Fundamenti

Haradinaj, patericë e Thaçit, Kosova e zhytur në korrupsion dhe vasalitet

/ 18 minuta lexim
FIDANISHTJA

Deputetët nga radhët e opozitës, analistët politikë, por edhe qytetarët, theksojnë se është e turpshme mënyra se si ua mbylli gojën matrapazëve të politikës së dështuar kosovare ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, i cili e pranoi faktin e tërheqjes së njohjeve nga disa shtete, duke thënë se vërtet disa shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë, pra shtetësisë së Kosovës, dhe me këtë fakt fuqishëm i demantoi kundërshtitë e vazhdueshme të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, sipas të cilëve Serbia dhe Daçiq mashtrojnë me deklaratat e tyre për këto tërheqje.

Qarri: Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli, me shkurtpamësinë dhe mediokritetin e tyre, e sollën Kosovën në momentet më të rënda pas një dekade të shpalljes së Pavarësisë

“Kjo kastë pushtetarësh të korruptuar, të shitur dhe vasalë të Serbisë e Rusisë, është e gatshme të dëmtojë në të gjitha format shtetësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial për të shpëtuar lëkurën e tyre nga drejtësia ndërkombëtare. Dikur më i zëshmi, sot edhe kryeministri Ramush Haradinaj është bërë patericë e presidentit Thaçi. Me ose pa dëshirën e tij, Haradinaj, me mosvotimin e rezolutës në Kuvend, për ta ndalë Thaçin në aventurën e tij për korrigjim të kufijve me Serbinë, është duke u bërë edhe ai pjesë e zhbërjes së shtetësisë së Kosovës së bashku me proserbin Hashim Thaçi dhe prorusin Behgjet Pacolli”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Deputetët nga radhët e opozitës, analistët politikë, por edhe qytetarët, theksojnë se është e turpshme mënyra se si ua mbylli gojën matrapazëve të politikës së dështuar kosovare ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, i cili e pranoi faktin e tërheqjes së njohjeve nga disa shtete, duke thënë se vërtet disa shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë, pra shtetësisë së Kosovës, dhe me këtë fakt fuqishëm i demantoi kundërshtitë e vazhdueshme të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli dhe zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, sipas të cilëve Serbia dhe Daçiq mashtrojnë me deklaratat e tyre për këto tërheqje.

Kjo deklaratë e ambasadorit të Britanisë së Madhe vetëm sa e forcon edhe një herë konstatimin e analistit amerikan, David Philips, sipas të cilit nuk do të ketë njohje të reja përderisa po qarkullojnë idetë nga presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me ndryshimin e kufijve. Sipas analistëve politikë, përfaqësuesve të opozitës dhe qytetarëve, me këto zhvillime tepër dramatike në arenën ndërkombëtare Kosova është duke kaluar në momentet më të rënda pas një dekade të pavarësisë, ku në vend që të shënonim njohje të reja, shteti po hedh hapa prapa dhe askush nuk mban përgjegjësi, por të gjithë e fshehin kokën si struci në rërë.

Qeveria të dorëhiqet

Sipas deputetit Naser Rugova, nga LDK-ja, këtyre pushtetarëve nuk u duhet asgjë më shumë për t’u treguar se nuk e meritojnë më të qeverisin me vendin, por duhet të zbresin tek populli për riverifikim të besimit të dhënë e të shpërfillur deri më tani, sepse vendin e shpëton vetëm një qeveri e re, serioze, e dalë nga vota besnike e popullit me zgjedhje të reja.”Kjo qeveri dhe këta krerë institucionalë kanë dështuar, i kanë dëmtuar seriozisht imazhin dhe perspektivën e vendit. Dështime në menaxhimin e politikave të brendshme, çakordim i plotë mes krerëve shtetërorë për çështje strategjike nacionale, premtime boshe që asnjë nga ato nuk po përmbushen, si pasojë politike të jashtme anemike, servile dhe pa koncept. Tërheqja e njohjeve tregon gjendjen e mjerueshme të diplomacisë sonë, prandaj është koha e fundit që kjo qeveri të largohet pa dëme të tjera më të rënda për vendin”, tha Naser Rugova për “Kosova Sot”.

