Fundamenti

Harrojeni dilemën për pragun

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Është i kënaqur me përgatitjet që po bëhen në parti për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. Pret që në këto zgjedhje AKR-ja të dalë faqebardhë para votuesve të saj. Zëvendëspresidenti i AKR-së, Fadil Ismajli, është i bindur se kjo parti pa asnjë problem do ta kalojë pragun zgjedhor.

Zëvendëspresidenti i Aleancës Kosova e Re, Fadil Ismajli, është i bindur se kjo parti pa asnjë problem do ta kalojë pragun zgjedhor. Një gjë e tillë, sipas Ismajlit, as që vihet në pikëpyetjet. Në një intervistë për gazetën Tribuna, Ismajli ka thënë se AKR do të hyjë si e vetme në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit. “AKR jo që do të kalojë pragun, por AKR do të jetë shumë bindëse me votat e qytetarëve të cilët për çdo ditë po na kërkojnë ne, e jo ne ata”, ka thënë Ismajli. Duke folur rreth ofertës me të cilën do të dalin para qytetarëve, Ismajli ka thënë se kjo ofertë nuk do të ndryshojë shumë nga ajo e viteve të kaluara. “Kjo për faktin sepse nuk është punuar asgjë nga viti 2007 në aspektin ekonomik dhe sundimin e ligjit, të cilat janë segmente të cilat do ta dërgojnë shtetin përpara”. Ismajli ka treguar se AKR ende nuk e ka përpiluar listën për deputetë, por sipas tij, pjesë e kësaj liste do të jenë personalitet të shquara të vendit. Ndërsa ka thënë se AKR është duke punuar intensivisht rreth përgatitjeve për zgjedhjet e 8 qershorit.

Tribuna: A do ta kalojë pragun AKR-ja?

Ismajli: Harrojeni këtë pyetje ju lutem. Bile bile po ndihem i ofenduar. AKR, jo që do të kalojë pragun, por AKR do të jetë shumë bindëse me votat e qytetarëve të cilët për çdo ditë po na kërkojnë ne, e jo ne ata. A e dini pse po na kërkojnë? Sepse e kanë përcjellë punën tonë, i kanë përcjellë rezultatet tona dhe më në fund qytetari po e kërkon më së shumti atë që i nevojitet Kosovës, po e kërkon zhvillimin, po e kërkon perspektiven, punësimin dhe promovimin e vlerave të Kosovës. Kjo është ajo që do t’ia afrojmë qytetarëve, sepse dimë ta bëjmë atë punë.

Tribuna: Kush janë emrat që do të jenë në listën e AKR-së?

Ismajli: Lista do të bëhet shumë shpejt. Ju po e shiheni se për çdo ditë po aderojnë intelektualë më të mirë të Kosovës, dhe në ditët në vazhdim do të aderojnë profesorë, arkitektë të të gjitha profileve.

Tribuna: Çfarë oferte ka AKR për votuesit?

Ismajli: Oferta e AKR-së për votuesin, nuk dallon shumë prej asaj që e kemi thënë në vitin 2007 dhe në vitin 2010. Kjo për faktin sepse nuk është punuar asgjë nga viti 2007 në aspektin ekonomik dhe sundimin e ligjit, të cilat janë segmente të cilat do ta dërgojnë shtetin përpara.

Tribuna: Keni vendosur të hyni si të vetëm në zgjedhje, apo do të bëni ndonjë koalicion parazgjedhor?

Ismajli: Tash për tash AKR shkon e vetme në zgjedhje, sepse elektorati e kërkon një gjë të tillë.

ARKATANA

Tribuna: Çfarë mendoni se do t`i jepni partisë si zv/president?

Ismajli: Vazhdoj t’i kryej detyrat e mia me një ngarkesë më të madhe. Detyrat e mia janë puna në programin e AKR-së, pastaj shpjegimin-klarifikimin e programit dhe me marrjen e pushtetit në implementimin e zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Tribuna: A prisni që të mbrohet vota juaj në zgjedhje?

Ismajli: Normalisht se ekziston një frikë e cila duhet të na mobilizojë me tepër, për shkak të një hapësirë shumë të shkurtë, kjo ka qenë arsye pse ne kemi qenë kundër mbajtjes së zgjedhjeve në qershor. Ka një sërë arsyesh pse konsiderojmë se zgjedhjet me një nguti të tillë mund të shkaktojnë edhe mungesë të rezultatit të pritur nga zgjedhjet, mund të lëmë për të dëshiruar një rregullsi të zgjedhjeve dhe kjo na shtyn tash që të mobilizohemi më tepër me komisionarë, vëzhgues e kështu me radhë. Çështja tjetër ka qenë se dikush është frikësuar nga përfundimi i projekteve madhore që i kemi nisur për Kosovën, siç është Trepça, ku vetëm edhe një hap po të ndodhte dhe të kalonte në parlament, Kosova e Re u shpall, dhe tendenca ishte që mos ta shpallim ne, sepse popullata definitivisht do ta kuptonte ku është e vërteta.

Tribuna: Si po ecin përgatitjet në partinë tuaj rreth zgjedhjeve të 8 qershorit?

Ismajli: Jemi të kënaqur sepse ka shumë vullnetarë që i mbushin zyrat e AKR-së, jo vetëm këtu në Prishtinë, por edhe në komunat tjetra. Besoj se do të jemi kënaqshëm të përgatitur për ta mbrojtur votën dhe nuk do të ketë manipulime. Për këtë të fundit shpresojmë edhe tek vëzhguesit që mos ta lejojmë një gjë të tillë.

Tribuna: Ku e shihni AKR-në pas zgjedhjeve?

Ismajli: E shohim në pjesën dërmuese të pushtetit dhe me kualitet të ri të deputetëve në Parlamentin e Kosovës.

Tribuna: A do të jeni pjesë e Qeverisë së ardhshme?

Ismajli: Mund të jemi pjesë e qeverisë nëse ajo do të jetë e nevojshme në bazë të votave që i kemi, por në kushte shumë më të definuar nëse do të jemi në bashkëqeverisje.