Uji Dea

Hasani firmos për pesë vjet me Dinamon e Zagrebit

/ 3 minuta lexim

Zagreb – Futbollisti shqiptar, Ferhan Hasani, karrierën do ta vazhdojë te Dinamo e Zagrebit. Klubi më i madh kroat ka arritur marrëveshje me Wolfsburgun e Bundesligës gjermane për transferimin e Hasanit, ndërsa me mesfushorin ofensiv është dakorduar për kontratë pesëvjeçare.

Kontrata do të firmoset të premten, pasi Hasani të kalojë kontrollimin mjekësor. “Bëhet fjalë për një lojtar 22-vjeçar, i cili sigurisht do t’i shërbejë shumë trajnerit. Është lojtar krahu, i shpejtë dhe modern”, ka thënë kryetari ekzekutiv i Dinamos, Zdravko Mamiq. Ai është shprehur i lumtur për përfundimin e punës për transferimin e Hasanit.

Ferhan Hasani si lojtar është zhvilluar te Shkëndija e Tetovës. Ai ftohet rregullisht nga përfaqësuesja e Maqedonisë, për të cilën deri më tash ka regjistruar 14 paraqitje dhe ka shënuar një gol. Hasani para një viti kaloi te Wolfsburgu me të cilën skuadër nënshkroi për tri vite. Por, te klubi gjerman hasi në vështirësi për të dalë në skenë. Në Bundesligë ka regjistruar vetëm tri paraqitje gjatë sezonit të vjeshtës, ndërsa në ndeshjet e fundit nuk është grumbulluar fare.

UBT

Te Dinamo presin shumë nga Hasani të cilin e kanë kërkuar edhe në verë të vitit të kaluar. Por, trajneri i atëhershëm i Wolfsburgut, Feliz Magath, i cili edhe e transferoi Hasanin nuk e liroi duke thënë se llogarit në shërbimet e tij. Pas largimit të Magathit, Wolfsburgu vendosi ta shesë.

“E njoh Hasanin, pasi e kam përcjellë përfaqësuesen e Maqedonisë kur isha asistent i Igor Shtimacit. Hasani në përfaqësuese luan në krahun e majtë. Kemi kërkuar lojtar cilësor të krahut dhe ai përshtatet me dëshirat tona”, ka thënë trajneri i Dinamos, Krunoslav Jurçiq. “Ferhan Hasani ka dribling, mund të zgjidhë situatat një kundër një. Atë po e sjellim si përforcim. Natyrisht Hasani këtë duhet ta arsyetojë. Ai mund të luajë në të dy krahët e mesfushës, afër vijës së autit. Në Wolfsburg ka luajtur në krahun e djathtë, te Maqedonia në krahun e majtë”, ka shtuar Jurçiq.

Dinamo ka vite që dominon në futbollin kroat. Në dy edicionet e fundit është paraqitur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Pjesë e klubit nga Zagrebi janë edhe Fatos Beqiraj e Arijan Ademi.(koha)