Rënien e qeverisë e kërkon me ngulm edhe deputeti Ali Lajçi.”Kjo është një gjendje katrahure dhe në diplomaci që po shprehet dhe është mjaft evidente për pasojat, edhe me skandalet e vazhdueshme që po ndodhin në këtë fushë. Ministria e Punëve të Jashtme, sikur që po e shohim, nuk e ka asnjë element standard ,me të cilin do të duhej të përfaqësohet kjo ministri në nivelin dhe nevojat çfarë do të duhet të përfaqësohet dhe kërkohet nga Kosova. Le të shikojmë se me sa hipokrizi veprojnë këta, duke i bërë gënjeshtra edhe vendit të tyre, qytetarëve, në kohën kur nevojitet një përpjekje serioze e fuqizimit të sovranitetit dhe të pavarësisë së Kosovës. Në vend që të shkojmë si shtet përpara, ne po marrim e po shënojmë minuse të mëdhenj e të rrezikshëm në të gjitha vijat institucionale, e që është ajo më e rrezikshmja fusha e diplomacisë ndërkombëtare, që është skandaloze në përgjithësi dhe këtë lloj keq qeverisje nuk e meriton ky shtet e ky popull, i cili ka dhënë shumë sakrifica në përpjekjet e gjatë për ta fituar këtë shtet. Kjo papërgjegjësi kaq e madhe dhe mospërfillëse është një fotografi shumë e keqe që po e trondit me rrezik të madh shtetin tonë, tani këta njerëz të papërgjegjshëm është e çuditshme se si po kanë moral që të vazhdojnë t’i ruajnë pozitat e tyre edhe pa një fije turpi, thuajse e kanë shtetin në dorë dhe e kanë bërë pronë të tyre private. Në këtë rast është tepër e domosdoshme dhe duhet që pa vonesë të mblidhen energjitë e fuqishme për ndryshime të reja dhe për largimin e këtyre strukturave kriminale nga ky pushtet, sepse ky pushtet i dështuar po shihet që është gjithnjë e më i rrezikshëm, jofunksional dhe vetëm rrënues i këtij shteti”, tha Ali Lajçi për “Kosova Sot”.

Qytetarët duan lidership të ri

Qytetarët e anketuar nga gazetari kërkojnë që tani kjo kastë politikë të ndëshkohet fillimisht nga miqtë ndërkombëtarë që mbështetën çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës dhe që së bashku me popullatën e Kosovës të krijohen kushte për të sjellë një spektër të ri politik në pushtet. Kështu mendon qytetari Selver Lenjani. “Kjo që ka deklaruar ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar është shumë brengosëse për ne, qytetarët e Republikës së Kosovës, sepse është një kthim mbrapa kur nga diplomatë ndërkombëtarë veçse konfirmohet tërheqja e njohjeve nga ana e 10 shteteve. Janë 10 shtete që fillimisht e kishin njohur pavarësinë e Kosovës dhe tani janë tërhequr. Ky është një lajm që lë të kuptojmë se gjendemi në një situatë tepër brengosëse për ne, shqiptarët e Kosovës, për vetë kombin shqiptar si tërësi dhe kjo vjen si alarm që në qytetarët të kërkojmë ndihmë nga ndërkombëtarët që të ndalet një trend i tillë, të na ndihmojnë ata për hir të qytetarëve të shtetit të Kosovës, dhe ta izolojnë këtë kastë politike të papërgjegjshme, që e solli shtetin në këtë gjendje”, theksoi ai. “Neve na duhet o tani o kurrë si qytetarë të Kosovës një mbështetje serioze që t’i largojmë këto parti politike që po dëshmohen se nuk ia duan të mirën shtetit të Kosovës, që kanë harruar edhe mbështetjen e miqve ndërkombëtarë në krijimin e këtij shteti, sepse populli më nuk u beson këtyre matrapazëve”, vlerësoi Lenjani për “Kosova Sot”.

