të tyre nga Iniciativa Qytetare “Srpska”, Kristimir Pantiq, e i cili në raundin e parë të zgjedhjeve me 3 nëntor të këtij viti arriti të sigurojë 27,06 % të votave, duke shkuar kështu edhe një herë në zgjedhje me Oliver Ivanoviq, i cili ka arritur të sigurojë 28,53 % të votave për kryetar të komunës në pjesën veriore të Mitrovicës.

Mirëpo, jo shumë më larg se rreth 20 kilometra prej Prishtinës, në qytezën e Novobërdës, kandidatit shqiptar për kryetar të komunës, Bajrush Ymeri, sipas të gjitha gjasave i rrezikohet fitorja, e ku sërish timonin e kësaj komune të banuar me shumicë shqiptare do ta marrin serbët.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, shqiptarët përbëjnë 56 % të banorëve të Novobërdës.

Kryeministër ju nuk po paralajmëroni luftë dhe mirë po bëni, nëse humb Ymeri pushtetin dhe fiton kundërkandidati që përkrahet nga shteti serb.

Kryetari aktual i kësaj komune tashmë po e konsideron veten si të pafuqishëm në raundin e dytë të zgjedhjeve, pasi që kundërkanditati i tij po përkrahet jo vetëm nga institucionet serbe, ish-pjesëtarët e MUP-it, por edhe nga zyrtarë të lartë qeveritarë, me të cilët ju z. Kryeministër e ndani pushtetin. Pra, kandidatin e listës “Srpska” po e përkrah edhe zëvendësi juaj, Sllobodan Petroviq.

FIDANISHTJA

Është për të habitur fakti se si liberali Petroviq, që ka luftuar deri më tani për inkuadrimin e serbëve në institucionet e Kosovës, po e përkrah një kandidat, i cili ka për qëllim që këto institucione lokale t’i orientojë drejt qeverisë së Ivica Daçiqit.

Derisa kundërkandidati i Ymerit po gjen përkrahje nga të gjitha partitë serbe në Kosovë, por edhe nga zyrtarë të lartë të Qeverisë së Kosovës, ai (Ymeri) ka mbetur pa përkrahje shtetërore.

Ymeri ditëve të fundit nëpërmjet miqve të tij ka kërkuar një takim prej pesë minutash me kryeministrin e Republikës së Kosovës, mirëpo ky i fundit as që është lodhur për një takim të tillë.

Në këtë rast kryeministri me vetëdije të plotë, apo pa vetëdije po e krijon një komunë të re serbe në Kosovë, pasi që partneri i tij në Qeveri po e përkrah kandidatin e iniciativës serbe.

Prandaj, Kryeministër, gjej forcën dhe tejkaloji inatet politike dhe përkrahe një kandidat shqiptar për komunën e Novobërdës, ashtu siç po vepron homologu juaj nga Serbia, i cili po i përkrah kandidatët serbë, madje duke paralajmëruar lufta të reja në këtë vend, nëse do të ndodhte e kundërta.

Z. Thaçi, nëse jeni treguar atdhedashës në luftë, tash e keni shansin të tregoheni nacionalist në demokraci (ashtu siç po tregohet homologu juaj serb), pasi që tashmë gjithçka po varet nga ju, sepse heshtja juaj në mënyrë automatike është një “Po” e madhe për krijimin edhe të një komune të re serbe në Kosovë, e ndërkaq veprimi juaj i jep edhe pak shpresë në raundin e dytë të zgjedhjeve kandidatit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajrush Ymeri, i cili në raundin e parë ka marrë rreth 300 vota më shumë se sa kandidati i listës qytetare “Srpska”. Kur bëhet fjalë për shtetin, duhet të harrohet pushteti.