Ndëshkim të pakompromis të kësaj kaste politike në qeverisjen e vendit, për shkak të dështimit në fushën diplomatike, kërkon edhe qytetari Ilaz Ismaili. “Me të vërtetë është për t’u vlerësuar qasja e sinqertë dhe transparente në raport me qytetarët e Kosovës, nga ana e ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar, Ruari O’Konel. Mirëpo, tani shtrohet pyetja se çka po presin këta njerëz në krye të institucioneve të shtetit, që dështuan në të gjitha fushat, që na plaçkitën për gati dy dekada rresht dhe tani po na e rrezikojnë edhe shtetin me tërheqjen e njohjeve nga vende të ndryshe si pasojë e defensivës diplomatike në raport me Serbinë. Këta njerëz duhet të ikin sa më shpejt nga keqqeverisja dhe kapja e shtetit, sepse po shihet ashiqare që i janë nënshtruar ish-zëdhënësit të kriminelit Milosheviq dhe nuk e kanë guximin as ta kundërshtojnë dhe as të flasin gjë për të mbrojtur integritetin dhe sovranitetin e këtij shteti”, vlerësoi Ismaili për “Kosova Sot”. Sipas tij, qytetarët e Kosovës nuk e meritojnë një ndëshkim të tillë nga politikanët e papërgjegjshëm dhe të padinjitet që po rrezikojnë ta rikthejnë edhe një herë pozitën e shtetit të Kosovës në pikën zero. Gazeta i ka dërguar pyetje edhe MPJ-së lidhur me temën, por nuk janë përgjigjur.

Uji Dea

QARRI: HASHIM THAÇI & CO PO RREZIKOJNË ZHVLERËSIMIN E VENDIMIT TË GJYKATËS NDËRKOMBËTARE TË DREJTËSISË

Edhe sipas Gani Qarrit, përderisa nga kuislingu dhe presidenti marionetë, Hashim Thaçi, temë kryesore për bisedime është imponuar “korrigjimi i kufirit” të Kosovës, ish-ndërmjetësuesi i dialogut Kosovë-Serbi dhe tani anëtar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, Robert Cooper, deklaron decidivisht se kjo nuk ka të bëjë me kurrfarë korrigjimi as shkëmbim territoresh, por me faljen e veriut të Kosovës Serbisë, kurse populli i Kosovës çuditërisht vazhdon të heshtë. “Heshtja e qytetarëve të vendit vijon edhe pas deklaratës së ambasadorit britanik se si pasojë e politikës së udhëheqësve të kriminalizuar disa njohje janë tërhequr. Ndaj kurrë më shumë se sot dhe në këto momente të rënda për vendin qytetarët e Kosovës nuk do duhej të ndiheshin më përgjegjës dhe bashkëfajtor për gjendjen në Kosovë dhe paqartësitë e krijuara mbi statusin e shtetit tonë në arenën ndërkombëtare, nga politikanët e kriminalizuar si Hashim Thaçi & Co, me deklaratat mbi lëvizjen e kufijve, duke rrezikuar kështu edhe zhvlerësimin e vendimit pro Pavarësisë së Kosovës, nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në vitin 2010 në Hagë”, theksoi ai. “Vetëm ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, z. Ruairi O’Connell, ua tha troç dhe ua mbylli gojën të gjithë matrapazëve dhe udhëheqësve të dështuar kosovarë, duke pranuar hapur dhe burrërisht faktin se vërtet disa shtete e kanë tërhequr njohjen e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

Deklarata e tij demantoi publikisht gënjeshtrat dhe kundërshtitë pa mbulesë të ministrit të Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, dhe zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, i cili madje pa fije turpi bën fajtor jo politikën e kriminalizuar në vend, por Evropën dhe Bashkësinë Ndërkombëtare, duke i cilësuar edhe si myslimanofobë dhe shqiptarofobë, sikur BE-ja dhe OKB-ja ta kishin shndërruar Kosovën në Kandahar dhe Afganistan të Evropës dhe jo Hashimi, Enveri, Kadriu etj., duke gënjyer kinse Serbia dhe Daçiq mashtrojnë me deklaratat e tyre edhe për tërheqjet e njohjeve të Kosovës. Madje edhe eksperti dhe analisti amerikan për politika të jashtme, David Philips, e ritheksoi edhe një herë se as nuk do të ketë fare njohje të reja përderisa qarkullojnë idetë e Hashim Thaçit që në bisedime me homologun i tij serb, Aleksandër Vuçiq, të diskutohet mbi ndryshimin e kufijve të Kosovës”, tha Qarri për “Kosova Sot”. Sipas tij, politikëbërësit e dështuar të shtetit, Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli, me shkurtpamësinë dhe mediokritetin e tyre e sollën Kosovën në momentet më të rënda pas një dekade të shpalljes së Pavarësisë dhe në vend që të shënonim njohje të reja, shteti po hedh hapa prapa, për çka askush nuk dëshiron të mbajë përgjegjësi dhe të gjithë e fshehin kokën si struci në rërë. “Çfarë bëjnë gjithë ata ambasadorë, konsuj e staf përcjellës anembanë botës, që paguhen me paga të majme nga taksapaguesit e vendit, shpenzojnë buxhete të mëdha e nuk ua dëgjon zërin kurrë për shtetin që përfaqësojnë. Ky është debakli më i madh i deritanishëm për diplomacinë dhe politikën që ndjek shteti ynë, nën dirigjimin e mafiooligarkëve, të cilët, pa marrë parasysh se çka do të ndodhë me Kosovën, kanë vetëm një qëllim-t’i mbushin sa më shumë xhepat dhe kontot e tyre, në vendet që i mbajnë të fshehur milionat e vjedhur, në parajsat fiskale, ku me gjasë mendojnë të vendosen edhe vetë, pasi ta kenë shkatërruar tërësisht Kosovën. Definitivisht ky është lidershipi më i tmerrshëm që ka mundur ta ketë Kosova dhe fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur popullit të saj dhe sa më gjatë që do të mbesim nën sundimin e tyre, aq më keq e më zi do të bëhet për të gjithë dhe gjithnjë e më shumë do të zgjasin izolimi dhe mjerimi i Kosovës”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”.

ZEQA: KJO ËSHTË SITUATA E HIDHUR NË TË CILËN E KANË SJELLË KOSOVËN PRESIDENTI KUISLING HASHIM THAÇI ME SUITËN E TIJ

Sipas analistit politik Florim Zeqa, u dashtë të ndodhë reagimi i ambasadorit të Britanisë së Madhe në Prishtinë, Ruari O’Conell, për të vërtetën e hidhur të tërheqjes së njohjeve të shtetit të Kosovës, për t’ua mbyllur kështu gojën gënjeshtrave e matrapazëve të politikës kosovare, dy mbështetësve dhe servilëve të Hashim Thaçit, ministrit të Punëve të Jashtme, Pacollit, dhe zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj, sipas të cilëve Serbia dhe Daçiq mashtrojnë me deklaratat e tyre për tërheqje të njohjeve. “Për më tepër se kaq, analisti amerikan, David Philips, e ritheksoi edhe një herë se nuk do të ketë njohje të reja përderisa po qarkullojnë idetë nga presidenti Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Aleksandër Vuçiq, lidhur me ndryshimin e kufijve! Kjo është situata e hidhur dhe dëshpëruese në të cilën e kanë sjellë Kosovën liderët e papërgjegjshëm politikë, gjegjësisht bartësit e institucioneve më të larta të vendit, të prirë nga presidenti kuisling Hashim Thaçi me suitën e tij tradhtare. Kosova është duke përjetuar momentet më të rënda pas një dekade të pavarësisë, ku në vend që të shënonim njohje të reja dhe konsolidim të shtetit, shteti ynë po hedh hapa prapa dhe askush nuk mban përgjegjësi, thuajse asgjë nuk është duke ndodhur asgjë”, u shpreh ai. “Liderët shtetërorë dhe partiakë po e fshehin kokën si struci në rërë, nga injoranca dhe pafuqia e tyre politike, nuk e kanë kurajën për të dhënë përgjegjësi për dështimin dhe zmbrapsjen e Republikës në politikën e jashtme. Karshi debaklit më të madh të diplomacisë dhe politikës që ndjek shteti i Kosovës, po qëndrojnë të strukur në lëvozhgën e tyre gjithë ambasadorët, konsujt e stafi i gjerë përcjellës anembanë botës, që paguhen me paga të majme, shpenzojnë buxhete të mëdha pa iu dëgjuar zëri dhe pa bërë asgjë të mirë për shtetin! Nuk i dihet, mbase janë të përkushtuar për mbushjen e kontove personale nga shpëlarja e parave të pista të pushtetarëve në Prishtinë, duke u ndihmuar në fshehjen e tyre në parajsat fiskale! Deklaratat dhe dëshmitë e zyrtarëve europerëndimorë, gjithnjë e më shumë po e vërtetojnë para qytetarëve të vendit se ky lidership, definitivisht, është fatkeqësia më e madhe që i ka ndodhur popullit të Kosovës dhe sa më gjatë që do të mbesim nën sundimin e tyre, aq më shumë do të zgjasë izolimi dhe mjerimi social në Kosovë”, vlerësoi Zeqa për “Kosova Sot”.

SALIHAJ: HARADINAJ E KA SHPALLUR VETEN ME KOHË TË PAAFTË QË TA PËRFAQËSOJË KOSOVËN SI KRYEMINISTËR

Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, konsideron se megjithatë Ramush Haradinaj e ka shpallur veten me kohë të paaftë që ta përfaqësojë Kosovën si kryeministër i saj dhe e ka autorizuar Thaçin që të negociojë me Serbinë, prandaj nuk ka pse tash të duket sikur po mundohet ta ndalë Thaçin, sepse këto janë vetëm fjalë boshe dhe asgjë tjetër. “Kosova tashmë e ka marrë teposhtën si pasojë e veprimeve të Hashim Thaçit dhe Serbisë.Tash po del e vërtetë ajo që po thotë Serbia, se plot vende i kanë tërhequr njohjet dhe se Thaçi dhe Pacolli po gënjejnë vazhdimisht. Këtë të vërtetë e tha qartë ambasadori anglez, O’Konell.Thaçi, Pacolli dhe gjithë klasa politike e tij po e çojnë shtetin e Kosovës drejt shpërbërjes së sigurt, ata janë njëqind për qind të koordinuar me Serbinë dhe në shërbim të plotë të saj. Asnjëherë Kosova nuk ka qenë më shumë në rrezik të shpërbërjes së saj sesa tash.Thaçi po vazhdon me veprimet e tij antishqiptare pandalshëm, përderisa Qeveria dhe Parlamenti bëjnë pallavra dhe as që merren seriozisht me këtë problem. Ramush Haradinaj dhe Qeveria mjaftohen me deklarata boshe e pa asnjë efekt se është kundër ndryshimit të kufijve, e në realitet nuk bën asgjë konkrete për ta ndalur procesin e zhbërjes së Kosovës. Ndërsa Kuvendi ka mbetur i bllokuar dhe nuk është i aftë ta nxjerrë asnjë rezolutë me dhjetë rreshta, e jo më të bëjë diçka tjetër. Në krye të Kosovës është një klasë politike injorante, e papërgjegjshme dhe e shitur, e cila është e mbërthyer pas interesave e hajnive për ta vjedhur e plaçkitur atdheun e saj dhe jo për ta mbrojtur shtetësinë e saj.Tashmë bisedimet janë në fundin e fazës përfundimtare të shpërbërjes së Kosovës. Retorika e Thaçit se më me dëshirë do të takohej me një dreq sesa me Vuçiqin e shprehin gjithë pafytyrësinë e tij dhe në fakt janë vetëm sa për ta mashtruar sa më shumë Kosovën, që ajo të rrijë në gjumë, derisa ai ta kryejë punën e tij djallëzore”, tha Salihaj për “Kosova Sot”.

BADALLAJ: ÇDO MINUTË QË KËTA KUISLINGË I LËMË TË FLASIN NË EMËR TË KOSOVËS ËSHTË DËM I MADH DHE POPULLI DO T’UA SHOHË SHERRIN

Analisti politik Reshat Badallajt tha për “Kosova Sot” se ambasadori i Britanisë se Madhe ua mbylli gojën me shumë të drejtë proserbëve, prorusve, kuislingëve dhe matrapazëve.”Por, këtë shuplakë dhënë këtyre kuislingëve do të thotë mjaft për popullin, pastaj për “qenef” Qeverinë dhe “qenef” Kuvendin, që puna e Kosovës është pisk, në zgrip shumë serioz dhe në rrezik që duhet ndalur nga veprimet e dëmshme të gjithë këta faqezi, tradhtarë dhe shpirtshitur, që e kanë futur vendin në binarët e Serbisë dhe Rusisë.Çdo minutë që këta kuislingë i lëmë të flasin në emër të Kosovës është dëm i madh, humbje kohe dhe populli do t’ua shohë sherrin.Le ta shikojnë tani ata me sytë e tyre Serbinë fashite, duke lobuar kundër njohjeve dhe Pavarësisë së Kosovës se deri ku ka arritur.Ajo ka arritur jo vetëm me stopimin e njohjeve, por edhe më keq, shtete të ndryshme po i tërheqin njohjet.Ndërkaq, kuislingët dhe banditët tanë merren me rrena, mashtrime dhe premtime boshe dhe harxhojnë buxhetin e shtetit me qindra miliona dhe askujt nuk i japin llogari”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Nëse e çaktivizoni këtë cookie, ne nuk do të jemi në gjendje t'i ruajmë preferencat tuaja.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.